EXPRESS

Monodrama për dashurinë njerëzore triumfon në “MonoAkt”

Shfaqja “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”, që shfaq lidhjen ndërmjet njerëzve përtej dallimeve, ka fituar çmimin kryesor të edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të monodramës “MonoAkt”.

Monodrama me tekst të francezit Eric Emmanuel Schmitt dhe regjisor e aktor bullgarin Marius Donkin, çon nëpër ngjarje dramatike që zhvillohen nëpërmjet komunikimit të Momos me Ibrahimin. Po ky rrëfim është shpalosur të premten mbrëma, para ceremonisë së ndarjeve të çmimeve.  Donkin para publikut, në teatrin “Dodona” në Prishtinë, ka falënderuar për çmimin.

Çmimi për Regjisorin më të Mirë është dhënë për lituanin Alvydas Vizgirda, regjisor e autor i shfaqjes “Fabijonas”.

Aktori më i mirë është vlerësuar Ismet Azemi për lojën në shfaqjen “Artisti në tavan”, me tekst dhe regji të Agron Gërgurit, prodhim i teatrit “Avdush Hasani” në Podujevë.  Azemi ka thënë se ky ka qenë çmimi i dytë për të në historinë e festivalit.

“I jam mirënjohës festivalit ‘MonoAkt’. Nuk është hera e parë që marr pjesë, është hera e dytë që marr çmim. Kam menduar se njerëzit, sidomos puna jonë, shteret prej emocioneve, por po më duket se gjithmonë ka burime të emocioneve nga ana shpirtërore, por edhe intelektuale, mendore e fizike”.

Çmimi për Aktoren më të Mirë i është dhënë aktores Dungaamaa Chimedtseye nga Mongolia për rolin në monodramën “My darling. This is just the beginning”.

Çmim special ka marrë shfaqja “Hedy: the life & inventions of Hedy Lamarr” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çmime janë ndarë edhe për veprimtari jetësore. Pas vdekjes çmimi është ndarë për dramaturgun Haqif Mulliqi, ndërsa është nderuar edhe aktorja Safete Rogova.

Juria ka qenë në përbërje prej gjermanes Nina Mazur, ukrainases Tatiana Czepurnyi dhe Svetlana Ivanova nga Qiproja.

Me monodramën “Ëndrrat e Hamletit”, me tekst të Nina Mazur dhe aktor Mentor Zymberaj, qe hapur programi i festivalit më 9 qershor. Sivjet në edicionin e 16-të u shfaqën gjithsej shtatë shfaqje, prej të cilave pesë në garë.

Drejtori i festivalit, Mentor Zymberaj, ka thënë se sivjet kanë ardhur me risi dhe se e kanë zgjeruar programin me ngjarje të reja.

“Kemi pasur risi sivjet për herë të parë ekspozitën teatrore, ku kemi pasur Albert Atakulov një artist shumë i madh, fotograf me shpirt artisti që ka shkuar në më shumë se njëqind festivale. Kemi sjellë risi nga të gjitha festivalet e botës dhe prapë risi për këtë vit e kemi pasur ‘Rrethimin’ që i kushtohet jetës sonë në vitin 1999. Në këtë 25-vjetor të çlirimit të vendit në një formë edhe artistët e huaj kanë pasur rastin të njihen me historinë tonë. Ne e shkruajmë atë dhe është detyrë e secilit artist”.

Shfaqja “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”, që e ka mbyllur dhe ka triumfuar në “MonoAktin” e 16-të është një himn për dashurinë e tolerancën.