EXPRESS

“Looking beyond” sjell kontinentet në imazhe satelitore

Duket si art abstrakt që në thelb ka ngjyrat e tokës. Kompozicioni dhe ndërlidhja mes imazheve krijojnë mozaikun. E publikut i mbetet të hamendësojë për konceptin. Në fakt, ekspozita nuk është e tillë. Përkundër abstraktes që përçon, është një art bashkëkohor që ka në qendër një temë që prek jetën dhe njerëzimin. Është toka e fotografuar nga satelitët.

E titulluar “Looking Beyond”, ekspozita është rezultat i bashkëpunimit midis Ambasadës së Italisë në Kosovë dhe Klubit Astronomik të Kosovës me kontributin e Agjencisë Italiane të Hapësirës. Kurator i kësaj ekspozite është Filippo Maggia, një nga ekspertët italianë për fotografinë bashkëkohore.

“Kjo ekspozitë ka qenë një mostër mjaft e komplikuar nga pikëpamja e projektimit të saj, sepse nuk ka një autor prapa. Në realitet këto pamje i kanë realizuar pajisjet. Në këtë formë nuk e kam pasur një bashkëpunues për realizim. Objektivi im ka qenë të përfshijë sa më shumë pamje satelitore që eksplorojnë”.

Fotografitë që sjellin botën në rreth 6 muaj, kohë kjo që u desh për realizimin e tyre, erdhën për disa ditë në Kosovë me një qëllim. Kërkesa për arritjen e tyre deri në Observatorin e kryeqytetit nisi nga dëshira që njohuritë dhe kultura rreth kësaj teme të zgjerohen.

“Këtu kemi dashur që jo vetëm anën shkencore dhe imazhin t’i sjellim te qytetarët, por edhe anën kulturore dhe artistike të planetit Tokë. Por në të njëjtën kohë me e rrit vetëdijesimin edhe për çështjet klimatike te qytetarët dhe me i apasionu me këto imazhe që i ka bërë sateliti i planetit Tokë. Por në të njëjtën kohë kemi dashur që edhe Kosova të hyjë në vendet që i promovojnë artin dhe kulturën bashkëkohore”, deklaroi Suhel Ahmeti.

Ai ka treguar se kjo nuk do të jetë e fundit, madje ka bërë edhe një hap më tej duke kërkuar që edhe peizazhi i Kosovës t’i bashkohet këtij elaborimi të planetit.

“Ne e kemi pasur një kërkesë për ‘Italian Space Agency’ që fotot e radhës të jenë edhe nga rajoni gjeografik i Kosovës, dhe jo vetëm nga bota. Na kanë premtuar që kanë për t’i bërë edhe disa imazhe satelitore pranë rajonit të Kosovës dhe Ballkanit. Ne ndihemi mjaft të veçantë për këtë bashkëpunim me Ambasadën italiane, meqenëse ndër 80 vende që ka qenë ekspozita është edhe Kosova”.

I pranishëm në hapjen e ekspozitës pos zyrtarëve nga Ambasada italiane ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili e vlerësoi ardhjen e kësaj ekspozite në Kosovë, konkretisht në Prishtinë.

“Për ne si kryeqytet është me rëndësi shumë të madhe ta zgjerojmë hapësirën e edukimit për rininë dhe fëmijët. Për këtë arsye edhe mburrem me atë se kjo është duke ndodhur këtu në Observatorin e kryeqytetit. Kam pasur rastin me pa prej një hapësire të vogël një horizont fantastik. Këtu e kemi një ekspozitë shumë interesante prej qiellit në Tokë, që t’i mësojmë fëmijët, të rinjtë, por edhe profesionistët që sot shkenca dhe teknologjia shfrytëzohen për gjëra shumë të rëndësishme”, tha Rama.

Ekspozita “Looking Beyond” do të jetë e hapur për vizitorë deri më 14 prill në Pallatin e Rinisë dhe Sportit.