EXPRESS

“Njeriu me armë” jehon në çerekshekull si kujtim e festë

Marshimi i anëtarëve të Korit prapa instrumentistëve nuk i lë gjë mangët një parade ushtarake. E ofron atë ndjesi duke stimuluar krenari në audiencë.  “Njeriu me armë”, si kohë e parë e veprës që bart këtë titull, me nëntitullin “Meshë për paqe” është veç intro e një prej veprave bashkëkohore më prezente në skenat e botës. Kompozitori uellsian Karl Jenkins mjeshtërisht ka konceptuar veprën ku lufta deshifrohet prej egoizmit të sëmurë e deri te përballja me viktima ku domosdoshmërisht duhet të vijnë thirrjet për paqe.

Krejt kjo merr tjetër kuptim në sheshin qendror të Prishtinës. Përballë është audienca që luftën e viktimat i ka të freskëta. I ka përjetuar para 25 vjetësh. Fillimi i koncertit të Filharmonisë së Kosovës, të shtunën mbrëma, qe krejt i veçantë për disa arsye. Vendi, përmbajtja e veprës dhe koha kur është luajtur janë trinomi më i fuqishëm që rrallëherë mund të jetë kaq përmbajtjesor.

Jenkins më 1999 e kishte shkruar veprën e cila ishte porositur nga Muzeu Mbretëror i Armatimit në Mbretërinë e Bashkuar me rastin e festimeve të Mileniumit. Ua kishte dedikuar viktimave të Kosovës. E bazuar në meshën katolike, të cilën Jenkins e gërsheton me burime të tjera, kryesisht me këngën folklorike të shekullit XV, “Njeriu me armë” futet thellë në tragjedi. “Ezani”, interpretuar nga Liridon Sadriu, vjen si pjesë e dytë në veprën që përballjen me viktimat, pasojat e tjera të luftës e thirrjet për paqe i ka universale, duke bashkuar popuj, raca e religjione.

Me interpretimin e Korit dhe të Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës në bashkëpunim me atë që quhet Kori i Operës së Kosovës – formacion i angazhuar me projekte – dhe Korin e Fakultetit të Artit në Pejë, vepra tejkalon ndjesitë e pamjeve në skenë e prapavijës me qiej të trazuar. Muzika e kombinuar me këngë shndërrohet në një dramë emocionale, që zor kush mund t’i shmanget.

Kohët e veprës njëra pas tjetrës janë kombinim që si art dhe ndjesi e kanë bërë për vete botën e muzikës klasike. “Njeriu me armë: Meshë për paqe” numëron mbi tre mijë interpretime, duke e bërë atë veprën vokalo-instrumentale të muzikës bashkëkohore ndër më të pranishmet në të katër anët e botës.

Dirigjenti e kompozitor Baki Jashari e ka dirigjuar këtë vepër në premierën kosovare më 2015, në Paris katër vjet më vonë e po ashtu në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Jashari, i cili ka udhëhequr Filharmoninë për 18 vjet deri në prillin e sivjetmë, ka thënë se bëhet fjalë për një vepër madhështore.

“Vepër muzikore e përkryer e cila përmbledh më vete përkushtimin e autorit që në botë të mos ketë më luftëra. Andaj edhe mbyllet me thënien ‘Më mirë paqe se luftë’. E dimë që vepra është shkruar më 1999 gjatë bombardimeve të caqeve serbe. Pamjet e tmerrshme të luftës që ka përjetuar populli ynë i kanë lënë përshtypje të thella kompozitorit, i cili edhe në preambulën e partiturës shkruan: ‘Dedikuar viktimave të luftës në Kosovë’. Kjo vepër është shkruar për ne. Andaj ne e kemi marrë me shumë përkushtim”.

Si solistë, kësaj radhe ishin edhe sopranoja Adelina Paloja e baritoni Safet Berisha. Paloja ka thënë se gjithnjë pret momentin e kthimit të kësaj vepre në repertor.

“E kam pasur një kënaqësi të jashtëzakonshme, një emocion shumë të thellë. Është ndër veprat që e ndiej më së shumti, sepse me të vërtetë është e lidhur direkt me atë që kemi kaluar si popull. Është zëri i gruas shqiptare, që është vetëflijuese historikisht, që gjendet në mes të humbjeve. Është vepër kolosale që ka koncept të jashtëzakonshëm, kontraste e dinamikë emocionale. Tregon diversitetin fetar te ne, me ezanin, pjesën kishtare e mandej ka pjesën krejt laike me tekst në gjuhën latine e angleze dhe tregon më së miri se si duke ndier vuajtjen kalojmë të shpresa e te paqja”.

Sivjet pjesë e formacionit koral ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier. Diplomati i karrierës është edhe bariton.

“Nëse je këngëtar gjëja më e fuqishme që mund të bësh është të interpretosh në kor simfonik dhe është e vështirë të përshkruhet momenti magjik kur merr frymë për herë të parë dhe e di se qindra zëra do të bëjnë muzikë. Kështu ngjau sonte. Është një vepër madhështore dhe kori bëri punë vërtet shumë të mirë, ashtu sikurse orkestra. Dhe, mendoj se i thamë diçka audiencës me mesazhin e muzikës që është: ne preferojmë paqen”.

“Koncerti për paqe” sivjet është përmbyllur me “The Washington Post March” e “Stars and Stripes Forever” të John Philip Sousa duke shënuar edhe 248-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për marsh triumfi, gjë që i shkon shumë përshtat edhe Kosovës në përvjetorin e çerekshekullit të lirisë. Por dhjetë minuta fishekzjarrë gjatë këtyre veprave qenë shtesë krejt e panevojshme dhe deri diku irrituese. 

Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se në kuadër të përvjetorit të lirisë, vepra e Jenkins – i cili më 2015 ishte në Kosovë dhe u dekorua me “Urdhrin Presidencial të Meritave” – është ajo që përfaqëson më së miris Kosovën dhe luftën e saj në literaturën e muzikës klasike.

“Është vepra më e interpretuar në botë e kompozitorëve bashkëkohorë. Ta rikthejmë në këtë përvjetor është dukur e qëlluar dhe jo një përsëritje. Pastaj edhe interpretimi i saj në qendër të Prishtinës i jep një dimension tjetër përjetimit të veprës. Përmbyllja krejt në fund me dy vepra amerikane... për shënimin e Katër Korrikut e kemi parë si plotësim të koncertit”.

“Njeriu me armë: Meshë për paqe”, jo veç në literaturën e muzikës, por dhe në krejt artet është vepra më kuptimplote sa i përket luftës në Kosovë e viktimave të saj. Kur luhet nga vetë institucioni i këtij shteti, peshën e ka tjetër.