EXPRESS

“Oj Kosova ime!” me historitë individuale në kohë lufte

Historia e një të riu shqiptar që po studionte për mjekësi në Gjermani në vitet ’90 do të ndryshonte në fund të asaj dekade. Me të parë se lufta në Kosovë po niste, studenti i mjekësisë do të kthehej në vendin e tij për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Djaloshi i quajtur Taras në librin “Oj Kosova ime!” është Naim Bardiqi, sot sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë.

Autores, Mechthild Henneke, me të dëgjuar këtë rrëfim do t’i shkrepte mendja për të shkruar libër. Romani i botuar paraprakisht në gjermanisht, të mërkurën është promovuar edhe në shqip, të cilin e sjell Botimet KOHA.

Historitë individuale e me sakrifica të shumta përballë një sfide si lufta, zënë vend në roman. Autorja që ishte edhe pjesë e administratës së UNMIK-ut në Kosovë ka thënë se i ka interesuar ndikimi i luftës te njerëzit.

“Kosova nuk ka mundur t’i shmangej luftës. Lufta ka bërë që populli sot të jetojë në liri. Por në të njëjtën kohë njerëzit kanë sakrifikuar shumë. Romani ka të bëjë me ndikimin që lufta ushtron te qenia njerëzore. Kjo është ajo që më ka interesuar”, ka thënë Henneke.

Në cilësinë e botueses, Flaka Surroi, drejtoreshë menaxhuese e Grupit KOHA,  ka thënë se vepra, botimin e së cilës e ka përkrahur rrjeti “Traduki”, ka edhe cilësi dokumentuese. Sipas saj, e kaluara duhet të shkruhet.

“Është shumë interesante se përherë botimet e tilla të rralla na vijnë prej autorëve që nuk janë shqiptarë. Do të thotë librat më të mirë për Kosovën deri tash i kemi pasur prej autorëve të huaj. Edhe ky shkrim i autores do të jetë besoj mjaft atraktiv për lexuesin tonë”.

Në cilësinë e personazhit frymëzues e edhe kryesor, Naim Bardiqi ka treguar se periudha e jetës që e bën më së shumti krenar është ajo e luftës.

“Romani është fiktiv... ngjashmëritë me personat realë mund të jenë vetëm rastësore dhe nuk përshkruhet realiteti. Mirëpo ndihem jashtëzakonisht i nderuar që vepra ime të bëhet frymëzim për autoren që të shkruhet një roman”.

Në 330 faqe, romani shpërfaq histori të ndryshme lufte. Shtyllë mbetet ajo e të riut shqiptar në Gjermani që la pas integrimin në shoqërinë e atjeshme e perspektivën që e priste,  për të luftuar në vendin e tij.