EXPRESS

“Përralla”, e cila ndihmon fëmijët me kancer

Është publikuar përralla për fëmijë “Shtëpiza e lepurit nga lëvoret e shalqinit” nga Mrika Maliqi. Veçantia e saj është se gjysma e shitjeve të librit do të shkojë si ndihmë për fëmijët me kancer

Imagjinata dhe kreativiteti janë dy elemente që bëhen bashkë te përrallat. Rrëfimi i tyre, për fëmijët ka një rëndësi të veçantë. Madje, shpesh mund të lërë gjurmë te ta gjatë gjithë jetës.

Mrika Maliqi ka besuar në këtë ndikim dhe ka vendosur që edhe ajo të sjellë një copëz përralle.

“Shtëpiza e lepurit nga lëvoret e shalqinit” quhet përralla, e cila flet për përjetimet e një lepuri, ujku dhe gjeli.

“Janë dy mesazhe, përmes personifikimit të kafshëve dhe që gjithçka rrjedh me punë. Por mesazhi tjetër është që sado që ndihesh se je i vogël, e drejta fiton”, thotë Maliqi.

Ideja e botimit të këtij libri, Mrikës i kishte lindur nga biseda me nipërit e mbesat e saj. Përralla të cilën e kishte mësuar nga gjyshja e saj, kishte filluar të harrohej nga ata. Andaj, për hir të kujtimit të saj dhe mos humbjes së rrëfimit, Mrika vendosi ta sjellë në dritë të lexuesve të vegjël.

“Krejt qëllimi që kam vendosur ta shkruaj përrallën ka qenë për shkak të gjyshes dhe kam dashur t’ua dedikoj fëmijëve”, shton ajo.

Data e publikimit të librit përkoi rastësisht me përvjetorin e vdekjes së gjyshes së Mrikës. Mirëpo, kjo përrallë ka edhe një veçanti tjetër. Një pjesë e shitjeve të saj do të shkojë për fëmijët me kancer, nëpërmjet “Care for Kosovo Kids”.

“Kjo ka qenë dhurata më e mirë që kam pasur mundësi t’ia bëj vetes, por edhe fëmijëve, i mësojmë të jenë sa më altruistë”, u shpreh Maliqi.

Botimi i përrallës “Shtëpiza e lepurit nga lëvoret e shalqinit” është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.