“Kosovo Soloists’ Evening” ka qenë dedikimi i “Chopin Piano Fest” për solistët vendorë të skenës së muzikës klasike. Vepra të periudhave të ndryshme të krijimtarisë muzikore kanë sjellë kombinime atraktive sa u përket instrumenteve. Që nga veprat për piano për katër duar, e deri tek ato për saksofon, solistët kanë shpalosur mjeshtëri në zotërimin e instrumenteve.
Tri pjesët e koncertit të enjten mbrëma janë pasuruar me tingujt e instrumentit të cilin Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Klasike e ka në qendër. E ka dëshmuar pozitën e palëkundur të pianos në repertorin e veprave klasike.
Meloditë e para në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare kanë jehuar për repertorin e veprave me katër duar nga Zana Badivuku-Basha dhe Nezahate Shala-Zeka. Tingujt e larmishëm dhe të rafinuar janë harmonia e një sharmi melodik. Fryma e valsit mbretëron.
Pianistja Nezahate Shala-Zeka ka thënë se kjo vepër ka qenë me motive të pranverës dhe me melodi të tjera shoqëruese. Ka thënë se është sfiduese loja në vepra për katër duar.
“Sidomos kur kemi bashkëpunime me kolegë është kënaqësi tjetër, sepse mund ta ndash përvojën bashkë. Edhe muzikimi është më i lehtë. Veprat i kemi zgjedhur vetë paraprakisht”.
Bashkërisht kanë luajtur edhe katër pjesë nga kompozitori francez Georges Bizet dhe “Pranvera në Prishtinë” të Musa Piperkut.
Treshja Denita Dedushaj në piano, Nita Krajku me flaut e Malbora Krajku me klarinetë kanë interpretuar “Petite suit” nga francezi Claude Debussy. Flauti e klarineta akordohen në tinguj paralelë derisa pianoja përcjell me ata romantikë e më intimë. Instrumentet frymore zhvillojnë një lloj harmonie midis tyre.
Flautistja Nita Krajku ka thënë se energjia e publikut të vëmendshëm ka ndikuar në performancën e tyre në skenë. Ka thënë se vepra ka qenë premierë për publikun në Prishtinë.
“Kemi luajtur veprën suitë nga Debussy që realisht është për dy piano, por në këtë rast është aranzhuar për flaut, klarinetë dhe piano. Ka qenë premierë në Prishtinë. Bashkëpunimi ynë ka qenë organik, sepse e duam punën që e bëjmë dhe ftesa për pjesëmarrje në festival ka qenë e qëlluar”.
Kapitulli i radhës ka qenë kombinimi jo fort i shpeshtë në muzikë klasike me piano e saksofon. Pianisti Besart Shala dhe saksofonisti Dardan Gjinolli kanë luajtur pjesë nga veprat e francezit Darius Milhaud, amerikanit Rudy Wiedoeft e spanjollit Pedro Iturralde ka rrjedhur si një lloj tregimi romantik.
Saksofonisti Dardan Gjinolli ka thënë se kanë përzgjedhur vepra më atraktive dhe më të pranueshme për publikun. Sipas tij, edhe instrumenti të cilin e zotëron ka vend në muzikën klasike.
“Janë vepra shumë të mira dhe të këndshme për vesh. Për vendet tona, në Kosovë, veçmas në Shqipëri mendojnë se saksofoni është instrumente vetëm për ahengje dhe muzikë jazz. Përkundrazi, saksofoni është instrument shumë klasik, vetëm varet se si e luajmë. Kështu që publiku ka pasur rastin ta dëgjojë një repertor shumë të mirë”.
Edhe pianisti Besart Shala i ka konsideruar veprat atraktive.
“Me profesorin Dardan është kënaqësi të koncertojmë, bashkëpunimi ka qenë shumë i lehtë, është profesionist i vërtetë. Kemi kaluar mirë gjatë provave, si edhe në koncert. Veprat ishin shumë atraktive”.
Në koncertin e parafundit, të premten është sjellë programi i larmishëm operistik që prek kultura nga vende të ndryshme që e kanë kultivuar këtë repertor. Sopranoja Ulpiana Aliaj me maestron sllovak Peter Valentovic i janë rrëfyer publikut nëpërmjet libretit e tingujve.
Me pianon e pandarë nga podiumi – në përjashtim të dy koncerteve - instrumenti në qendër të festivalit është sjellë në disa forma stilistike. I fundit ka qenë ai me këndim sa i përket kësaj lloj prove.
Dyshja e nisi koncertin me arie nga operat “Paganini”, “Rusalka”, “Anna Bolena” dhe jo vetëm. Në anën tjetër pos si përcjellës në këndimin e sopranos Aliaj, pianisti Valentovic ka shpalosur mjeshtërinë e tij në instrumentin me taste. Ka interpretuar “Bugatti step” të çekut Jaroslav Ježek dhe improvizime nga një temë e Rachmaninoff.
Valentovic që është edhe dirigjent i shquar në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike, ka thënë se veprat që ka zgjedhur kanë qenë kompakte dhe të këndshme.
“Vepra e parë ishte vepër tipike për piano, por me ritme jazzi. Shumë e vështirë, shumë e shkurtër, shumë e mirë dhe efektive. Vepra e dytë ishte e shkurtër gjithashtu por me shumë zhvillime. E luaj shpesh në koncerte dhe ishte kënaqësi që e interpretuam edhe sonte këtu”.
Sopranoja Aliaj ka thënë se i gjithë programi ka qenë sfidues dhe se koncerti “Opera night” ka përkuar me një datë të shënuar për repertorin operistik.
“I gjithë programi ka qenë shumë sfidues. Jemi munduar të prekim vepra përfaqësuese nga të gjithë repertorët që janë emblemë e repertorit operistik. Për më tepër qëlloi në një ditë shumë të shënuar siç është ajo e Vlerës së Repertorit Operistik që tani i përket një trashëgimie botërore. Sa i takon aries së Rusalkas ka qenë veçanërisht emocion i madh për mua pasi e kam studiuar me mjeshtrin i cili është edhe nga vendi folës të gjuhës”.
Premierë është luajtur vepra “Trëndafili i Prizrenit” e Elona Rushitit e cila ka ardhur tejet melankolike me timbrin e butë nga Aliaj. Në pjesën e fundit është interpretuar edhe “Sinfonia” e Aulon Naçit
“Opera night” ka qenë koncerti paraprijës i përmbylljes së edicionit të 14-të me italianin Giovanni Bellucci, të dielën mbrëma.