EXPRESS

“Mural Fest” ngjyros hapësirat publike për emancipimin e gruas

“Mural Fest” që me edicionin e parë ka ardhur me mision të qartë: nëpërmjet artit t’i adresojë mesazhe shoqërisë. Ato janë brenda muraleve si një prej shenjave që tanimë e identifikon qytetin e Ferizajt. Festivali i muraleve e pasuron atë më tej me edicionin e nëntë që ia dedikon gruas me temën “Her spotlight”.

Ndër vite, Festivali ka adresuar problematikat e shoqërisë. I ka prekur ato me art. Ka qenë festivali i muraleve “Mural Fest” në Ferizaj, i cili e ka shfrytëzuar pjesën e betonizuar për vepra artistike. Sivjet synon vetëdijesimin për emancipimin e gruas, integrimin dhe lartësimin e pozitës së saj në shoqëri.

Këtë vit, për herë të parë, drejtuesja e festivalit, Lebibe Topalli, është pjesë e programit qendror të festivalit. Murali gjigant në objektin e ri të shkollës së mesme në Ferizaj e ka hijeshuar atë që sefte ngjyrat i ka marrë nga “Mural Fest”.

Ngjyrat e ftohta janë reflektimi për historinë e muralit të bazuar në një fotografi. Të ngrohta janë lulet shumëngjyrëshe që e përballin shikuesin me një lloj thirrjeje për ndërgjegjësim.

Koordinatorja e projektit, Elza Beluli, ka thënë se është po ky mural që e shpërfaq punën shumëvjeçare të Topallit si artiste e drejtuese e festivalit.

“Janë diku shtatë deri në tetë murale që do të përfundohen krahas instalacionit dhe ekspozitës. E kemi edhe një mural që e ka punuar drejtoresha ekzekutive e festivalit, Lebibe Topalli, e cila është një nga gjërat që na bën edhe më krenarë. Ka punuar nëntë vjet për ta sjellë ‘Mural Festin’ dhe tani është arti i saj në vendin tonë. Jemi shumë të lumtur që e kemi në ‘line up-in’ tonë”.

Fokusi sivjet është në artistet vajza dhe gratë e shoqërisë andaj “Mural Fest” e shpalos programin nën temën “Her spotlight”. Në hapësira të ndryshme publike secila hapësirë vjen me punim të veçantë të muralit.

Përplot ngjyra është vepra e artistes Mirjeta Qehaja në një lloj tuneli të një objekti afarist e banesor në qendër të qytetit. Të dielën në mesditë artistja ka qenë duke punuar në sfondin shumëngjyrësh të veprës.

“Kemi kohë për ta përfunduar përafërsisht një javë. Tash e shohim rrjedhën e punës për sa kohë mund ta përfundojmë. Koncepti i gjithë kësaj vepre është civilizimi i grave. Tash pasi që është dita e dytë që kemi nisur punimin e veprës, nuk dallohet se çfarë po paraqesim, por ndërkohë do të shihen rezultatet e një qyteti të tërë të cilin e ‘mban’ një grua”.

Pasdite në Galerinë e Arteve është hapur edhe ekspozita personale e Arbesa Musa – “My resume it’s pink and it’s scented”. Veprat janë të ndikuara thellësisht në përvojat personale dhe kultura e vendit.

Krahas tyre, pjesë e ekspozitës është edhe instalimi i materialeve në tokë. Instalacioni me tekstil vjen si një lloj fshehje e asaj që shihet.

“Ideja ka qenë t’i shfaqim objektet që gratë zakonisht i fshehin në trupin e tyre. Për të mos i shfaqur komplet mund të shihen si siluetë por janë të mbuluara për perde. Pse e kam zgjedhur perden, është se ajo përdoret në kushte shtëpiake për të pasur liri e privatësi. Kështu që më është dikur një term interesant ta lidh, meqenëse trupi dhe shtëpia janë diçka shumë private, t’i lidh me objektet që i mbajmë në trupin tonë”.

Paralelisht punën me murale kanë nisur edhe artistet: Emona Deda, Emily Herr, Antika Veseli, “Made by Stern, Tina Sulejmani, Elba Gashi dhe Rema Salihu. Ndërkohë kolektivi “Haveit” do të shpalosë punën e tyre artistike nëpërmjet një instalacioni.

“Mural Fest” sivjet e ka hapur programin më 31 maj dhe do ta vazhdojë deri më 7 qershor.

Muralet e shpërndara nëpër krejt qytetin shërbejnë si një fije shprese që shtyn drejt reflektimit për një jetë më të mirë.