Fundmarsi i vitit 1999 do të linte pasoja afatgjata për Krushën e Madhe të Rahovecit. Ajo do të bëhej vatra e njërës prej masakrave më të mëdha nga forcat serbe gjatë luftës së fundit.
Më 25, 26 dhe 27 mars do të masakroheshin 241 persona. 25 vjet pas, kur në krejt vendin po shuheshin burimet e dëshmive për dokumentimin e spastrimit etnik mbi shqiptarët, është promovuar botimi “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe” në dhjetë vëllime. Përjetësimi i këtyre rrëfimeve të prezantuara të hënën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës i ka paraprirë hapjes së Muzeut të Masakrës në Krushë të Madhe, një ditë më pas. Biblioteka e ka përjetësuar këtë projekt bashkë me Departamentin e Antropologjisë të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se vëllimet e publikuara i shërbejnë institucionit që ajo udhëheq e gjeneratave të reja që të mos i harrojnë krimet që Serbia ka kryer ndaj popullatës civile në Kosovë.
“Dëshmitë dhe dëshmitarët e kësaj masakre janë një burim i rëndësishëm për kujtesën tonë kolektive. Ajo do të ishte e mangët pa mbledhjen e rrëfimeve të atyre që përjetuan drejtpërdrejt masakrat si kjo e Krushës. Emocionet që bartin rrëfimet janë dëshmi jo vetëm për drejtësinë formale, por edhe për kuptimin që ato i dhanë të kaluarës sonë”.
Intervistat janë realizuar edhe në formë vizuale. Kryesuesi i Këshillit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bardh Rugova, ka thënë se është e rëndësishme që materiale të tilla të jenë në dispozicion në video e të transkriptuara.
“Gara mes gjuhës së shkruar dhe të folur në epokën tonë të mediumeve bashkëkohore merr një tjetër dallim. Dallimet e para pak dekadave kanë ndryshuar dukshëm falë rrjeteve sociale dhe kulturës në të cilën gjendemi. Në këtë epokë e kemi edhe projektin që po e promovojmë sot – rrëfime të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe. Një gjuhë e folur që është shkruar si një sfidë për kujtesë, për shoqërinë që e ka aq të lehtë të harrojë, për shoqërinë që është mësuar të harrojë”.
Në nëntor të vitit 2020 kishte nisur puna për projektin e BKK-së dhe Departamentit të Antropologjisë, kur edhe ishte nënshkruar memorandum bashkëpunimi midis Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” e Ministrisë së Kulturës. Profesorët Shemsi Krasniqi, Arsim Canolli dhe Tahir Latifi ishin mentorë.
“Duke ditur rëndësinë dhe ndjeshmërinë e projektit, stafi i BKK-së dhe mentorët e projektit i kanë kushtuar rëndësi të madhe fazës përgatitore, sidomos aspekteve metodologjike, etike dhe trajnimeve për hartuesit e projekteve. Realizimi i intervistave është bërë përmes metodës së historisë gojore me qëllim të dokumentimit të kujtesës përmes rrëfimit autentik të dëshmitarëve dhe të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”.
E mbijetuara e masakrës së Krushës së Madhe, Miradije Ramadani, mes emocionesh ka rrëfyer momentet e ngjarjes para të pranishmëve.
“Na thanë përshëndetuni për herë të fundit. Nuk e dinim ku po na çojnë. Katundi ishte i kallur krejt, nuk kishte shtëpi pa u rrëzuar e djegur, pa u bërë shkrumb. Kemi shkuar në rrugën kryesore, vetëm kur kemi parë që po u del flaka. Nuk dinim a po digjen shtëpitë apo burrat”.
Masakra në Krushë të Madhe është ndër më të mëdhatë që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës. Ende disa nga trupat e të vrarëve nuk janë gjetur.
Projekti vjen si ftesë për të mos harruar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve bashkë me sakrificën e sfidat e popullit. Rrëfimet e faqosura krijojnë imazhet nga skenat e krimit që përjetuan protagonistët në botimin “Kujtesa e Kosovës...”. Dëshmitë e kësaj ngjarjeje tashmë flasin zëshëm edhe nëpërmjet artefakteve në Muzeun e Masakrës në Krushë të Madhe.