Gjithçka që e sheh përreth, mund të jetë frymëzim për të. Karakteristikat e çdo gjëje, deri te veçoritë e ushqimeve, e shtyjnë t’i shndërrojë ato në protagonistë artistikë. Kjo është Kaltrina Jashanica.
“Kur pikturoj, e ndiej një qetësi brenda vetes që s’mund ta gjej askund tjetër. Është një ndjenjë shumë unike që më bën të ndihem e përmbushur pasi që i përcjelli emocionet e mia përmes lapsit në letër”, thotë Jashanica.
Kjo është pikëpamja për artin e vajzës, e cila nisi të pikturojë qysh në moshën 5-vjeçare. Atëherë kishin lindur shkëndijat e para për Jashanicën.
“Fillimisht kam nisur me piktura bazike, sepse me moshën e kam kuptuar se si shkon kjo punë. Gjithmonë kam eksploruar stile të reja, kam provuar gjithçka të re dhe kam ardhur deri këtu te karakteret e animuara”, tha ajo.
Thellimi brenda vetes ia mundëson Kaltrinës insipirimin për krijime të reja.
“Frymëzimin zakonisht e gjej brenda vetes pasi që artin e kam pasur gjithmonë pasion dhe dëshira ime prej në fëmijëri e deri tash, ka qenë të arrij diçka në art. Më së shumti inspirohem prej aplikacioneve të rrjeteve sociale si Twitter, Instagram, Tiktok, prej të cilave kam krijuar edhe karaktere. Jam munduar ta shpreh sa më shumë atë subjektin që ato e kanë brenda një karakteri. I kam bërë edhe shenjat e horoskopit me ato tiparet që i kanë”, ka deklaruar piktorja e re.
Njësoj siç i ka komplekse pikturat, edhe teknikat e punës të 16-vjeçares kanë po aq laramani.
“Gjithmonë kam përdorur teknikë të miksuar, që është teknikë e kombinuar siç janë ngjyrat e ujit, akuarel, markerë, ngjyrat e drurit. Nuk mund të punoj me një teknikë, sepse e dua bashkimin e tyre dhe ta shoh në fund se çfarë po del”, shton ajo. “Së pari filloj me skicën me laps, pastaj kur i përmirësoj gabimet filloj me marker dhe pastaj edhe me ngjyra për detajet më të vogla dhe vjen përfundimi”.
Siç ka ditur ta bëjë me shumë raste të tjera, Kaltrina Jashanica krijon një protagoniste të KTV-së, duke e bërë të duket e veçantë me televizorin të cilin e mban në duar.