EXPRESS

Mbyllet Panairi i Librit, zbehet sa u përket vizitave në edicionin e 24-t

Akademikët Rexhep Qosja dhe Ali Aliu janë nderuar me Çmimin për Veprimtari Jetësore në edicionin e sivjetmë të Panairit të Librit në Prishtinë. Në ditën e fundit të kësaj ngjarjeje, të dielën, organizatorët kanë ndarë dhe çmimet vjetore.

 

Si edicion, i sivjetshmi është dukur goxha më i zbehtë. Ankesat për mungesë të vizitorëve kanë qenë të vazhdueshme, përderisa rënia e numrit të tyre është e dukshme.

Por, sipas organizatorëve, kjo nuk do të thotë se ka rënie të interesimit për librin pasi mundësia e blerjes është shumë e madhe edhe jashtë ditëve të ekspozitës së librit.

“Por flasim për një epokë ku lexuesi mund të arrije të libri nëpërmjet formateve online, nëpërmjet librarive që janë hapur në Prishtinë, dhe Panairi gradualisht kthehet në atë që unë për vete e quaj rol themelor e që nuk është në parim shitja e librit por është ndërgjegjësimi në raport me librin” .

Zeneli thotë se secili botues veç e veç dhe organizatori i ngjarjes duhet ta rimendojnë formatin që duhet ta shoqërojë Panairin në ditët kur bota është më dinamike se kurrë.

Në mbyllje, çmimi për letërsinë për fëmijë i është ndarë Flori Kasajt për librin “Andrushi”, ai për përmbledhjen poetike,  Donika Dabishevcit për librin “E gjithkohshmja – ANDËRR”, kurse Çmimi për roman Besnik Mustafajt për romanin “Fati i marrë”.

Juria në përbërje të Majlinda Nana-Ramajt, Behar Gjokës dhe Alketa Gashit, Çmimin për Studim dhe Publicistikë ia ka ndarë Fatmir Toçit për librin “Arbëreshët”, atë për përkthim Aida Baroës për librin “Të mbyturit dhe të shpëtuarit”, kurse Çmimin si autor i vitit, Bajram Kosumit për librin “Enciklopedia imagjinare”.

Këtë vit Çmimi për vepër kapitale i është dhënë Sali Lutollit.

Të ftuar nderi në këtë edicion ishin shkrimtari francez Éric Faye dhe akademik  Rexhep Qosja.

Ngjarja që ka nisur të mërkurën dhe ka përfunduar të dielën ka pasur rreth 40 aktivitete si promovime librash e përvjetorë shkrimtarësh.