“Pse s’e kemi ndërtuar një sferë ‘Dyson’? Rikrijimi i mureve dhe gardheve që formojnë shtëpinë tonë” është ekspozita që brenda një dhome ka bërë bashkë vepra artistësh, si: Jakup Ferri, Laureta Hajrullahu, Majlinda Hoxha, Rina Krasniqi, Atdhe Mulla dhe Brilant Pireva. Nëpërmjet veprave të tyre, artistët kanë shtjelluar temën e shtëpisë duke vënë në pikëpyetje atë se çka nënkupton për ta termi shtëpi. Tema është trajtuar në forma dhe botëkuptime të ndryshme nga artistët. Për Rina Krasniqin, shtëpia lidhet me një shkurre që rritet në oborrin e banesës ku ajo jeton, e që dikur babai i saj e kishte dashur shumë. Ndërkaq fotografi Atdhe Mulla këtë temë e ka shtjelluar përmes një fotografie që ia ka vënë emrin “Shtëpia e Nexhit nga Gjermania”. Por, që temën ta jetonin edhe vizitorët e ekspozitës, kuratorja Donjetë Murati kishte vendosur të shtonte edhe tri orendi. Bëhet fjalë për një divan të huazuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës, tre kolltukë nga “Hotel Grand” dhe disa rafte librash të huazuara nga “Qendra për praktika narrative”, dikur biblioteka “Hivzi Sulejmani”.
Por, përveç pjesës “Rikrijimi i mureve dhe gardheve që formojnë shtëpinë tonë”, ekspozita mban në titull edhe pyetjen, “Pse s’e kemi ndërtuar një sferë ‘Dyson’?”. E tërë kjo ka origjinë në një hipotezë të fizikanit britaniko-amerikan, Freeman Dyson. Lidhshmërinë e kësaj hipoteze me ekspozitën e ka shpjeguar vetë kuratorja Murati.
“Ideja se si ka rrjedhë është për shkak të faktit që të mendojë përreth pabarazive aktuale që i kemi, por duke e menduar një sferë hipotetike. Sfera ‘Dyson’ është një hipotezë e krijuar prej Freeman Dyson në vitet e 60-a dhe ideja është që kur të krijohet ajo, do ta përpunonte gjithë energjinë e diellit në sistemin tonë diellor. Më pas do ta krijonte mundësinë që njerëzit kudo në tokë ta kenë energjinë të pakufishme”.
E tema për shtëpinë në fakt ka qenë vazhdimësi e “Karnevalit 2.0”, një festival vjetor që “Kosovo 2.0” e organizon qysh prej katër vjetësh. Në kuadër të tij organizohen aktivitete të shumta, përfshirë ekspozita, mbrëmje muzikore, performanca e të tjera.
“Pra ‘Karnevali Kosovo 2.0’ është një lloj festivali vjetor që prej vitit 2020 mbahet në kuadër të programit vjetor dhe programit publik të ‘Kosovo 2.0’. Gjatë karnavalit zakonisht shtjellohet një temë që mendojmë që është relevante dhe e rëndësishme për shoqërinë që të shtjellohet pak më thellë. Në këtë edicion kemi vendosur ta shtjellojmë shtëpinë. Arsyeja se pse kemi vendosur ta shtjellojmë këtë temë është që ka lindë edhe si bashkëbisedim mes neve brenda ‘Kosovo 2.0’, por edhe duke e marrë parasysh edhe atë se çfarë është duke ndodhur nga pandemia e tutje”, ka bërë të ditur Erletë Morina, menaxhere e projekteve në ‘Kosovo 2.0’”.
Në kuadër të ekspozitës, të shtunën do të organizohet edhe një punëtori. Kuratorja Murati do të jetë ajo që do të flasë më shumë rreth mënyrës së krijimit të ekspozitës dhe ndërlidhjen që ajo ka me fushën e astrofizikës.
“Ekspozita është e krijuar duke marrë një koncept që vjen prej fushës së astrofizikës dhe ka shumë video të ndryshme në Youtube, shumë shkrimtarë që kanë tekste spekulative, por edhe kreator në Tik-Tok që merren me këtë çështje, e të cilat do t’i ndajmë gjatë punëtorisë për me e pa edhe prapavijën e saktë për sferën ‘Dyson’, por edhe atë se si janë duke ndikuar zbulimet e ndryshme. Edhe pse ne këtu jemi duke e hulumtuar gjendjen tonë ose kushtet tona materiale përmes kësaj hipoteze dhe këtij eksperimenti të të menduarit”.
Ekspozita “Pse s’e kemi ndërtuar një sferë ‘Dyson’? Rikrijimi i mureve dhe gardheve që formojnë shtëpinë tonë” pritet të mbyllet të shtunën e 23 korrikut.