EXPRESS

Mozaiku i fotografisë bashkohet në Kamenicë

Sheshi i Kamenicës “Metush Krasniqi” është kthyer në galeri arti teksa ka bërë bashkë disa nga fotografët më të njohur të trevave shqiptare, si Fahredin Spahija, Bardha Goga, Fehmi Sejdijaj, Gresa Berisha, Raim Kurtaj, Lulzim Demaj, Sefer Aliçkaj, Sefer Susuri e të tjerë. Nëpër ekspozitën, e vendosur në formë gjysmërrethore, mund të shohësh fotografi të florës e faunës shqiptare, por edhe fotografi monumentesh të lashta e portrete artistike në bardhezi.

E tërë kjo është bërë me iniciativë të fotografit të njohur të kësaj komune e adhuruesit të botës së egër, Arian Mavriqi. Ekspozita shërbeu edhe si vendtakim midis fotografëve dhe publikut e adhuruesve të këtij arti. Për dy orë sa zgjati aktiviteti, publiku pati mundësi edhe të bashkëbisedojë me fotografët.

Veprat e tyre i kanë shpalosur edhe fotografë nga diaspora. Përfshirja e këtij komuniteti dhe hapja e kësaj ekspozite në një kohë kur është i mbushur me mërgimtarë, ka qenë njëri nga qëllimet e organizatorëve.

“Në fund të fundit ky organizim i dedikohet më së shumti diasporës sonë të nderuar, së cilës i jemi mirënjohës për kontribute ndoshta shekullore për vendin tonë. Këta fotografë të qyteteve kanë ardhur për ta nderuar vendin tonë me nga një fotografi, temë e lirë që e kemi lënë ta zgjedhin vetë. Arsyeja e kësaj ekspozite është që fotografët të bëhen bashkë dhe të prezantojnë artin e fotografisë”.

I lumtur me këtë aktivitet ka qenë edhe vetë kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj. Në rolin e organizatorit të kësaj ekspozite, Rahimaj ka shprehur mirënjohjen e tij për kontributin dhe punën e palodhshme të këtyre fotografëve

“Vërtet na keni nderuar edhe neve, edhe Arianin me një aktivitet tejet interesant, ku ne shohim punën tuaj tepër me vlerë. Unë besoj se të qenit ndryshe është virtyt, është kulturë dhe ky pasion për fotografinë në formatin tjetër përbën edhe kulturën tonë të përbashkët. Ne duhet ta vendosim në pah me aq forcë dhe mundësi që kemi, por punën më të madhe duhet ta bëjnë edhe pasionantët. Këtë nuk e vë në dyshim duke e njohur nga afër edhe vetë Arianin, për faktin që ai ka qenë që e ka bërë më së shumti të njohur Kamenicën”.

Pjesë e ekspozitës ishte edhe një fotografi e ciklit "Koha e akullit" e mjeshtrit të fotografisë Fahredin Spahija. Ekspozitën e ka cilësuar si festë për fotografët.

“Arian ty të falënderoj për idenë, sepse sa herë që ka ekspozita të fotografisë është një moment më i mirë në historinë e fotografisë shqiptare. Kështu që, për ne është festë sa herë që ekspozohet puna jonë diku. Nuk ka rëndësi a është qytet i madh apo i vogël. Për ne është me rëndësi ky publik sa i madh apo i vogël të komunikojë me punët tona. Kjo është ajo çfarë na ofron kënaqësinë më të madhe”.

E, pjesë e kësaj ekspozite ka qenë edhe zvicerani Lorenzo Barelli, i cili punon në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë. Fotografia e tij shfaq një shqiponjë bishtbardhë, të cilën ai e kishte fotografuar diku në Kosovë dhe të cilën po e ekspozonte për herë të parë.

“Për mua është një ditë e veçantë dhe njëkohësisht është një nder i madh që me të gjithë këta kolegët e mi sot të jem këtu prezent. Unë punoj në Kosovë që nga janari i vitit 2020, do të thotë që tre vjet e gjysmë dhe e veçanta e kësaj është që unë jam një zviceran në Kosovë teksa shumë kosovarë punojnë në Zvicër. Kam përjetuar një ndjenjë të veçantë. Kam njohur njerëz shumë të mirë dhe posaçërisht kam njohur shpirtin e njerëzve këtu, prandaj është një përvojë e veçantë për mua”.

Ekspozita u realizua në kuadër të aktiviteteve të ngjarjes kulturore “Kamenica Summer Fest”.