EXPRESS

“Make Art, not War” thërret nga çarshia e Pejës më 1999

Shenjat e luftës janë ende të freskëta në Çarshinë e Gjatë të Pejës. Është 30 tetori i vitit 1999. Ky vend qe bërë shkrumb. Por një grup artistësh kishte vendosur që t’i kundërpërgjigjej këtij imazhi me art. Në krye të nismës qenë artisti Sokol Beqiri dhe organizata “Balkan Sun Flowers Kosova”. Në thelb kishte mesazhet për rindërtimin e qytetit. Me art pamor e muzikë synohej një lloj rimëkëmbjeje e qytetit, motivim për popullin dhe zbehja e zymtësisë së luftës.

Gati çerekshekulli pas, këto shenja në Çarshinë e Pejës janë zhdukur, por filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, i rikthen me fotografi. Janë përmbledhur në ekspozitën “Make Art, not War” që vjen si domosdoshmëri e përcjelljes së mesazhit edhe sot.

Fotografitë e ekspozuara në galerinë “Hani i Dy Robertëve” në kryeqytet – një simbol i rezistencës me art në kohën e represionit ndaj shqiptarëve –vijnë si artefakte për periudhën që qëndronte midis gëzimit për lirinë dhe dhimbjes për humbjen.

Erzen Shkololli, Albert Heta, Gani Bajraktari, Haxhi Kastrati, Zymber Mullqi, Eduart Çarri e Kushtrim Deva synonin ringjalljen me ndërhyrjet artistike.

Arti i Mehmet Behlulit në atë hapësirë “ekspozuese” përfshinte një mur të ngjyrosur me të kaltër. Artisti e profesori është ritakuar me imazhet e ngjarjes 24 vjet pas. Ai ka thënë se vepra e tij ka qenë ndërhyrje simbolike për t’iu dhënë shpresë njerëzve dhe kurajë për rindërtim.

“Ky është një prej aktiviteteve të para pas lufte, pasi u çliruam, u tërhoqën forcat serbe, forcat ndërkombëtare dhe ne e ndienim veten të lirë, çuditërisht të lirë, nuk di as ta shpjegoj atë. Si pasojë e kësaj, disa artistë, në krye me Sokol Beqirin e organizuam një projekt, e shënuam disi përfundimin e luftës, fillimin e paqes, rindërtimin. I ftuam disa artistë, secili filloi të rindërtonte në mënyrë artistike”, deklaroi Behluli.

Tejet i veçantë kishte qenë edhe arti i fëmijëve të cilët ishin të lirë të shprehnin imagjinatën e tyre në muret e shkatërruara e orenditë që gjendeshin aty brenda.

Kjo pjesë, sipas dokumentuesit të ngjarjes, filozofit e kritikut të artit, Shkëlzen Maliqi, ka qenë më interesantja dhe më e hareshmja e krejt organizimit.

“Secili prej artistëve e ka zgjedhur një hapësirë dhe ka punuar diçka aty. Plus edhe fëmijët kanë punuar, kanë pasur ngjyra, kanë punuar çfarë kanë dashur. Ideja ka qenë të nxitet popullsia të ndërmarrë diçka paslufte. Dy probleme i ka pasur pak më të shprehura: gërmadhat, Peja ka qenë komplet e djegur, sidomos zonat e banuara nga shqiptarët dhe plehrat. Nuk ka qenë jeta e organizuar si duhet, të ketë aksione të ndryshme, ka pasur shumë plehra në qytet”.

Aparati i tij fotografik me film ka kapur gjithsej 110 fotografi që janë histori më vete e një pjesë të historisë së vendit. I veçantë është titulli që i ka vendosur ekspozitës, ku sipas Maliqit emërtimi “Make art, not war” ndërlidhet edhe me situatën sot.

Sipas udhëheqësit të galerisë, Fadil Dragaj, ekspozita i kontribuon njohjes së publikut me luftën në vend.

“Për të rinjtë sidomos, nuk po flas vetëm për të rinjtë e artit, por në përgjithësi. Opinioni po harron çfarë ka qenë lufta. Është mirë të vizitohet dhe të shihet çfarë ka qenë ’99. Këtë që e ka dokumentuar Shkelzeni, ne si ‘Han’, e kemi menduar se edhe ‘Hani’ është djegur totalisht”.

Ekspozitës i janë bashkëngjitur edhe faksimile që sjellin raportimet e kohës për ngjarjet.

“Ngadhënjimi mbi të keqen” është titulli i artikullit të Adriatik Kelmendit të botuar në të përditshmen “Koha Ditore” më 31 tetor 1999. Për ngjarjen kishte shkruar edhe vetë autori në revistën “Sheshi” në nëntor të 1999-s. “Make Art, not War” të premten mbrëma ka ardhur edhe një herë si shënjues i ngjarjes së 30 tetorit të 1999-s , mesazh të cilin atëkohë e kishte vulosur në titull reviste.