EXPRESS

Marsela Çibukaj në Prishtinë hap valixhen e rrugëtimit artistik

Një rrugëtim në kohë, gjeografi e nëpër zhanre të ndryshme muzikore ka qenë koncerti i Marsela Çibukajt, e ftuara e natës së tretë të Festivalit të Gastronomisë në Prishtinë. Çibukaj, e cila një koncert të tillë po e mbante për herë të parë në Prishtinë, u dëshmua si artiste e kalibrit të lartë. Zëri i saj është krejt i veçantë, ndërsa mënyra se si këndon këngët shpërfaq profesionalizmin e matur artistik. Në notat e ulëta ka bukurinë e një zëri si të ngjirur, e me lehtësi kapërcen te notat e larta e të mprehta.

Koncertin e nisi me këngën ikonike “I set fire to the rain” të këngëtares së njohur britanike Adele për të vazhduar më pas me “Jon”, një kover i njohur bërë këngës së Ardit Gjebreas. E pas kësaj, Çibukaj kapërceu detin dhe çoi publikun e Festivalit të Gastronomisë në Itali, atje ku Çibukaj kishte shkuar si nëntëvjeçare dhe ku kishte studiuar për muzikë. Këndoi këngë si “Tu Vuo’ Fa’ L’Americano” , “Ciao bella” e “Volare” ku përveç me kërcim, publiku iu bashkua solistes edhe në këndim. Nuk ishte vetëm fakti se këngët ishin disa nga perlat e muzikës botërore, atmosferën e bënte vetë këngëtarja. Ka aftësinë që secilës këngë t’ia ngjeshë dromcat e veçanta të zërit të saj, që duket sikur ia shtojnë edhe më bukurinë.

Duke vlerësuar mikpritjen që ia bëri publiku, Çibukaj ka përmendur edhe sfidat që ka përzgjedhja e repertorit. Ka thënë se përzgjedhja e tij ka qenë reflektim i rrugëtimit të saj drejt formimit artistik.

“Sfiduese është paksa sepse unë mora paksa edhe nga ajo që është valixhja ime e jetës duke përfshirë këtu edhe rrugëtimin tim si artiste, si njeri, nëpërmjet vendeve ku kam jetuar e udhëtuar dhe nga të cilët kam marrë një pjesë të repertorit që më formon sot si këngëtare. Për mua ishte risi ta sillja në Kosovë. Shqipëria ka afrimitet me Italinë, Kosova pak më pak, por ishte bukur që kënduan me mua në shumicën e repertorit”.

E nuk do të duhet edhe shumë kohë që publiku të dëgjojë këngë të reja nga Çibukaj. Ndonëse nuk ka dhënë shumë detaje, ka bërë të ditur se është duke punuar për një album të ri.

“Jam duke punuar mbi këngët e albumit. Së shpejti shpresoj t’i sjell dhe t’i prezantoj edhe te publiku i Kosovës. Do të jetë e shoqëruar me koncertal, me videoklipe gjithashtu. Jam në atë fazë të jetës sime ku jam shumë krijuese dhe në të njëjtën kohë po bashkëpunoj me kompozitorë shumë të mirë. Nuk mund t’ju them shumë detaje po do të jenë edhe nga Kosova, por do të jenë emra me peshë edhe nga Kosova edhe nga Shqipëria”.

Agnesa Qorri, zyrtare për komunikim me publikun, ka thënë se festivali u takon të gjitha moshave. E dëshmi e kësaj ishin edhe artistët e ndryshëm, të ftuar në tetë netët e Festivalit.

“Festivali ynë njihet si festival familjar, festival i tri gjeneratave. Në Festivalin e Gastronomisë mund të vini me familje, me shoqëri, pra i takon të gjitha moshave dhe edhe kolazhi i muzikantëve dhe këngëtarëve që kemi përzgjedhur, prek shumë fusha të muzikës dhe nuk kemi targetuar vetëm një moshë. Grupmosha të ndryshme vijnë në ditë të ndryshme. Kemi edhe net të rockut dhe kryesisht targetojnë një moshë tjetër”.

Në kuadër të aktiviteteve të edicionit të tretë të Festivalit të Gastronomisë, u ngjitën në skenë edhe këngëtarja e njohur shqiptare, Eneda Tarifa, këngëtarët kosovarë Dren Abazi, Denik Prizreni, Nita Latifi dhe të tjerë.