EXPRESS

Mbishkrimi i Justinianit në Ulpianë – dedikim unik dhe politik

Mbishkrimi i zbuluar vitin e kaluar në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës është deshifruar nga arkeologët që janë marrë me të tash e më shumë se një vit. Arkeologët Christophe Goddard, përfaqësues i “Ecole Normale Supérieure” nga Parisi, i cili edhe drejton laboratorin “Aoroc”, Arben Hajdari nga Universiteti i Prishtinës dhe Milot Berisha, ushtrues i detyrës së drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës kanë qenë përballë rreth 50 vetave. Zbulimi i vjetshëm kishte bërë jehonë si diçka unike, jo veç si gjetje, por edhe si përmbajte që shtjellon politikën e shekullit VI, saktësisht të kohës kur sundimtar i këtyre anëve ishte Justiniani.

Arkeologu francez, Christophe Goddard, ka thënë se Justiniani ka ndërtuar shumë ndërtesa dhe qytete dhe ua ka dhënë emrin e vet qyteteve.

“Por insistoj se në botën e të folurës latine, është i vetmi dedikim i nënshkruar nga Justiniani e Theodora. Ka mbishkrime ku ai përmendet, por jo dedikime të tilla nga ai”.

Ai ka zbërthyer edhe diçka tjetër.

“Ky dedikim nuk është dedikim religjioz, është politik, pasi është dedikimi i parë për një qytet. Pra kishte vendim politik brenda një kishe. Andaj, evoluimi i vendit të kishës gjatë Justinianit erdhi në nivelin politik”.

Burimet historike, por edhe të dhënat në terren kanë treguar se pas shkatërrimit të qytetit të Ulpianës, nja 700 metra në lindje ishte ndërtuar Justiniana Secunda. Dëshmi për këtë qenë edhe strukturat e kishës paleokristiane.

Por tash, arkeologët kanë ngushtuar kohën e ndërtimit të kishës e qytetit.

“Kemi ngushtuar kohën, 537-545 uroj që ta zvogëlojmë edhe më shumë kohën e datimit. Uroj që ta zvogëlojmë kohën edhe më shumë e ta dimë saktësisht se kur është ndërtuar kjo peshkopatë që ka pasur rëndësi të madhe, jo veç për arealin e Ulpianës, por edhe për Dardaninë në vetvete”, ka thënë Berisha në ligjëratën mysafire të titulluar “Dedikimi latin unik i themelimit të një urbs Dardaniae nga Perandori Justinian dhe Theodora”.

Historia e lokalitetit arkeologjik të Ulpianës është magjepsëse. Bashkëpunimi midis institucioneve franceze dhe atyre të Kosovës nën mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, ka zbardhur detaje interesante. Është vërtetuar se vendbanimi daton qysh në parahistori. Arkeologu Arben Hajdari ka folur për historikun e gërmimeve në këtë lokalitet. Hajdari ka shpjeguar edhe bashkëpunimin ndërkombëtar që po zhvillohet e po ashtu edhe ka krahasuar strukturat e kishës së zbuluar së voni me ato të Sant’Apollinare Nuovo në Ravena. Kisha ikonike e Ravenas daton prej vitit 504 në qytetin bregdetar të Italisë.

Gërmimet e sivjetshme përreth hapësirës së mbishkrimit kanë zbuluar pjesë shumëngjyrëshe të mozaikut që shpërfaq figura gjeometrike, zogj e fontana uji. Bëhet fjalë për pjesën e baptisterit, ose pagëzimores. Strukturat e ndërtesës kanë shenjat e kohës dhe dëmtimi nuk është i vogël. Njashtu edhe në rastin e mozaikëve. Por deri tash, të paktën në një rast mozaikët shpërfaqin qartë artin dhe dedikimet e kohës. Një figurë zogu dhe fontana me ujë janë punuar kujdesshëm përderisa pjesën më të madhe të zogut në anën tjetër të fontanës e ka bjerrë koha. 

Në tre hektarë, vizitorët qysh nga viti 2016 – kur një pjesë e lokalitetit u shpall park arkeologjik – mund të shohin shumë struktura e gjetje.