EXPRESS

Magjia e kitarës kulmon me virtuozin e ri, vuloset me “Trio Elogio”

Koncerti i dyfishtë në kitarë ka qenë koleksion zhanresh, kulturash e stilesh. “Trio Elogio” me Petrit Çekun, Pedro Ribeiro Rodrigues e Tomislav Vukshiqin në njërën anë, duke sjellë timbrin virtuoz po aq sa edhe talenti në kitarë Diar Aliu në kuadër të programit “ReNew” të festivalit “ReMusica”, kanë ekspozuar horizontet muzikore nëpërmjet një tapicerie të pasur tingujsh e teksturash. Ka qenë rrugëtim magjepsës virtuoz i natës së tretë të festivalit ndërkombëtar të muzikës.

Repertori që përzgjidhet për një koncert si koleksion vendimtar me vepra është tregues për kapacitetin dhe aftësitë teknike të instrumentistit. Kitaristi i ri në skenë, Diar Aliu, e ka dëshmuar veten në këtë aspekt duke zgjedhur vepra që harmonizojnë virtuozitet e seriozitet në skenë. Me të ka nisur koncerti i tretë të enjten mbrëma në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

E ka nisur koncertin e tij me “Grande Ouverture” të italianit Mauro Giuliano, që shquhet si një prej kompozitorëve më të mëdhenj të veprave për kitarë. Sharmi melodik dhe virtuoziteti janë karakteret e veprës.

Kitaristi Diar Aliu ka thënë se programi, të cilin e ka prezantuar në Prishtinë, kërkon gjashtë deri në dhjetë muaj përgatitje. E ka theksuar virtuozitetin e veprave.

“Ka qenë një rrugëtim i repertorit të kitarës nëpërmjet këtyre epokave. Kam filluar nga Giuliani në klasicizëm e deri tek Penderecki, që është kompozitor avangardë. Besoj se veçantia e këtij programi është larushia dhe zhvillimi e programi i kitarës ndër epoka. Programi ka qenë relativisht virtuoz sipas karakterit të veprave, por suita nga Moreno Torroba është ajo që e kthen programin në melodi më të lehta dhe faktikisht janë këngë folklorike që kanë karakter të melosit spanjoll”.

Rreth dhjetë minuta e kanë ndarë publikun prej koncertit tjetër. Në qendër të mbrëmjes ka qenë “Trio Elegio” me Petrit Çekun, portugezin Pedro Ribeiro Rodrigues e  kroatin Tomislav Vukshiq.

Koncertin e tyre e kanë nisur me “Sonata Nr. 8” të Mozart.

Virtuoziteti vjen në shprehje që në tingujt e parë që nuk harmonizohen assesi e dinamizmi është përbrenda. Zhvillohen në drejtime të kundërta dhe sikur i kundërvihen njëri-tjetrit. Pos veprave, virtuoze është edhe loja e tyre që dëshmon nivel botëror muzikantësh.

E veçantë ka qenë vepra “Acumal” e kroatit Bruno Vlahek. Repertori i trios i kushton vëmendje të veçantë kompozitorëve kroatë e kësisoj kanë vepruar me koncertin e së enjtes mbrëma.

Harmonike, energjike e virtuoze ka qenë edhe pjesa tjetër e programit.

Portugezja Luana Santos, e cila e ka vizituar “ReMusican” për ta vlerësuar atë si pjesë të Asociacionit të Festivaleve Evropiane, ka thënë se koncerti i trios ka qenë një prej më të mirëve që ka dëgjuar ndonjëherë. Ka pasur lëvdata për festivalin.

“Ishte një prej koncerteve më të mira që kam dëgjuar. Artistë të mrekullueshëm, grup i mahnitshëm që bashkëpunojnë në mënyra të ndryshme midis vete dhe shikojnë pas njëri-tjetrit. Ishte koncert i mahnitshëm. Kam qenë në të gjitha koncertet e ‘ReMusicas’, sepse punoj për Asociacionin Evropian të Festivaleve dhe kësisoj kam qenë duke ndjekur të gjitha koncertet në kuadër të programit të festivalit. Ka pasur artistë të mahnitshëm nga shumë vende dhe është e mrekullueshme çfarë punë janë duke bërë”.

Drejtoresha artistike e festivalit “ReMusica”, kompozitorja Donika Rudi, e ka vlerësuar programin të veçantë e atraktiv.

“Petrit Çeku është emri ynë, një artist i mrekullueshëm i cili erdhi me dy kolegët e tij si ‘Trio Elegio’. Ishte një program jashtëzakonisht atraktiv, posaçërisht më la shumë përshtypje vepra e dytë e kompozitorit Vlahek nga Kroacia, ishte një emocion i jashtëzakonshëm dhe kënaqësi gjithmonë t’i kemi ‘Trio Elegio’ në skenën e ‘ReMusicas’”.

Të mrekullueshëm i ka konsideruar edhe performancën e talentin e Diar Aliut.

“Sonte e patëm një natë të mrekullueshme me artistë fantastikë, ku pothuajse i gjithë koncerti ishte me kitaristë. Një koncert i mrekullueshëm i Diar Aliut. Një talent, një kitarist shumë i talentuar, kishim nderin ta kishim në skenën e ‘ReMusicas’. Ka qenë programi ‘ReNew’ që ndriçon talentet e reja, artistët e rinj dhe këtë e dëshmoi Diari me një performancë të mrekullueshme, ku edhe ‘Amati String Quartet’ iu bashkua”.

Koncerti i dyfishtë në natën e tretë të “ReMusicas” ka sjellë tingujt intimë e të pasur të kitarës, repertorin e larmishëm e traditën e muzikës klasike që zhyt me tinguj nëpër epoka.