EXPRESS

“Nata e Operës” me magjinë e tre zërave

Sopranoja Leonor Bonilla, tenori Mert Süngü dhe baritoni Simon Mechliński kanë qenë ata që në Prishtinë sollën magjinë e tingujve të belkantizmit. Nata e tretë e edicionit të tretë të festivalit ndërkombëtar të operës “Ramë Lahaj”, në koncertin që ka marrë emrin “Nata operistike” kanë sjellë disa nga perlat e muzikës që mbizotëroi Evropën në fund të shekullit 18 dhe në fillim të shekullit 19. Interpretuan vepra të kompozitorëve: Bellini, Rosini, Puçini, Donicetti e të tjerë.

E, në koncertin, i cili zgjati më pak se dy orë, publiku pati mundësinë të shijonte veç e veç secilin prej këtyre zërave. Megjithatë, mbrëmja kulmoi atëherë kur në skenë u dëgjuan tingujt e muzikës shqipe.

Simon Mechliński me prejardhje nga Polonia solli këngën “Dashnor t’u bana”. E saktësia në shqiptimin e fjalëve dhe realizimin tonal të veprës e magjepsi publikun, i cili e falënderoi me duartrokitje të gjata.

Vetë solisti ka thënë t’i ketë lënë përshtypje muzika shqipe. E në të ardhmen planifikon të thellohet edhe më shumë në të.

“E gjitha nisi në Poloni në vendlindjen time, sepse ne ishim duke folur me Ramën, i cili erdhi për ‘La Bohem” të Puccinit. Ai është një këngëtar i mrekullueshëm. Më tregoi për këtë festival dhe më ftoi këtu. Biseduam edhe për muzikën shqipe dhe ai ma nisi këtë këngë të mrekullueshme ‘Dashnor t’u bana’ dhe vendosa ta mësoja dhe ta këndoja këtu. Është me të vërtetë e bukur. Çka është interesante që Rama më nisi edhe arie të tjera operistike të kompozitorëve shqiptarë që nuk po ua kujtoj titujt tani, e të cilat ishin shumë të bukura dhe po mendoj të thellohem edhe më shumë në to në të ardhmen”.

I lumtur me realizimin e këtij koncerti është shprehur edhe solisti me prejardhje turke Mert Süngü. Ka lavdëruar edhe Ardita Bufajn, që i ka shoqëruar në piano.

“Unë jam turk, kështu që u ndjeva si në shtëpinë time këtu. Unë e njoh Leonorën. Kemi kënduar së bashku më parë në Itali. Por, është hera e parë me Simonin dhe ai ishte i mrekullueshëm, shumë bashkëpunues dhe kishte një zë të mahnitshëm. Patëm vetëm një provë dhe shkoi shumë mirë dhe Ardita ishte fantastike. Ajo luan si një orkestër, është një pianiste moderne”.

Sopranoja nga Spanja, Leonor Bonilla, është emocionuar nga pritja që ia ka bërë edhe publiku.

“Është hera ime e parë këtu, kështu që unë jam shumë, shumë e emocionuar. Edhe se është kohë e shkurtër, sepse më duhet të kthehem prapë në Sevila, unë jam shumë e lumtur të jem këtu”.

Pianistja shqiptare ka thënë të jetë ndier e nderuar që ka marrë pjesë në këtë festival. Ka vlerësuar bashkëpunimin me tre artistë të skenave botërore.

“Është ftesa e tenorit të mirënjohur Ramë Lahaj, i cili është edhe ideatori i festivalit që më ftoi të bëhem pjesë në këtë mbrëmje kaq emocionuese, kaq të bukur. Ne sapo kemi përfunduar performancën. Së bashku në skenë isha me tre artistë, këngëtarë lirikë të suksesshëm që këndojnë në teatrot më të rëndësishme në Evropë. Shpresoj shumë që me këtë repertor të larmishëm të kompozitorëve më të njohur të kemi dhuruar sa më shumë emocione publikut”.

Festivali i ka lënë përshtypje të mira edhe Era Hysës, e cila kishte ardhur së bashku me nënën e saj. Koncertin e ka krahasuar me një shfaqje operistike.

“Gjithçka ishte shumë mirë. Përpos që këngët ishin shumë të bukura, ishte në fakt një shfaqje e tërë aktrimi. Gjithçka ka shkuar super dhe me të vërtetë më ka pëlqyer shumë”.

Në kuadër të festivalit, nesër mbrëma vjen koncerti i “Gjeneratës së re”, përderisa do të përmbyllet të hënën me koncertin dedikuar ikonës, Nexhmije Pagarusha.