Edicioni i dytë i Festivalit Poetik të Prishtinës, në mbrëmjen e dytë është karakterizuar nga një sërë aktivitetesh në qendrën shoqërore “Termokiss”. Nisi me diskutimin me shkrimtarin dhe studiuesin Gëzim Aliu, për të vazhduar me promovimin e librit “Amë” të Nora Prekazit bashkë me një panel diskutimi me Vlora Konushevcin, Arbër Selmanin dhe Donika Dabishevcin. Hapësirë iu dha një teme të veçuar në letërsi. Nën titullin “Letërsia dhe Lufta” pjesa e dytë e mbrëmjes qe rezervuar për lexim poetik nga pesë poetë, të cilët me vargje të tyre kanë dokumentuar përjetimet e luftës së fundit në Kosovë.
Drama e luftës edhe pse e rëndë për njerëzimin ka shërbyer kaherë si frymëzim për vepra të mëdha. Fuqia e vargut poetik është dëshmuar si një dëshmi e evokim i së kaluarës. Ajo shihet edhe si një rishikim i historisë së trishtë, një lloj ballafaqimi me traumën. Ishin pikërisht vargjet poetike të pesë poetëve që e manifestuan edhe njëherë fuqinë e letërsisë në artikulimin e emocioneve njerëzore. Kjo pjesë e mbrëmjes, moderuar nga prezantuesja Alketa Gashi-Fazliu nisi me Halil Matoshin dhe poezitë e tij të karakterit autobiografik, të cilat paraqesin tmerrin e përjetuar nga subjekti në kohë lufte.
“The Lil’s poem”, poezia të cilën ai e lexoi, shpalos në vargje rrugëtimin e thellë drejt personales e reflektimeve të gazetarit e poetit mbi luftën dhe ndikimin thelbësor të kohës së tij të kaluar në burg.
Ilire Zajmi ka lexuar poezinë “Lufta më zuri në Prishtinë”.
Në vorbullën e kujtimit të kohëve të luftës, vargjet janë fuqizuar me tinguj e kitarës nga Naser Dula. E disa vargje i lexoi edhe aktori dhe shkrimtari Shpëtim Selmani.
Poetja Vlora Konushevci, me “Copa Paqeje”, ndau me të pranishmit rrëfime të shkurtra të përjetuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Leximi poetik u përmbyll me poetin Eduard Frrokaj, me një cikël poetik kushtuar masakrës së Mejës, ku forcat serbe vranë 377 civilë shqiptarë më 27 prill 1999.
“Në këtë rast sot që e kishim temën lufta në letërsi që është shumë me rëndësi me i memorizu përvojat e njerëzve dhe gjithçka që ka ndodh gjatë luftës në Kosovë, sepse kjo i shërben memories kolektive dhe nuk guxojmë mu harru këto gjana për brezat e ri të cilët fatbardhësisht nuk i kanë përjetu ato. Festivalet janë tepër të rëndësishme, për Kosovën dhe në përgjithësi, të gjitha, e ato letrare, pasi që jam vetë poete, i shijoj pak më shumë”.
Edicionin e dytë të Festivalit Poetik të Prishtinës e vlerësoi dhe Halil Matoshi teksa u shpreh i kënaqur se hapësirë e denjë në kuadër të festivalit iu dha edhe poezisë së luftës.
“Është një festival i ri i cili secilën herë po merr formë më të mirë. Është një strehë që i mbledh krijuesit e poezive por dhe të arteve të tjera. Një hapësirë shumë interesante këtu në Prishtinë, dhe mbi të gjitha dua ta veçoj këtë pjesën e poezisë së luftës e cila praktikisht na vjen si një kujtesë pasi që të gjitha arkivat mund të zhduken një ditë, por arkivi që mbetet është poezia, ajo mbetet gjithnjë”.
Përtej poetëve e letrarëve, kjo ngjarje kulturore në kryeqytet tërhoqi edhe artistë nga dimensione të tjera. Anisa Ismaili si aktore, festivalet e tilla i sheh si frymëzuese dhe të domosdoshme për jetën kulturore.
“Jam shumë e lumtur që kom ardhë sot këtu, kemi gjithmonë nevoje për evente të tilla poetike. Kur hyra brenda me këto drita me një skenografi të këndshme me i dëgju këto poezi të bukura dhe të dhimbshme për luftën në Kosovë është shumë emocionale, dhe Donikës i uroj dhe shumë evente të tilla, festivali i saj le të jetë tradicional sepse po shihet sipas publikut që ishte brenda, se kemi nevojë për evente të tilla”.
Mbrëmja e dytë e Festivalit Poetik të Prishtinës u përmbyll me ligjëratën e Blerina Rogova-Gaxhës rreth kujtesës dhe traumës në letërsi, e cila pasoi edhe nga një ese filmike në autorësi të sajën, që shërbeu si një kurorëzim i krejt mbrëmjes.