Teknika të reja pune të ligjëruara nga profesionistët botërorë të animacionit janë ato që i “Anibari” i sjell krahas programit të pasur të filmave. “Pitch It”, në edicionin e 14-të vjen për herë të parë.
Kjo platformë u mundëson studentëve të takohen me emra të shquar të fushës, për të zbërthyer thelbin e krijimit të animacionit. Dita e dytë e festivalit ka qenë mundësi për shumë të rinj që në kinemanë “Jusuf Gërvalla” u mblodhën për të dëgjuar prezantimin e Hsiang Chin Moe.
Artistja dhe edukatorja tajvaneze, që vepron në Shkollën e Arteve Vizuale në New York, ka ndarë eksperiencat personale të saj. Ka folur për format e pasurimit të karrierës në fushën e animacionit.
“’Pitch’ është një proces që u mundëson njerëzve të shfaqin idenë e tyre origjinale. Është diçka që të mundëson ta procesosh vetë, ose edhe kur të duhet të punosh me ndonjë studio në shumë aspekte. Kështu, “Pitch” është një platformë që u mundëson shumë studentëve të kuptojnë se sa e mirë është ideja e tyre, dhe gjithashtu të kuptojnë se si mund të vendosin për punën e produksionit”.
Ka çmuar “Anibarin”, ku merr pjesë për herë të parë dhe ka njohur të rinj entuziastë për animacione.
“Është hera ime e parë në ‘Anibar’ dhe në Kosovë, dhe është shumë emocionuese. Sapo kam qenë në Azi dhe këtu moti është shumë i mirë. Njerëzit janë jashtëzakonisht shumë të shoqërueshëm. Sot njoha shumë studentë dhe pata rastin t’ju tregoj si të bëjnë bashkë ‘portofolin’. Jam shumë e lumtur dhe e nderuar të jem këtu”.
Dhjetëra student të Akademisë së Animacionit në “Anibar” ishin mbledhur për të marrë pjesë në aktivitetin e parë të “Pitch It” për këtë edicion. Për ta kjo platformë dhe në përgjithësi festivali shërbejnë si një mundësi e artë.
“Deri tash që kam qenë në Anibar më ka pëlqyer shumë. Unë jam edhe në Akademi dhe jam duke menduar të merrem me animacion. Po më pëlqejnë të gjitha mundësitë që jemi duke i pasur, sepse po kanë shumë kontekst dhe po shfaqen shumë filma. Unë po mund të mësoj vetëm duke i parë ato. Filmat internacionalë gjithashtu po më ndihmojnë shumë. Po kemi masterklasa dhe workshope që po na mundësojnë t’i kryejmë të gjithë filmat”.
Dita e dytë e Festivalit të filmit të animuar, pos prezantimit, solli gjithsej 17 filma të animuar në tri kinematë e qytetit të Pejës.
Përderisa prezantimit të tajvanezes i parapriu programi i veçantë i filmave, pas tij në “Jusuf Gërvalla” u shfaq filmi amerikan “Silver Bird and Rainbow Fish”, me skenar dhe regji të Lei Leit, që hapi garën e filmit të gjatë.
“Gara ndërkombëtare” u hap në “Kino Liqeni” duke sjellë para të pranishmëve gjithsej pesë filma garues. Ndërsa nata u mbyll me filmin e fundit të “Garës së studentëve”, “Curiosa”, ku para tij u shfaqën në ekran edhe pesë të tjerë.