Festivali ndërkombëtar i letërsisë “Polip” këtë vit ka shënuar edicionin e 13-të. Qysh në hapje, të premten mbrëma, ka dhënë shenja të ikjes nga Prishtina dhe gjatë tri ditëve sa ka zgjatur festivali, janë zbërthyer arsyet e kësaj. “Polipi” prej themelimit ka qenë një lloj arratisjeje nga realiteti i zymtë politik e social, duke ofruar si kontrast dritën e letërsisë, teksa ka promovuar fuqinë e fjalës. “To the lighthouse”, ka qenë motoja e edicionit të sivjetmë.
Kur është paralajmëruar se do ta ndërpresë rrugëtimin pas edicionit të 13-të, kjo nuk ka të bëjë me shkaqe financiare. Ka të bëjë me pamundësinë për ndikim dhe në këtë mes hyjnë në lojë edhe politika në Kosovë e më shumë në Serbi.
“Polip” ka bërë një vetëreflektim, e nëpërmjet kësaj ka zbërthyer edhe misionin e fuqinë e festivaleve të tilla. Shtylla kryesore janë mbrëmjet letrare e ka zhvilluar edhe diskutime të shumta. Kryefjalë ka qenë e ardhmja e vetë “Polipit”. Ka pasur dilema nëse Festivali do të ndërpritet apo do të ndërrojë formë.
Jeton Neziraj, bashkëthemelues i Festivalit, udhëheqës i “Qendrës Multimedia”, ka qenë ai që në humor ka paralajmëruar se ky do të jetë edicioni i fundit në Prishtinë.
“Ky është edicioni i fundi i festivalit ‘Polip’. Në fakt nuk është i fundit sepse edicionin e radhës nuk do ta mbajmë në Prishtinë, por në Braunschëeig të Gjermanisë, me idenë që në janar ndodh liberalizmi, kështu që shumicën e publikut do t’i kemi atje dhe ne do të shkojmë atje ku është ai. Shihemi në mars 2024 në Braunschëeig”.
“Polipi” ka përuruar edhe monografinë “Sea of Change: Polip – Prishtina International Literature Festival (12 editions in 13 turbulent years 2010-2022)” të gazetares britanike Natasha Tripney. Në gati 300 faqe ka përmbledhur punën që festivali ndërkombëtar i letërsisë “Polip” ka bërë në 12 vjet.
“Sasha dhe Jetoni më kontaktuan dhe më thanë se ata kanë një propozim për mua. Fillimisht isha e habitur, por isha shumë e interesuar të shihja se për çka bëhej fjalë. Ata ishin duke folur për dokumentimin e një dekade, gjatë së cilës u zhvillua festivali ‘Polip’ në ndërlidhjen e kulturave, gjë e cila më pëlqeu. Si gazetare unë iu ktheva së kaluarës së ‘Polip’-it, aktiviteteve, intervistave me pjesëmarrës nga të gjitha edicionet”.
Publicisti Shkëlzen Maliqi ka kujtuar vitet e para të “Polipit”. Ka thënë se në fillim nuk e kishte besuar se “Polip” do të mbërrinte kaq larg.
“Nuk e di në fillim a kemi besuar që ka me qenë kaq i gjatë, por është edhe lajmi i trishtueshëm që ndoshta ky është edicioni i fundit, por shpresoj të mos jetë ashtu. Që të gjendet ndonjë format tjetër. Ky festival ka qenë specifik sikurse edhe disa të tjerë që u patën mbajtur këtu. Është nisur nga një grup entuziastësh me shumë pak përkrahje nga vendi ynë. Fondet e këtushme gjithmonë kanë munguar dhe është mbajtur me fondet e huaja”.
Lucia Genova-Zimmermann, e cila për një periudhë kishte punuar si menaxhere projekti në “Qendrën Multimedia”, ka treguar se kishte propozuar që në këtë festival të ftoheshin edhe shkrimtarë nga Ballkani e më gjerë.
