EXPRESS

Librat në kabina telefonike

Kabinat e kuqe telefonike janë modifikuar si mini-biblioteka. Është ideja e juristes që synon ta afrojë librin me lexuesit, teksa pinë kafe ose shëtisin shesheve.

Përderisa një qëndron mu në qendër të sheshit të Vitisë, Ferizaj e mban pak metra larg bibliotekës së qytetit “Sadik Tafarshiku”, së cilës themelet iu vunë në fillim të viteve ’50. Kapërcimi nëpër shesh e ndeshja me libra në një ambient ndryshe, është një nismë që synon që librin ta bëjë më të përhapur te njerëzit.

“Qëllimi kryesor ka qenë me ofru lexuesin te libri. E dimë që ka shumë biblioteka publike në secilin qytet të Kosovës, por këto biblioteka të vendosura në sheshe janë shumë më të lehta për një lexues që dëshiron me e marrë një libër, sepse nuk ka kurrfarë rregulli. Vetëm vjen, e merr një libër, e lexon dhe e kthen. Sigurisht që edhe të gjithë ata që dëshirojnë të dhurojnë një libër nga biblioteka e tyre mund ta dhurojnë për bibliotekën e qytetit. Ka njerëz që e kanë lexuar dhjetëra herë një libër, kështu që pse mos me e dhuru atë libër për bibliotekën e qytetit që edhe dikush tjetër që s’ka pasë mundësi ta lexoj atë libër ta marr edhe ta lexojë”, deklaroi Xhezide Selimi.

E reja sa u përket këtyre kabinave nuk qëndron te libri falas por në kreativitetin me anë të të cilit ai i është sjellë më afër lexuesit. Dallimi mes secilës bibliotekë publike dhe këtyre të fundit qëndron në mënyrën se si librat mund të merren pa ndonjë procedurë. E vetmja përgjegjësi ndaj së cilës përgjigjet secili lexues që merr ndonjë libër është ajo përballë vetes.

Ndonëse ka rreth dy muaj që janë vendosur, kjo mënyrë e librit afër lexuesve ka bërë që numri i librave pjesë të këtyre kabinave të zvogëlohet dukshëm.

“Mini biblioteka e parë në një kabinë telefoni është hapur në Viti më 17 shkurt. Atje kanë qenë afro 400 libra, mirëpo tash nuk janë as 40. Kjo dmth që librat janë në dorën e lexuesve. Njëjtë edhe këtu. Këtu është hapur 2 ose 3 javë më shumë pas hapjes në Viti. Mirëpo, edhe këtu e shoh që shumë tituj që i kam sjellë mungojnë. Pra, fatmirësisht janë në dorë të qytetarëve dhe ata po i lexojnë”.

“Mbledhja e librave është bërë në atë formë që në secilën komunë kemi bashkëpunuar me klube letrare dhe shtëpitë botuese të atij vendi. E dimë që në secilin qytet zakonisht ka një klub letrar që organizon aktivitete të ndryshme. Mirëpo ka pasur edhe autor individual që kanë vendosur që librat e tyre t’i sjellin në mini bibliotekë”.

Nisur nga dashuria që ajo ka për leximin e pasionin që ka për të shkruar poezi, juristja Xhezide Selimi pos idesë së mini-bibliotekave në kabinë telefonike solli edhe një tjetër inovacion me to.

Në secilin libër pjesë të këtyre bibliotekave shkroi një mesazh që inkurajon lexuesin që të rikthejnë librat në vendin e tyre, e madje edhe të kontribuojë nga ato që kanë.

“Jo vetëm në kabinë e kemi vendosur shkrimin që librat duhet të kthehen përsëri në mini bibliotekë. Mirëpo në bibliotekën e dytë që e kemi hap ka lind ideja që të shkruajmë në secilin libër. Ky libër është pjesë e bibliotekës publike dhe me anë të një shkrimi thuhet se ky duhet të kthehet në bibliotekë. Unë nuk besoj që dikush që e lexon këtë libër me këtë mbishkrim do të hezitojë ta kthej në bibliotekë. Sigurisht që librin do e kthej sërish aty ku e ka vendin në mënyrë që edhe dikush tjetër ta ketë mundësinë që ta marrë dhe lexojë atë. Kjo shkon si cikël. Vazhdimisht marrin libra, kthejnë, por pse jo edhe të dhurojnë nga bibliotekat në shtëpitë e tyre”.

Synimi i ideatores është që kabinat si mini-biblioteka të zgjerohen edhe në qytete të tjera.

Minibiblioteka publike e radhës e improvizuar në një ambient të tillë do të hapet në fillim të majit në Gjilan.