EXPRESS

Orkestra frymore në tinguj feste që kulmojnë me “Vallet Ilire”

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës nën udhëheqjen e mjeshtrit skocezo-italian, Dario Salvi, ka sjellë program unik në kapitullin e radhës. Kanë qenë vepra që nisin me epokën e Romantizmit, duke kaluar te bashkëkohoret e ato që ngërthejnë tradicionalen. 

Një pjesë e veprave solemne ndërlidhen me Festën e Flamurit, me të cilin ka përkuar koncerti. Veçanti ka qenë loja e gajdes tok me Orkestrën, e koncerti ka kulmuar me “Vallet ilire” të kompozitorit anglez Guy Ëoolfenden. 

Atelieja e Pallatit të Rinisë, që ka marrë ngjyrat kuqezi, ka qenë e mbushur plot. Kësaj here frymorët u kanë dhënë tinguj instrumenteve për programin që fillon me Beethovenin romantik dhe vazhdon me vepra bashkëkohore. Atmosfera festive e qytetit për Ditën e Flamurit është bashkuar me ritmet e muzikës klasike brenda.

Koncerti ka nisur me “Marshin nr.1” nga Beethoven si uverturë e koncertit me një ansambël më të vogël instrumentesh.

“In a Monastery Garden” nga Albert Ketelbey bashkë me Korin e Meshkujve të Filharmonisë së Kosovës ka qenë me ngjyra liturgjike. Pjesëmarrja e saksofonëve në orkestër e ka bërë të veçantë jo veç këtë vepër, por gjithë koncertin. 

Sapo Kori ka dalë nga skena, nga dera e sallës është dëgjuar zëri i gajdes. Hyrja e gajdexhiut maltez Stefan Mercieca deri në skenë duke luajtur ka qenë si intro. 

Ai ka thënë se hyrjen e daljen nga skena i ka bërë duke interpretuar pjesën tradicionale “Field of gold”. Ka bërë të ditur se instrumenti i gajdes nuk është shumë i pasur me melodi, por se Orkestra e ka pasuruar me ngjyra muzikore.

“Është një instrument për të cilin duhet të kesh pasion për ta luajtur. Ai funksionon në atë mënyrë që ti i jep frymë, e shtyp dhe tingulli vjen. Sa iu përket melodive janë shumë të limituara pasi është instrument njëoktavësh, nuk është si klarineta që mund t’i ketë tri të tilla, por ka vetëm një dhe nëntë nota, nëntë vrima. Por së bashku me Orkestrën kemi adaptuar meloditë”.

Dirigjenti Dario Salvi ka thënë se ideja e përfshirjes së gajdes në Prishtinë ka qenë që të sillet diçka e re, por edhe të prezantohet instrumenti në një formë ndryshe nga ç’ndodh në Britani të Madhe.

“Gajdja është instrument tradicional i Skocisë që është bërë i njohur në gjithë botën. Në fakt, të gjitha vendet e Mbretërisë së Bashkuar e përdorin. Donim ta dëgjonim këtu pasi në Britani e dëgjojmë shpesh me orkestra ushtarake, por me orkestër frymore krijon melodi shumë të bukura, të fuqishme, shumë dramatike”.

Pikë e veçantë ka qenë kur Orkestra Frymore nën udhëheqjen e dirigjentit Dario Salvi ka sjellë veprën “Vallet ilire” të kompozitorit anglez Guy Ëoolfenden.

Vepra nis duke transmetuar energji tejet harmonike e argëtuese. Që në hyrje të pjesës së parë “Rondeau”, elementet folklorike përfaqësohen nga daullet, instrument tradicional edhe sot në trevat e pasardhësve të ilirëve.

Romantike është pjesa “Aubade” me lojë delikate të flauteve e më pas klarinetave, nën përcjellje të tupanëve. Aty krijohet një atmosferë melankolike.

Rrahjet ritmike të tupanëve shënojnë hapjen e pjesës së fundit “Gigue” e temat e flauteve nisin të përsëriten edhe në këtë pjesë. Bashkë me të edhe pjesa qendrore e veprës që ishte prezantuar në fillim. Por kësaj here merr më shumë zemër nga krejt formacioni. 

Vepra rreth njëmbëdhjetëminutëshe me tri pjesë qe luajtur së pari herë në shtator të vitit 1986 në universitetin “Ëarëick” në Britani të Madhe.

Për “Illyrian Dances” (Vallet ilire) autori është frymëzuar nga komedia  “Nata e dymbëdhjetë” e Shakespeareit, ngjarje të cilat vendosen në Iliri.

Këtë vepër, dirigjenti Dario Salvi e ka vlerësuar shumë të bukur për nga ana muzikore, por shumë sfiduese për instrumentistët. 

“Me ekipin po flisnim se çfarë mund të bëjmë për të prezantuar traditën shqiptare, ilire, dardane. E gjetëm këtë vepër të cilën kur e dëgjuam menduam se ishte shumë e bukur. Është shumë sfiduese për instrumentistët, punuam shumë për ta bërë të tingëllojë siç duhet. Mendoj se ishte performanca më e mirë që kemi pasur qysh prej kur filluam të punojmë së bashku e deri më tash. Mbase do ta mbajmë në repertor, sepse prezanton kulturën ilire, që është shumë gjë e mirë”.

Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se koncerti është konceptuar në mënyrë që të sfidohet e të prezantohet Orkestra Frymore. Pikë të veçantë e ka konsideruar veprën “Vallet ilire”. 

“Koncerti i sontëm është një program të cilin e kemi menduar gjatë sesi duhet konceptuar për ta sfiduar Orkestrën Frymore, e cila jo gjithmonë paraqitet e veçantë, por në programe simfonike. Një program festiv që përkon me Festën e Flamurit por jo gjithmonë e konceptuar në atë formë që të ketë tematikën e muzikës shqiptare e cila do të mund të interpretohej në data të tilla. Një prej pikave të rëndësishme të programit ka qenë ‘Vallet ilire’ të cilat janë interpretuar premierë në Kosovë”.

Në fund, Orkestra Frymore nën udhëheqjen e Dario Salvit ka interpretuar vepra nga repertori i muzikës klasike britanike.