Duartrokitjet e shoqëronin pas çdo shfaqjeje për katër dekada në skenë. Me të njëjtat ovacione, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, u nderua aktorja ikonë e komedisë, Shirine Morina. Ajo vdiq të dielën në moshën 72-vjeçare.
Në institucionin ku u dha jetë shumë roleve është nderuar figura e saj prej artisteje. Bashkëpunëtorë, miq e familjarë në mbledhjen komemorative në Teatër e kanë vlerësuar për sharmin në skenë, profesionalizmin dhe guximin.
Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, e ka vlerësuar aktoren Morina si njeri të përkushtuar për komunitetin teatror dhe frymëzuese për ta.
“Shirinia ishte njeri i butë, i dashur dhe i përkushtuar për komunitetin teatror. Për kolegët e saj ishte mike dhe frymëzuese. Gjithmonë e gatshme për të ndihmuar dhe për të ndarë përvojën e saj me të tjerët. Sot kur po përjetojmë humbjen e Shirines, po përjetojmë një zbrazëti të thellë në skenën tonë dhe në zemrat tona. Edhe pse ajo nuk është më në mesin tonë fizikisht, trashëgimia e saj artistike do të jetë gjithmonë me ne duke na frymëzuar dhe udhëzuar në rrugën tonë”.
Bashkëpunëtorja e mikja e aktores së ndjerë, Kumrije Hoxha, ka thënë se rolet i luante me mjeshtëri të madhe dhe atyre u përkushtohej. Përtej skenës, e ka kujtuar për bujarinë, guximin e atdhedashurinë.
“Është lindur në një familje patriotike dhe me atë frymë është rritur. E mbaj mend në vitin 1967 ishte 27 apo 28 nëntori, atëherë e festonim në heshtje festën e Flamurit, por donim të defilonim nëpër shesh, në atë kohë shëtitore. E gjithë vërejtjen e njerëzve e kishte marrë. Ishte 17 vjeçare, në shkollë të mesme. Kishte çendisur një shqiponjë të madhe në fustan përpara, ecte me krenari, me kokën lart. Ishte shumë sfiduese, por asaj kurrë syri nuk i është frikësuar. Dëshira dhe ëndrra e saj ka qenë bashkimi kombëtar”.
Vigan Morina, nipi i aktores Shirine Morina, është shprehur se përkrah dhimbjes për humbjen, qëndrojnë kujtimet dhe krenaria që do ta mbajnë gjallë aktoren në zemrat e secilit.
“Largimi i saj nga kjo botë ka lënë një boshllëk të madh për artin dhe familjen tonë. Janë të panumërta kujtimet për të. Mirësia, bujaria dhe kujdesi i vërtetë që ka treguar ishin cilësitë që e veçonin. Kishte aftësi të jashtëzakonshme për të ofruar shpresë, urtësi, optimizëm e dashuri. Ishte ajo që i theu të gjitha tabutë që nga viti 1965 kur të gjithë ishin kundër saj, por ajo prapë vazhdoi ëndrrën”.
Aktorja Shirine Morina u lind më 27 maj të vitit 1951 në Prishtinë. Hapat drejt aktrimit do t’i merrte me përgatitjen profesionale në grupin e aktrimit në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Teatrit do t’i bashkohej më 1969, ku do të interpretonte rolet që do ta gdhendnin figurën e saj prej aktoreje.
I takon brezit të artë që kishin kultivuar vlerat e artit skenik të cilat do të përcilleshin në gjeneratën e re të artistëve.
Lamtumira i është dhënë sot pasdite, kur u varros në varrezat e qytetit të Prishtinës.