“Katër stinët” e Antonio Vivaldit bën për vete secilin publik. Bashkimi i dirigjentit e violinistit të Orkestrës së Operës së Parisit, Frédéric Laroque, me Orkestrën harkore të Filharmonisë së Kosovës ka bërë që vepra e Vizaldit të ketë tjetër tingull. “Pranvera”, “Vera”, “Vjeshta” e “Dimri” në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë qenë udhëtim unik muzikor.
Mbrëmja e veçantë muzikore e organizuar nga Filharmonia e Kosovës në bashkëpunim me Operën e Kosovës ka sjellë në Prishtinë edhe fagotistin virtuoz francez Laurent Lefèvre. Bashkë me Orkestrën e Filharmonisë kanë luajtur koncertin për fagot të Gioachini Rossinit. Tash qe radha që Orkestrës t’i bashkohen edhe frymorët e Laroque të jetë veç dirigjent. Pavarësisht kushteve të përhershme me ambientin, ka bërë që publiku të hyjë në botën e barokut e romantizmit.
“Është hera ime e parë këtu në Kosovë dhe ishte vërtet kënaqësi për mua të luaj me këtë orkestër. Kam ndier shpirt e energji shumë të mirë. Nuk kishim shumë prova për këtë projekt, por secili muzikant ishte shumë i koncentruar. Kam ndjesi pozitive për projektet e ardhshme. Muzika është gjuhë universale. Nuk ndiej ndonjë diferencë midis Kosovës dhe Parisit”, deklaroi fagotisti francez Laurent Lefèvre.
“Flauti magjik” i Mozartit bashkë me suitën “Carmen” të Bizet qenë pjesa tjetër e koncertit që ka pasur sallën plot. Filharmonia e Kosovës avancon vazhdimisht për nga programi. Përvojat me virtuozë nga vende të ndryshme të Evropës janë çështje më vete. Koncerti “Nga baroku në romantizëm” qe njëfarë testi më vete.
“Më duhej të isha shumë i koncentruar pasi nuk jam mësuar shumë me këtë formë. Dirigjoj ose luaj. T’i bëj të dyja ishte hera e parë, por e doja atë si sfidë. Instrumentistët ishin shumë të fokusuar dhe me vullnet për ta bërë më të mirën që kanë mundësi dhe kjo na e lehtësoi punën”.
Dirigjenti ka përmendur edhe telashet.
“Madhështor ishte progresi kolektiv që pashë. Ishte diçka të themi droguese. E teston atë e pastaj të nevojitet. Kemi pasur telashe të vogla si çdo orkestër në botë, por kishim shumë emocion dhe e kemi bërë punën tonë”, tha Laroque.
Koncerti është pëlqyer shumë nga të pranishmit.
“Ne pamë që ishte një mbrëmje shumë e bukur. Violinisti që njëkohësisht ishte edhe dirigjent është shumë i çmuar. Nëse e shohim biografinë e tij, shohim se ka mësuar me profesorë më specialistë për muzikë kamertale, dirigjim e violinë. Besoj që programi ishte shumë i bukur dhe interpretimi ishte mjaft atraktiv dhe la mbresa te publiku”, tha Besa Luzha, profesoreshë e muzikës.
Mbrëmja e së martës ka ngjarë me ato koncertet kur orkestrat festojnë.