Fillimmarsi i bën lulet të jenë kryefjala, jo vetëm si sinonim i pranverës, por edhe si dhurata që përzgjidhet për 8 Mars. Kërkesat janë të llojllojshme ashtu si emrat e luleve që kanë specifika të veçanta. Nëpërmjet tyre përcillen mesazhe të shumta.
Merita Azemi, puna e së cilës është kombinimi në buqeta, flet për kërkesat dhe trendët.
“Në ditën e 8 Marsit njerëzit dhurojnë lule në mënyrë që çdo grua ose person që pranon lule të ndihet e veçantë dhe e fuqishme. Kjo, sepse ka shumë lloje të luleve, kanë shumë domethënie të veçanta. Secila lule e tregon një specifikë të veçantë. Po ashtu edhe klientët i kanë porositë në atë mënyrë që personit që u dhurohen të ndihet e veçantë me anë të tyre”.
“Në fakt unë në fillim nuk e kam kuptuar që njerëzit janë të interesuar për lule. Por ndër vite e kam parë që është duke u shtuar kjo dukuri. E kam vënë re që kultura e luleve në vendin tonë është duke u shtuar. Normalisht çmimet janë pak më të shtrenjta, por klientëve kur ju pëlqen nuk e shohin çmimin si një opsion për të mos e marrë buqetën ose lulen çfarëdo qoftë”.
Në mesin e modeleve të panumërta të kombinimeve, herë shumëngjyrëshe e të llojllojshme, herë të njëjta, sot dhurata me lule nuk është vetëm tufa e tyre mbështjellë me letër e shirit dekorues. Forma të reja të tyre janë po aq të dashura. E tillë është tufa e luleve në vazo.
“Sot jemi duke e bërë një lule që është e porositur për 8 Mars. Pasi jemi në prag të festave të marsit kemi zgjedhur lule më pranverore, e edhe për shkak se janë për nënën. Janë disa lule sezonale që nuk mund të gjenden në sezonin e dimrit dhe për këtë arsye është diçka që e bën edhe më të veçantë këtë lule”. (vazhdon me procesin e punës)
Nëpërmjet luleve mund të përcillen mesazhe dhe dedikime të ndryshme, pa pasur nevojë për fjalët. Rëndom klientët vijnë me kërkesa të qarta.
“Në fakt klientët nuk më japin shumë hapësirë t’ u propozoj lule. Por në përgjithësi janë disa lule të cilat i kërkojnë më shumë. P.sh. tulipanët, që njëjtë si trëndafilat e bardhë edhe tulipani i bardhë shpreh pastërti dhe paqe. Është edhe trëndafili i vjollcë që përfaqëson dashurinë në shikim të parë. Edhe trëndafili i bardhë bashkë me tulipanin shpreh pastërti, paqe, lumturi. Kështu ka lule të ndryshme që janë duke u dhuruar për 8 Mars”.
Pavarësisht mundësive të pafundme për dhurata, lulet nuk mungojnë asnjëherë.