Historia e muzikës moderne shqipe është e paimagjinueshme pa festivalin “Akordet e Kosovës” e me synimet për ta dokumentuar në një vend krejt historikun e kësaj ngjarjeje, Tringa Sefedini dhe Enis Bytyqi kanë mbledhur dokumente, rrëfime, materiale arkivore e shumëçka.
I kanë bërë bashkë në ueb-faqen festakordet.com, e cila është lansuar të mërkurën pasdite në Qendrën për Praktika Narrative në Prishtinë.
“Akordet e Kosovës” qe njëri prej festivaleve më të shquara në Kosovë. Sivjet shënohet 60-vjetori i tij. 1963-shi konsiderohet si viti i edicionit të parë. Më 1974 nisi edhe transmetimi në Radiotelevizionin e Prishtinës, heqja e autonomisë goditi edhe festivalin. Vitet ‘90 qenë kohë sfidash edhe për festivalin përkundër tentativave për ta mbajtur në nivel, përderisa sipas historikut, përpjekja për ta mbajtur më 1995 dështoi ani pse nëpër arkiva ka edhe një poster të tij. S’ka emër të njohur muzike që nuk ka marrë pjesë në atë festival. Këndohej edhe në serbisht e turqisht.
Dyshja, studentë të antropologjisë, ofrojnë një kthim në kohë nëpërmjet fotografive, rrëfimeve e kujtimeve. Aty janë dëshmitë për pjesëmarrësit, fituesit, prezantuesit, stafin. Janë edhe listat e disa prej këngëve bashkë me partiturat.
Janë edhe imazhet e “Okarinës së Artë”, çmimit kryesor që ka ndryshuar ndër vite.
Bazë për ta përmbledhur rrëfimin për “Akordet e Kosovës” kanë qenë arkivat.
“Kemi intervistuar njerëz për informatat që na u kanë dashur. Më pas kemi bërë një studim të shtypit, kemi bërë të ‘Rilindjes’, gazeta ‘Tan’ në gjuhën turke dhe ‘Jedinstvo’ në gjuhën serbe. Mandej kemi hulumtuar edhe material arkivor nga arkivat personale, arkivave që kemi mundur të gjejmë nëpër faqe të internetit dhe kështu është ndërtuar komplet përmbajtja e ueb-faqes.
Bashkëpunëtorja e tij, Tringa Sefedini, ka treguar për pengesat edhe sfidat me të cilat ishin përballur gjatë periudhës së mbledhjes se materialeve. Ka bërë të ditur se shumë nga informatat e shpërndara nëpër internet, nuk kanë qenë të sakta.
“Sfida kryesore e projektit ka qenë me i gjetë materialet, sepse sado që në internet ka pasur shkrime mbi ‘Akordet, nuk kanë qenë të sakta ose kanë qenë të izoluara e për neve ka qenë shumë e rëndësishme me bë një databazë dhe me iu dhënë një kontekst atyre shkrimeve të izoluara. Sfida tjetër ka qenë se si me e gjetë intervistuesin e parë dhe vetëm ajo na ka marrë kohë, sepse ai më pas i ka njoftuar shokët dhe shoqet e asaj kohe. Gjithsecili ka ardhur shumë i përgatitur në intervista dhe na ka ndihmuar shumë në procesin e hulumtimit”.
Adresa e “Akordeve të Kosovës” vjen në kohën kur Radiotelevizioni i Prishtinës tashmë ka lansuar datat e Festivalit të Këngës në RTK. Do të mbahet në tetor.
“Unë kur e kam lexuar rregulloren ka qenë fiks në këtë periudhë sa kemi qenë duke punuar në këtë projekt. Normalisht më ka ardhur mirë që është duke u krijuar një festival për vendin tonë, sepse me të vërtetë kemi pasur nevojë për një festival të tillë në skenën tonë, për një afirmim të krijimtarëve. Ideja është që ndoshta, që unë jam shumë i ngjeshur me idenë nostalgjike për akordet duke u bazuar që kam qenë shumë i impenjuar në burime të ndryshme, në foto, video në të gjitha, më ka penguar fakti që s’është titulluar Akordet, por normalisht kjo është vetëm diçka personale e imja. Jam shumë entuziast ta shoh festivalin dhe shpresoj që del diçka e mirë, bëhet një ngjarje e mirë që normalisht për gjenerata që vijnë më vonë ta bëjnë një projekt të tillë për këtë festival, siç e kemi bërë ne për ‘Akordet’”, deklaroi Bytyqi.
Punën e këtyre dy të rinjve e ka konsideruar si tejet të rëndësishme edhe antropologia sociale, Rozafa Berisha.
“Rëndësia e këtij projekti është shumë e madhe, meqenëse na e prezanton një trashëgimi kolektive, që u përket të gjithëve dhe e cila çka jemi mësuar me pa, nuk është trashëgimi e kulturës materiale, po jomateriale, është kënga, muzika, sigurisht edhe materialja involvohet, por është e tjetrës natyre. Në fakt nëse e shfleton këtë Website jo vetëm që njoftohesh me këtë festival, por funksionon edhe si një dritare e prodhimeve kulturore, muzikës, këngës, por edhe reflekton kontekstin politik të kohës”.
Me shumë nostalgji për festivalin ka folur gazetarja Minire Fetahu, së cilës i kishte rënë ta përcillte live festivalin. Krijimi i kësaj ueb-faqeje, sipas saj, do të shërbejë në jetësimin e festivalit.
“Unë mendoj se këta dy të rinj kanë bërë një punë të mrekullueshme. Sepse anglezët thotë që një vepër që nuk e shkruan, nuk mund të ekzistojë. Ky festival ka ekzistuar, por puna e tyre ka shumë rëndësi, sepse kjo përcillet te gjeneratat e tjera, te të rinjtë që nuk e dinë se çfarë ka ndodhur gjatë asaj periudhe. A ka pasur festival, si ka shkuar festivali, a ka pasur këngë dhe orkestrime të bukura, këta ua kanë bërë të mundur të gjithëve të hyjnë në Website dhe ta shohin se çka ka ndodhur në atë kohë”.
Pavarësisht punës së madhe që është bërë deri më tani, dy autorët e ueb-faqes presin ta pasurojnë atë edhe me më shumë informacione. “Akordet e Kosovës” fsheh histori të bujshme. E shpalosja e saj tashmë ka nisur.