“Unë kam punuar në ‘Qendrën Multimedia’ prej vitit 2009 deri më 2011 me Jetonin dhe kur erdha këtu e kuptova që ka shumë projekte në fushën e artit dhe teatrit, por jo në atë të letërsisë, kështu që unë i sugjerova Jetonit të krijonte një platformë që të ftonte shkrimtarë nga shtete të ndryshme që të vinin në Kosovë dhe të njihnin shkrimtarët këtu si ‘Beton’, autorë të tjerë nga Ballkani dhe ata erdhën këtu, shumica për herë të parë”.
Bashkorganizatori i “Polip” nga Serbia, Sasha Iliq, kishte qenë ai që kishte dhënë idenë e ndërprerjes së këtij festivali. I pyetur për këtë, Iliq ka thënë se ai nuk e sheh festivalin si një vend për t’u argëtuar. Fakti se Festivali nuk kishte arritur të ushtronte impaktin që ai kishte dashur, e që nënkuptonte që ndikimi i tij të shtrihej edhe në Serbi, ishte arsyeja se pse ai nuk dëshironte të vazhdonte më.
“Mësova nga dita në ditë. Ne patëm tekstin e Arben Idrizit dhe ne patëm edhe tekste të tjera, patëm Kujtimin, poezitë e Elvinës, ishte një botë e tërë që po hapej dhe për mua ishte një eksperiencë revolucionare që po më ndryshonte. Jetoni dhe unë ishim duke shkuar drejt një transformimi. Tani pas 13 vjetësh ne shpresonim që impakti i ‘Polipit’ në kohë do të ishte më i madh dhe që ne do të kishim një transformim institucional midis Kosovës dhe Serbisë, sepse festivalet e këtij lloji do të ishte më mirë të mbaheshin me ndihmën e ministrive të Kulturës në Kosovë dhe Serbi apo për ta pasur një vit në Kosovë e një herë në Serbi. Unë vij nga një vend që nuk duan të dëgjojnë për këso lloje festivalesh, kështu që ai mbahet vetëm në njërën anë. Meqenëse ne sot nuk mund ta bëjmë këtë hap, unë nuk jam i interesuar të argëtohem”.
Bashkorganizatori i Festivalit, Jeton Neziraj, ka thënë se gjatë viteve të fundit kanë parë një rënie të interesimit të publikut. Ka thënë se arsyet se pse “Polip” mund të mos vazhdojë tutje nuk kanë të bëjnë aspak me mbështetjen financiare.
“Problemi ose pyetja që kemi shtuar ne rreth ekzistencës së festivalit, për të ardhmen e tij më së paku është financiare. Jemi duke folur për çështje konceptuale. Pse një festival si ky duhet të vazhdojë? Pse do të duhej të mos ekzistojë. A e ka kryer atë mision apo jo dhe cili ka qenë ai mision? Ekzistenca e një festivali letrar është gjithmonë e mirëseardhur. Ka shumë arsye pse duhet të ekzistojë një festival i tillë. Megjithatë, pse ky festival është themeluar dhe pse ka pasur kuptim për krejt këto vjet, kjo ide ka filluar të tejkalohet. Jo pse dosja politike dhe ky mision është përmbyllur, por sepse kemi pasur përshtypje se ka filluar ta humbasë fokusin, impaktin që ka pasur te publiku”.
Në ditën e fundit në kuadër të “Polipit” janë promovuar dy libra: “Shëtitje nëpër Srebrenicë” nga Faruk Shehiq dhe “Jazra Grozni Khaleed” nga Jazra Khaleed. Nëse “Polipi” do të vazhdojë rrugëtimin në tjetër format, ose ta ndërpresë atë, nuk ka përgjigje të prerë. Megjithatë, një festival si ky është dritë për letërsinë dhe komunikimin nëpërmjet saj.