EXPRESS

“Lindur së prapthi” përmbys diktaturën

Jeta fëmijërore, rinia, diktatura e Enver Hoxhës, jeta në atë kohë, rebelimi kundrejt saj, rënia e diktaturës, janë disa nga rrëfimet e thurura nga Rita Petro e që bashkohen në “Lindur së prapthi”. Aty, ajo gjen një lloj normaliteti. 

Romani, i promovuar të martën mbrëma në Prishtinë, është debutim i Petros në prozë. Për lexuesin ajo shquhet për poezitë përplot erotizëm, në të cilat shpërfaqet shpirti i saj luftarak e plot rebelim. Por poetja nga Shqipëria ka vendosur që narrativat e saj t’i zgjerojë tutje, duke nisur shtegtimin edhe në prozë. Krijimtaria e saj ka ndërruar formë, por te romani ruan anën luftarake, rebele e erotike, ashtu sikurse edhe një lloj avangarde.

Para publikut në takimin në librarinë “Dukagjini” ka folur edhe vetë Petro. Ka treguar edhe për faktin se pse ajo preferon artin përpara librave biografikë e autobiografikë. Sipas saj, jeta e secilit është një lloj romani, por është arti ai që njerëzit i shtynë ta lexojnë “romanin” e tjetërkujt.

“Janë gjëra që unë doja t’i tipizoja, sepse është tjetër të shkruash një libër biografik. Kur ti shkruan një libër autobiografik, nuk është në stilin tim, unë gjithmonë mendoj këtë gjë: jeta e gjithsecilit është roman e pse dikujt do t’i dukej jeta ime kaq interesante. Kur e lexon si art e si roman është interesant, sepse dallimi nga një biografi apo autobiografi është se shërben për fakte, është tekst informativ, por dallimi më i madh është sepse arti po të jetë art i vërtetë, të bën të gërmosh brenda vetes dhe të thuash se unë s’po lexoj jetën e Ritës, sepse s’më duhet fare, se e kam jetën time. Pikërisht kjo është ajo që unë kam dashur dhe shpresoj t’ia kem arritur”.

Kur ka folur për personazhet e saj femra dhe mënyrën e krijimit të tyre, Petro është shprehur se një gjë e tillë i kishte munguar letërsisë shqipe.

“Gjithmonë na mungon ai personazhi i vërtetë, personazhi i këtyre zonjave që kemi këtu të cilat nuk e gjejnë veten aty. Në letërsinë tonë ka gjithmonë prostituta, sidomos pas viteve ‘90. Para viteve ‘90 ishin ato gratë heroina, të fortat, të guximshme dhe mungon ajo gruaja e cila i ka rezistuar asaj epoke dhe që sot i ke – domethënë unë flas edhe për të moshës sime dhe për pak më përpara – avangardë të një mendimi të emancipuar. Atëherë ku është ky personazh? Tani ai ka ardhur spontanisht tek unë, sepse unë i përkas këtij lloj brezi grash, por që nuk e kam gjetur në letërsi”.

Sipas studiuesit e shkrimtarit Ag Apolloni, vepra është një përmbysje e realitetit të kohës. Mospërfilljen ndaj diktaturës ai e sheh edhe në detaje të tjera, siç është stili i veshjes dhe i flokëve.

“Është një përmbysje ironike, të një metanarrative shumë të njohur, tragjike por duke mos e theksuar këtë pjesën tragjike, por duke u marrë me normalitetin, aq sa mund të kishte normalitet në komunizëm, në një regjim të hekurt. Rita njëkohësisht na jep një pasqyrë të plotë të komunizmit, se çka ishte komunizmi për fëmijët, për të rinjtë, për të rejat, për shoqërinë shqiptare, si mund të sfidohej diçka nga margjinat duke mos u përfillur i gjithë kanoni etik i atij regjimi, duke sjellë një model të veshjes ose flokëve, pra edhe ky ishte si një lloj reagimi”.

Poetja nga Kosova, njëherësh profesoresha e letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, Dije Demiri-Frangu, ka theksuar koloritin dhe detajet e shumta që Petro ka arritur t’i lidhë në këtë vepër. Ka thënë se më së shumti e ka impresionuar mënyra se si Petro, përkundër kësaj, kishte arritur ta ruante njëtrajtshmërinë.

“Thjesht ky roman të mbyt me detaje. Ta teston memorien. E ke të vështirë t’i mbash në mend por secila jepet lehtë e më lehtë natyrëshëm e më natyrshëm kështu që nuk bën diferencime. Ti praktikisht nuk bën diferencime sepse vet personazhet tuaja nuk  janë të diferencuar ata janë të gjitha, janë pleq të pashkollë, të shkolluar, shkrimtarë, udhëheqës, nxënës. Me këtë rast Rita Petro merret me njerëzit e rëndomtë sepse jetën e përbëjnë njerëzit e rëndomtë dhe pikërisht e merr atë ekstraktin e jetës dhe për atë aryseje del vepra shumë e sinqertë, shumë e hapur, shumë e lexueshme, shumë e rrjedhshme dhe kjo më ka preokupuar se si ka mundur njeriu ta gjej një lloj mesi të tillë, një tempo që duket i njëtrajtshëm”.

Rita Petro ka diplomuar për Letërsi e Gjuhë Shqipe në Universitetin e Tiranës, ndërsa është specializuar për filozofi e kulturë greke në Universitetin Filozofik të Athinës”. Është autore e librave me poezi, përfshirë: “Vargje te përfolura”, “Shija e instinktit”, “Këtu poshtë këndohet live”, “Në intimitet...nga Rita”.