EXPRESS

La Fazani i Kosovës, që e gjeti balancën edhe në Vietnam

Jeta, shkollimi, studimet, ikja në Holandë, performancat e shumta në Vietnam e deri te këshillat për muzikantët e rinj, kanë qenë temat e trajtuara në punëtorinë e udhëhequr prej kantautorit Arbër Salihu. Si artist shquhet veçmas për energjinë që përçon te publiku, si dhe për tekstet satirike me të cilat i ndërton këngët e tij. Në Qendrën për Praktika Narrative ka thënë se merret me pothuajse çdo detaj që kërkon muzika e tij. Tekstet e këngëve zakonisht i shkruan vetë dhe në përgjithësi muzika e tij shquhet nga natyra eksperimentale.

Ndonëse e kishte regjistruar shkollën e mesme të muzikës, Arbër Salihu nuk e kishte përfunduar atë. Kishte ndjekur mësimet në kolegjin “Mehmet Akif”. Studimeve të muzikës nuk ua kishte mësyrë as në fakultet. Kishte zgjedhur profesionin, siç e ka thënë ai, “më shqiptar” duke shkuar në Holandë për të studiuar ekonomi.

“Domethënë i kam kryer studimet e ekonomisë dhe mandej kur jam kthyer në Prishtinë kam vendosur që muzika është jeta ime dhe vitin 2012 e konsideroj si vit prej kur kam filluar që profesionalisht të merrem me muzikë. Fillimisht kam bërë muzikë me Gencin. Ka qenë grupi i parë, e ka pasur emrin ‘Grupi gazmor’. E kemi pasur vetëm një performancë me atë grup në Stamboll. Ka qenë një festival i organizuar më 2013 më duket. Kemi qenë unë, Genci, Nesim Maxhuni, Tomorr Kuçi, Enes Bajramliqi. Mandej ky grup u shndërrua në ‘Cute Babulja’, që ka qenë si një ribashkim i Gencit me Enesin, por kemi qenë edhe unë, Tomorri e Fatjoni pjesë e tij”.

Pas kthimit nga Holanda, La Fazani kishte ikur në kontinentin aziatik. Kishte qëndruar për një vit në Vietnam. Përveç punës për të fituar para, Salihu do të realizonte edhe një numër të madh performancash. Më vonë kjo e kishin ndihmuar ta largonte frikën lidhur me vendin apo skenën ku është duke performuar.

“Në Vietnam nuk më ka interesuar. Kam shkuar gjithkah dhe kam performuar tepër shumë. Kjo gjë ndoshta ma ka dhënë shtytjen finale që të marr një vetëbesim që tash, sa herë që dal në skenë, nuk ma ndien ku jam. Jam në gjendje që nuk më intereson sa njerëz i kam përpara. Nuk më intereson se çfarë set up-i është. Jam i gatshëm. Vetëm ma jep një mikrofon dhe jam i gatshëm të këndoj. Një vit në Vietnam kam performuar më shumë se në krejt jetën time”.

Duke u nisur nga përvoja e tij prej artisti e krijuesi, La Fazani ka përmendur edhe nevojën e madhe për të krijuar një balancë midis rutinës dhe spontanitetit. Sipas tij, arti ka forcën e të mësuarit në gjetjen e balancës.

“Arti është ai që mund ta dëshmojë këtë gjë. Sepse nuk ki shanse të bëhesh artist muzikant pa e pasur të paktën një fazë të mirë të jetës që ti je i dedikuar. Thjesht, ti mundesh me qenë shumë i talentuar, por pa etikë të punës nuk ka shans me ia dalë”.

Për ta shpjeguar këtë ka marrë një shembull edhe nga përditshmëria e tij, teksa ka bërë të ditur se është duke punuar një album të ri. Salihu ka demonstruar edhe frymën e muzikës, në botën e së cilës ka hyrë si autodidakt. Ka thënë se ndjeshmëria është bazike te krijuesit.

Ngjarja me rrëfimin e tij është zhvilluar në kuadër të platformës “AHA” të organizatës “Përnime”.