Ministria e Kulturës ka ndarë sot çmimet në fushën e artit pamor dhe në kinematografi. Me çmimin kombëtar për veprimtari jetësore në artet pamore, “Muslim Mulliqi”, është nderuar post mortem njëri prej artistëve më të shquar në vend, Nusret Salihamixhiqi. Ndërsa Çmimi vjetor për të arriturat në fushën e artit i është ndarë artistes Violeta Xhaferi.
Për çmimet në fushën e arteve pamore ka vendosur juria në përbërje të artistëve: Arbana Hajredini, Eshref Qahili e Driton Selmani. Në vlerësimin e jurisë është vlerësuar kontributi artistik i Salihamixhiqit e Xhaferit në periudha të ndryshme.
“Është një gjeneratë e artistëve që kanë dhënë shumë për Kosovën. Sa i përket Nusret Salihamixhiqit ka qenë një prej figurave kryesore të viteve të 70-ta. Është kurorëzuar gurthemeli i artit figurativ në Kosovë. Ka qenë kontribuues i zhvillimit të artit në Kosovë. Ne si juri, pa hezitim kemi menduar menjëherë që duhet patjetër ta fitojë Nusreti, Çmimin për veprimtari jetësore. Përderisa Violeta ka dhënë kontributin e saj ndër vite dhe ka qenë aktive edhe vitet e fundit”, deklaroi Hajredini.
Çmimin për artisten Xhaferi e ka pranuar i biri i saj, Iliri.
Fatos Salihamixhiqi ka pranuar çmimin me të cilin është nderuar i ati i tij, maestro Nusret Salihamixhiqi.
Çmimet në fushën e kinematografisë përkojnë me ditëlindjen e ikonës së filmit Bekim Fehmiu. Të enjten është shënuar 87-vjetori i lindjes së aktorit, i cili vdiq më 2010.
Pasi ka pranuar çmimin për veprimtari jetësore “Bekim Fehmiu”, kinematografi Menduh Nushi ka thënë se ky është çmimi i parë me të cilin e nderon Kosova.
“Pas tetë çmimeve ndërkombëtare ky është çmimi i parë nga Kosova që e marr. Posaçërisht ndjeva kënaqësinë që emri i Bekim Fehmiut i cili ka qenë një yll që ma ka ndriçuar rrugën time drejt kinematografisë”.
Regjisorja Kaltrina Krasniqi është nderuar për filmin e saj të njohur “Vera andrron detin”, i cili mori disa trofe, e vjet u shfaq premierë botërore në Festivalin e Filmit në Venecie.
Krasniqi ka vlerësuar se çmimi bëhet tejet i veçantë kur vlerësohet në vendin prej ku buron rrëfimi i filmit.
“Ne festojmë me filmat tanë nëpër botë, por ndihesh krejt ndryshe kur feston me filmin tënd në shtëpi sepse është tregim i vendit tënd dhe ke nevojë që ajo relevancë që ka qenë për ty personale të jetë edhe e vendit”.
Juria e çmimeve në kinematografi pa pasur në përbërje regjisorët Blerta Basholli e Ujkan Hysaj, producentët Valmira Hyseni dhe Gazmend Bajri, si dhe aktoren Rozafa Çelaj
“Kaltrina Krasniqi ka arritur një prej sukseseve më të mëdhaja në Kosovë për filmin e saj ‘Vera andrron detin’ që është premierë në Venecia, njëri prej festivaleve më prestigjioze. Na ka prezantuar shumë denjësisht dhe me këtë na ka ndihmuar dhe neve tjerëve që po vijmë me filma të radhës. Enisin e kemi prej montazherëve më të mirë, është montazher i filmave prej më të suksesshmëve”, tha Hyseni.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka konsideruar se institucioni është i obliguar të nderojë ata që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për artin në vend. Kur ka folur për filmin e ka vënë theksin te Ligji për Kinematografi, derisa ka paralajmëruar shumë plane për komunitetin artistik.
“Është vetëm çështje se kur do të mbahet seanca e rregullt e Kuvendit për ta bërë votimin përfundimtar. Kemi shumë plane, shumë ambicie, bashkë me komunitetit, për ta çuar tutje një sektor që veçse ka dhënë shumë dëshmi suksesi deri më tash”.
Vitin e kaluar për vepër jetësore në fushën e arteve pamore ishte nderuar piktori Rexhep Ferri e për kinematografi ishte nderuar post mortem aktori i madh Abdurrahman Shala.