Muralet në “Rrugën B” tashmë nuk janë të vetmet vepra arti në këtë hapësirë. 12 lokale biznesore janë zbukuruar me vepra artistike si pjesë e ekspozitës “Rruga B” , e para me projektin “Nisesos”.
Furrë, mishtore, markete, lulishte, butik, dyqan këpucësh e sallon ondulimi janë shndërruar në galeri. “Nisesos”, që bashkon dy fjalët shqipe, nuk e fton publikun në galeri, e çon artin aty ku është ai, qoftë edhe si kalimtar rasti.
Ideja e kësaj ekspozite bashkë me krejt projektin “Nisesos” thyen konceptin e rrugës qendrore dhe periferike, ashtu siç ngjan në realitet me “Rrugën B”. Ajo sot është qendër e frekuentuar, por pos lokaleve, objekteve të banimit e të tjera si këto, nuk ka galeri apo hapësira arti.
“Ideja e këtij projekti ka qenë që t’u dedikohet lagjeve dhe zonave periferike. Në mënyrë që nuk ka qenë një projekt artistik edhe shumë disiplinore, të bëjë të mundur pak edhe decentralizimin e kulturës dhe artit. Të paktën kjo është dëshira. Projekti u dedikohet lagjeve periferike qofshin këto zonat të humbura urbane ose qendrat e reja të kapitalizmit që e konkurrojnë vetë qendrën. Në njëfarë forme projekti thërret artist, hulumtues të fushave të ndryshme, të cilët bëjnë hulumtim dhe japin kontributin e tyre për zonën në mënyrë që të japin kontributin e tyre për zonën. Të pasurojnë dijen mbi këto zona që nuk ka shumë interes dhe jo vetëm dije”, deklaroi Blerta Hoçia.
E titulluar me emrin e rrugës të cilën e ka në fokus, ekspozita nuk ka angazhuar vetëm artistë. Për të përmbledhur një projekt që pos veprave artistike, ka edhe informacione shtesë, janë angazhuar ndër të tjerë edhe antropologë.
“Një përfundim që e kemi nxjerrë është që kjo lagje është e ndërtuar me një rastësi, me një lloj kapitalizmi të egër. Të gjitha gjërat janë ndërtuar veç në bazë të asaj se a mund të ndërtohen, pa i lënë shumë hapësirë fëmijëve, pa lënë shumë hapësira që të bëjmë art. Kjo ka qenë edhe ideja e kësaj ekspozite, që t’i japim edhe kësaj lagjeje edhe njëfarë mundësie edhe një hapësirë sado të vogël që me mujtë me bë art në të” tha Shpat Shkodra.
Projekti do t’i nxjerrë edhe rezultatet e anketës me banorët e kësaj zone që ka në theks edhe mungesën e asaj që kërkon “Nisesos”: hapësirave publike e atyre për art. “Nisesos” synon ta çojë artin edhe në vende të tjera.
“Bashkërisht me Shpatin e kemi shkruar një punim, ese, në të cilin i kemi mbledh rrëfimet e banorëve të ndryshëm të “Rrugës B” dhe banorëve që jetojnë te ‘Bregu i Diellit’ dhe jetojnë për një kohë të gjatë. Ata pak a shumë e shpjegojnë idenë se si kjo zonë e qytetit ka ndryshuar ndër vite. Jemi mundu që ta interpretojmë në një mënyrë që e kuptojnë të gjithë. Shkrimi është i thjeshtë, por janë vetëm disa tregime të ndryshme që i kemi lidhë mes vete”, deklaroi Era Qena.
Të gjithë ata që pasditen e kësaj të marte ia kanë dedikuar ekspozitës, patën rastin të shëtisin rrugëve e dyqaneve të kësaj hapësire, për të udhëtuar nëpër ekspozitë. Në mesin e tyre ka qenë edhe muzikanti e grafisti i shquar, Gani Jakupi.
“Po më duket shumë mirë. Është si mishënim i ambientit të Prishtinës, për shkak se me kërku të bësh diçka aty ku të tjerët nuk e kanë bërë është si iniciativë shumë e mirë, pavarësisht rezultatit dhe vlerës së veprave të cilat nuk është nevoja as t’i përmendim. Është një punë që e kanë pas këtë ide dhe e kanë realizu dhe është një mund që është goxha meritore”.
Ekspozita “Rruga B” do të qëndrojë e hapur deri në fund të qershorit, përderisa projekti “Nisesos” synon ta vazhdojë hulumtimin në mënyrë artistike edhe nëpër vende të tjera. Projekti i radhës synon të sjellë një hapësirë mes Prishtinës e Ferizajt, përderisa synon që shpejt të zhvillohet edhe në Tiranë.