EXPRESS

“Luftë a tifo” me ironi mbyll sezonin e teatrit “Oda”

Performanca satiriko-ironike “Luftë a tifo” e dy artistëve Shpëtim Selmani e Alban Nimani, ka mbyllur sezonin 2022/23 të Teatrit “Oda”. Performanca pas Tiranës erdhi në Kosovë për herë të parë. Është një miksim fushash të ndryshme të artit. Ka diçka nga muzika, poezia, performance e aktrimi. Nëpër rreshtat e poezive, të shkruara nga vetë Selmani, dyshja përqesh në rend të parë politikat kombëtare e ndërkombëtare më pas edhe veset shoqërore.

Derisa kalon nëpër vargjet e njëpasnjëshme, Selmani sikur rrëfen jetën e vet, flet për letërsinë, poezinë, ndikimin nga shkrimtarët e mëdhenj e teatrin.

Atmosfera ndryshon posa Alban Nimani futet në skenë. Në sallë nisin të dëgjohen edhe tinguj tekno çka i japim një natyrë edhe më moderne performancës. Nën tinguj e muzikës, dyshja nis e reciton njëra pas tjetrës poezi si: “Vjershë Politike” e “Kosova”.

I pyetur për revoltën që del nëpër vargjet e tij Selmani ka thënë se mendon që problemet e shumta në botë kanë një lidhje zinxhirore. Ka shtuar se satira e ironia janë përherë evidente.

“Jam i revoltuar sepse mendoj që ka shumë arsye për të qenë i revoltuar. Unë ndihem pjesë e komplet një sistem më jashtë se këtu sepse mendoj që të gjitha problemet janë zinxhirore. Çdo gjë që ndodh në botë ka një efekti, një lloj ndikimi. Kjo është shumë e dukshme nëse është brenda një kontinenti. Mendoj që ironia dhe satira janë gjithmonë evidente. Ne mund të kemi ide të ndryshme për të por nëse ato mbijetojnë do të thotë se kjo është e bukur”.

“Luftë a tifo” është dhënë edhe dy herë të tjera në Tiranë, fillimisht në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës në Qendrën “Tulla”. Për të ka folur edhe vet Nimani i cili është edhe drejtor e themelues i Qendrës “Tulla” në Tiranë.

“Kjo është një eksperiment spontan që ka ndodhur rastësisht ku i kemi futur disa lloj fusha: muzikën, poezinë me performancën, aktrimin kapak. Më së pari ne jemi kënaqur me këtë dhe gjëja kryesore është që të kënaqesh vet në skenë e që më pas të mund t’ia përçosh publikut. Ne kemi kaluar mirë dhe me sa po shoh edhe këtu u prit mirë për çka po ndjehem shumë mirë për çka ndoshta edhe duhet të vazhdojmë na ndërtojmë këtë lloj formati”.

Themeluesi e udhëheqësi i Qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj, ka folur për aktivitetet e shumta që ka pasur “Oda” gjatë këtij sezoni. Është shprehur i lumtur me pjesëmarrjen e publikut, i cili ka qenë përherë i pranishëm në organizimin e këtij teatri.

“Ka qenë një periudhë dinamike me ngjarje aktivitete të shumta, kryesisht fushës së teatrit, pra teatrin si fokus kryesor. Ka pasur edhe ngjarje të tjera si lexime festival e ngjarje si kjo e sotmja. Pra “Oda” ka qenë pikë reference por është rikthyer fuqishëm si pikë reference kulturore e kryeqytetit dhe mendoj që me këtë ritëm do të vazhdoj edhe në vitet në vazhdim por jam i lumtur që publiku na ka përcjellë gjatë këtyre muajve dhe jam i sigurt që do të na përcjellë edhe në muajt në vazhdim, në pjesën e dytë të vitit”.

Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushrim Sheremeti është shprehur i lumtur që më në fund pati mundësi ta shihte këtë performancë.

“Realisht sonte u kënaqa duke i përcjellë dy miq të mi, Albanin e Shpëtimin me një performancë jashtëzakonisht të këndshme, shumë politike, shumë filozofike, shumë poetike, shumë artistike dhe ishte kënaqësi me qenë këtu. E di që kanë qenë në Tiranë por s’kam arritur të shkoj t’i shoh atje kështu që isha i lumtur që i pash sot”.

I impresionuar me këtë performancë ka qenë edhe aktori Mentor Shuki i cili ka thënë se është fans i Selmanit.

“Unë jam fans i Shpëtimit. Në fakt është i vetmi poet që më pëlqen dhe që i jep kuptim këtij profesioni që quhet poezi dhe poet. Për këtë edhe kam ardhur sepse nuk e kam parë më herët. Ishte një performancë shumë e mirë. Duhet me dalë prej idesë dhe me largu mendimin që teatri është diçka tepër zyrtare dhe e paarritshme. Kjo është një dëshmi që kohërat po ndryshojnë dhe që performancat janë moderne dhe sigurisht që janë më aktuale dhe na prekin neve të gjithëve që jetojmë në këtë kohë”.

Përveç shfaqjeve teatrale, gjatë kësaj sezone teatri “Oda’ ka qenë edhe nikoqir i një numri të madh festivalesh përfshirë: “Polip”, “Mirëdita Dobar Dan, “Femart”, “Prishtina Jazz Festival” e të tjerë.