Në skenë minimale, monodrama “Olympe de Moi” zbërthen tema komplekse. Veronique Ataly mban barrën kryesore dhe nën regjinë e Patrick Mons shpalos sfida e përjetime, prek situata e ngjarje, shndërrohet nga një rol në tjetrin. Mbi të gjitha, lufton për kauza feministe.
Teatri “Dodona”, të mërkurën mbrëma, me festivalin “FemArt” hapi dyert për këtë shfaqje franceze. Është edhe një lloj homazhi për Olympe de Gouges, dramaturgen e aktivisten franceze, e cila qysh në gjysmën e dytë të shekullit 18 u bë pioniere e lëvizjeve për të drejtat e grave.
“Është e mrekullueshme. Është ndryshe të luajmë këtu, sepse është e paraqitur edhe me përkthim. Ideja kryesore ka qenë të flasim për Olympe de Gouges që ka qenë një revolucionare. Ajo është harruar nga historia. Me shfaqje flasim edhe rreth luftës që zhvillohet sot”, deklaroi Mons.
Historia e përthekuar në skenat minimale të “Olympe de Moi” nisi nga aktivizmi që aktorja në shfaqje e ka sa i përket feminizmit. E frymëzuar nga një grua e fortë franceze shumë kohë më parë, shembujt e jetës së grave dhe lufta që bëjnë ato u bënë bashkë në këtë shfaqje dhe duket se vendi i duhur për t’u shfaqur është festivali feminist i Kosovës.
“Ky projekt është diçka që unë e kam për 10 vjet. Kam rënë në dashuri me të dhe kam dashur vërtet të bëj diçka për këtë. Jam aktiviste qe 15 vjet dhe kam menduar të bashkoj Olympe de Gouges dhe aktivitetin tim. Kështu që e gjeta Patrikun që është autor, sepse unë nuk shkruaj. Unë mendoj, por nuk shkruaj. Kështu që e ka shkruar Patriku dhe ne kemi punuar shumë për të. Dhe pa dyshim jam shumë e lumtur të aktroj në këtë shfaqje”, tha Ataly.
Ardhja në Kosovë me këtë shfaqje dhe në këtë festival vjen nga qasja e aktores se problemet në dallimet gjinore janë të njëjta në krejt botën.
“Në Paris, në Francë takoj gra feministe më të moshuara. Por, pavarësisht asaj, lufta është e njëjtë në botë. Ne duhet të luftojmë bashkë dhe të ndryshojmë mentalitete. Kjo është gjëja më e vështirë që mund të bëjmë, të ndryshojmë mentalitetin e meshkujve”.
Ajo u shpreh optimiste për luftën me art ndaj dukurive diskriminuese në bazë gjinore. Duke kaluar nga fati i një gruaje në tjetrën, ashtu sikurse edhe në kapërcim situatash, ajo shpalos luftën dhe betejat jetësore të gruas. Nis shpesh edhe nga përvojat personale e nga motive të brendshme si feministe.
“Në Francë ne luftojmë që të barazojmë kuotën. Mundohemi që të kemi numrin e barabartë të femrave dhe meshkujve. Si në teatër, në kinema, dhe gjithandej. Është shumë, shumë e vështirë që ta realizosh këtë. Por, një ditë kur ta arrijmë, mendoj se mentaliteti mund të ndryshojë. Meshkujt kanë nevojë të punojnë me gratë që ta kujtojnë këtë, se si funksionon bota e grave”.
Në natën e tretë të “FemArtit”, përveç “Olympe de Moi”, “FemArti” ka sjellë edhe të tjera ngjarje jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Mitrovicë.