Bashkimi Evropian ka ardhur në Kosovë me muzikë. Instrumentistë të vendeve të kësaj familjeje janë bashkuar në “Orkestrën Rinore të Bashkimit Evropian” dhe koncerti i tyre u ka ngjarë dialogëve e dueleve me instrumente. Me një koncert si ky është përmbyllur edicioni i 22-të i festivalit ndërkombëtar të muzikës në Prishtinë “ReMusica”. Koncerti në Sallën e Kuqe ka nisur me “Musical offering in c minor” të kompozitorit të njohur gjerman Bach. Performanca vjen në atë mënyrë që i lë vend secilit muzikant të vijë në shprehje. Tingujt e veprës dëgjohen kur orkestrës i shtohen edhe më shumë instrumentistë që interpretojnë ende pa dalë mirë nga prapaskena. Është vepra “Cortege” nga kompozitori anglez Harrison Birtwistle. Melodia e kësaj vepre lëviz vazhdimisht nga nota të buta e të lehta. Toni dramatik është e përbashkëta e veprave të koncertit.
Orkestra Rinore të Bashkimit Evropian përfshin muzikantë nga njëzet e shtatë shtete të ndryshme të BE-së. Të përzgjedhurit janë midis moshës 16 dhe 26 vjeç. Koncertin në Prishtinë e mbyllën me “The Uncertain Four Season” të kompozitorit të mirënjohur italian, Antonio Vivaldi e cila nën orkestrimin e Carmen Fizzarottit erdhi premierë në Kosovë njësoj si në kryeqytete të tjera të Ballkanit ku shëtiti orkestra.
Violinisti Daniel Rowland ka pasur edhe rolin e udhëheqësit të orkestrës. Pas përfundimit të koncertit, ai është shprehuri lumtur që më në fund kishte pasur mundësi të performonte në Kosovë.
“Më pëlqeu shumë. Ka kohë që jam duke pritur të vij dhe të luaj këtu dhe ishte me të vërtetë një nder dhe shumë emocionuese edhe për t’u njohur me muzikën, artin dhe gjallërinë e qytetit, i cili ishte kaq vibrant e me një energji shumë të mirë. Por edhe këtë sallë kaq të bukur dhe gjithçka që po ndodh me orkestrën e të rinjve me orkestrën simfonike të shtëpisë së operës. Jam i lumtur dhe i emocionuar të jem këtu”.
Pjesë e kësaj orkestre ishte edhe oboistja Layla Kwler Baratto nga Italia. Ka theksuar mikpritjen e publikut dhe rahatinë në performancë.
“U ndjeva shumë mirë. Ishte me të vërtetë një audiencë shumë mikpritëse kështu që ne u ndjemë shumë mirë dhe patëm një performancë shumë relaksuese. Mendoj që dhamë më të mirën. U ndjemë shumë mirë dhe performuam me shumë vetëbesim dhe ia dolëm që të përçojmë mesazhin që ka muzika”.
Koncerti u zhvillua në bashkëpunim edhe me Orkestrën e të Rinjve të Ballkanit, pjesë e së cilës ishin edhe muzikantë nga Kosova. Klarinestisti Lundrim Rexha është shprehur i lumtur për bashkëpunimin me Orkestrën e të Rinjve të BE-së.
“Kjo ka qenë hera e parë mes orkestrës e të rinjve të Ballkanit dhe Orkestrës së të Rinjve të unionit evropian dhe kjo ka qenë një eksperiencë shumë e mirë për ne dhe një mundësi shumë e mirë që të luaj me këta instrumentist.
Orkestra Rinore e Bashkimit Evropiane është themeluar në vitin 1976. Ajo është një nga orkestrat simfonike më eminente në botë”.
“ReMusica” në edicionin e 22-të ka sjellë nëntë koncerte, si dhe një sërë aktivitetesh të tjera, përfshirë biseda me artistët, instalacione, “ReMusica junior” e të tjera.
Ajo u zhvillua nën moton “Inhale/Exhale” teksa ka përçuar mesazhe mbi shëndetin mendor, rritjen e ndërgjegjësimit dhe rëndësinë për vetveten.