Duke dëshmuar aftësitë e tyre teatrale e artistike, një pjesë e anëtarëve të “Handikosit” kanë sjellë në skenë shfaqjen “Pa limit”. Fahri Krasniqi, Afërdita Haxholli, Albin Salihi, Festina Ibishi, Trimor Idrizi, Fortesë Vishesella dhe Erjon Vitija kanë shpërfaqur para publikut diçka nga realiteti i tyre. Pa përmendur vështirësitë apo problemet me të cilat ballafaqohen, kanë treguar se edhe ata mund t’ia dalin e këtë mund ta bëjnë edhe kur janë të kufizuar fizikisht.
Ka mbi dy muaj prej kur grupi prej shtatë personash me aftësi të kufizuara ka nisur përgatitjet për shfaqjen “Pa limit”. Për shumë prej tyre, kjo ishte hera e parë që merrnin pjesë në një shfaqje. E për t’i përkrahur ata, hapësira të martën mbrëma ishte plot. Shfaqja nisi në hollin e “Qendrës Burimore Përparimi”, ku zakonisht mësojnë fëmijët me aftësi të kufizuara. Në njëzet minuta sa zgjat shfaqja, aktorët tregojnë shumëçka nga realiteti i tyre, duke nisur nga dashuria, shakatë, lojërat dhe mënyra se si ata e shohin jetën e si i shprehin emocionet.
Trajneri e njëherësh aktori i njohur Edlir Gashi ka treguar për punën dhe përvojën me këtë grup. Ka folur për aftësitë mbresëlënëse që ka parë te ta.
“Bashkëpunimi ka zgjatur ndoshta dy muaj e gjysmë punë efektive. Çka kam mësuar prej tyre është që të gjithë ne duhet t’i shohim këta si të barabartë. Aftësitë që i kanë këta, që i posedojnë, janë mbresëlënëse. Ka prej tyre që kanë mbërri me thënë një tekst, me lidhë me rima, një këngë ose diçka me vetëm një fjalë timen që ua kam dhënë. Çka kam mësuar është se nuk duhet të dorëzohesh kurrë në jetë. Çfarëdo që ndodh në jetë, me vazhdu përpara dhe me provu deri në fund, deri sa mbërrin diçka. Çka iu duhet këtyre është thjesht bashkëpunim, motivim dhe jo njerëz që ua bëjnë me gisht. Më kanë mësuar shumë gjëra që me pa jetën më ndryshe se që e shohim ne”.
Së bashku me Gashin e Robert Nuhën, në mentorimin dhe përgatitjen e kësaj shfaqjeje kishte marrë pjesë edhe aktorja Kaltrinë Zeneli. Si dikush që kishte punuar edhe më herët me klubet teatrore që organizon “Artpolisi”, Zeneli ka folur për veçantinë që ka pasur puna me këtë grup personash.
“Zakonisht ‘Artpolisi’ i bën klubet teatrore që i mbajmë me shkollat e tjera dhe kemi bashkëpunime me shkollat në mbarë Kosovën. Kësaj radhe kemi pasur bashkëpunim me ‘Handikosin’. Ka qenë diçka pak më ndryshe për ne si trajner dhe grupi ka qenë më i veçantë për dallim prej herëve të tjera që zakonisht shkojmë, mbajmë trajnime dhe e bëjmë një shfaqje. Do të kalojë një kohë e gjatë dhe nuk do ta harroj procedurën si kemi ardhur deri këtu”.
Arta Sejdiu, e cila ka qenë e angazhuar në koordinimin dhe bashkëpunimin mes “Handikosit” dhe “Artpolisit”, ka folur për atë se si ka lindur ideja e këtij projekti.
“Ky bashkëpunim ka ardhur si bashkëpunim i ‘Handikosit’ me ‘Artpolisin’. Disa muaj më herët kur isha duke menaxhuar një projekt që kishte të bënte me ngritjen e kapaciteteve të personave me aftësi të kufizuara në ‘Handikos’, erdhi kjo ide për të ngritur kapacitete të ndryshme. Në fushën artistike dhe kryesisht teatrale kanë qenë iniciativa që kanë munguar më herët për anëtarët tanë. Kjo ka qenë shumë e mirëseardhur edhe për ta, sepse ka qenë një angazhim shtesë.
Njëri ndër aktorët e shfaqjes, Fahri Krasniqi është shprehur i lumtur për këtë bashkëpunim.
“Gjithçka ka shkuar shumë mirë me kolegët dhe mentorët. Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë me ta. Kemi pasur shumë atmosferë gjatë provave dhe jemi kënaqur, kështu që e falënderoj shumë “Artpolisin” që ka bashkëpunuar me neve dhe ka shfaqur në skenë këtë shfaqje”.
I gëzuar për këtë ka qenë edhe Albin Salihi, i cili shfaqi talent të madh në aktrim.
“Kam kaluar shumë mirë, shumë bukur. Jam ndjerë shumë mirë. Një staf i mrekullueshëm dhe perfekt. Besoj se do të dalë diçka shumë e mirë. Normalisht kam pasur emocione por me kalimin e kohës i kam hequr”.
Organizimi dhe realizimi i këtij projekti vjen si vazhdimësi e klubeve teatrale që organizata “Artpolis” organizon nëpër shkollat e Kosovës. Me qëllim shpalosjen e talentit të personave me aftësi të kufizuara, në fund të shfaqjes, “Artpolis” e “Handikos” hapën edhe një ekspozitë me punimet e krijuara nga po ky komunitet.