Më shumë se dy dekada prej kur Kohavisioni nisi trendin e serialeve televizive në vend, një tjetër produksion e pasuron skemën programore duke gjurmuar trashëgiminë shpirtërore të vendit.
Xhemajl Abria personifikon plakun e urtë që zgjidhte problemet në kohë pa ligj e sisteme të drejtësisë. Portreti i tij vjen në dimensionin e pajtuesit të gjaqeve e të kontribuuesit të çështjeve kombëtare.
Nëpërmjet projektit artistik, në ekranin televiziv përcillen në kohë moderne mesazhet e më shumë se një shekulli më parë si një lloj retrospektive. Veçmas si reflektim mbi narrativën e funksionimit të vendit kur fjala ishte ligj. Personazhi kryesor është figura erudite e “Pleqnarit të Kosovës”.
Në një kullë në fshatin Ujmirë jetësohen të bëmat kuptimplote të Xhemajl Abrisë. Mbi një shekull pas vdekjes së tij, aty rikthehet imazhi i tij bazuar në historinë gojore si thesar që e ka lënë pas. Ai fliste në kullë dhe fjala e tij kishte peshë. Ishte personalitet i respektuar me autoritet. Shembulli i tij pasohej ndër breza. Produksioni “BlinkTV” sjell shkëndijat e traditës në kohë moderne.
Kulla e Bekë Sylë Millakut ka qenë streha e sheshxhirimeve për serinë pesë episodesh. Objekti unik e autentik, bashkë me të tjera objekte përcjellëse të jetesës së mëparshme te shqiptarët, ka qenë përshtatja e ambientit që ekipi ka bërë me tematikën e serialit televiziv që këtë të premte, në orën 21 e 30, jep premierë episodin e parë.
Sheshxhirimet për serialin kanë zënë vend edhe në fshatin Abri të Skenderajt, në kullën e Xhemajl Abrisë. Për shkak të gjendjes së rëndë në interierin e kullës, ajo në fshatin Ujmirë të Klinës e ilustron pjesën e xhirimeve brenda objektit.
Rea Surroi, producente ekzekutive e KTV-së, njëherësh producente e serialit, ka thënë se qëllimi i këtij produksioni ka qenë që urtësia e figurës së Xhemajl Abrisë të bartet e të prezantohet tek audienca e vendit, veçmas tek ajo e moshës së re.
“Qëllimi ka qenë ta kthejmë trashëgiminë e lënë pas nga figura e Xhemajl Abrisë, që ta vizualizojmë atë dhe ta sjellim para publikut të ri. Ne si Kohavision mendojmë që gjenerata e re ka nevojë më shumë të dijë për historinë tonë. Pa dyshim se Xhemajl Abria është pjesë e historisë së Kosovës. Pas suksesit që ne kemi pasur me shitjen e librit të botuar nga Botimet KOHA, ‘Xhemajl Abria – Pleqnar i Kosovës’ kemi vendosur ta heqim kureshtjen e publikut dhe ta bëjmë serialin dedikuar figurës së tij”.
Janë pesë episode që do të transmetohen në Kohavision gjatë pesë javëve. Surroi ka thënë se kanë planifikuar të vazhdojnë edhe me pesë episode të tjera, porse planet me këtë projekt janë edhe më të mëdha.
Nën regji e me skenar të Gëzim Hasanit, në KTV vjen figura e krijuesit e bartësit të spikatur të tregimeve popullore.
Hasani ka thënë se krejt rrëfimi vjen i inskenuar në version dramatik.
“Kemi filluar nga ato më bazike, disa situata të zakonshme në jetën e tij, në odën e tij, ku këshillat mbi ndodhitë kryesisht mbizotërojnë. Por ka gjithashtu edhe histori siç është Lidhja e Prizrenit, ndikimi i tij në shoqëri, jo vetëm në pjesën e Drenicës, fshatit të Abrisë ku ka jetuar, por edhe në gjithë Kosovën, madje edhe në Shqipëri. Ndikimi i tij në situatat dhe pjesën më të rëndësishme të historisë së Kosovës prej Lidhjes dhe ngjarjeve ku ai ka bërë pajtime”.
Skenari i serialit është bazuar në monografinë “Xhemail Abria – Pleqnar i Kosovës” të Xhemajl Bajramit, botuar nga Botimet KOHA në fund të vitit 2008. Hasani e ka kompozuar edhe muzikën e serialit.
Karakterin e Xhemajl Abrisë e luan aktori Adem Zhitopotoku. Në pauzë xhirimesh ai e ka vlerësuar rolin si një prej më të dashurve për të. Ka thënë se është përgjegjësi që ta sjellë rolin e plakut që në popull ka mbetur në mendje për fjalë të urta e vepra të mira.
“Ndihem i nderuar, do të shoh sa do t’ia arrij ta realizoj, por ajo çfarë e para më bie ndërmend është që Xhemajl Abria është lindur dhe ka jetuar në një kohë kur ne shqiptarët nuk kemi pasur alfabet tonin dhe dituria e dijenia janë përcjellë prej gojës në vesh e në këtë formë të zinxhirit. Është një njeri që me maturinë e tij, porositë që i ka dhënë, ka mbërritur t’i pushojë shumë ngatërresa, bela. Ka mbërritur të kryejë punë edhe në rrafshin kombëtar”.
Xhemajl Abria u lind në vitin 1830. Edhe pse asnjëherë nuk ndoqi asnjë lloj të mësimit formal, sipas biografisë së tij, ai kishte ndjekur me interesim të thellë mësimet e “shkollës” dhe edukatës popullore.
Ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Junikut më 1877, ku edhe ishte nderuar me titullin “Pleqnar i Kosovës”. Gjithashtu kishte marrë pjesë edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më 1878, gjë që do të ndikonte në rritjen e autoritetit të tij. Ai ishte prezent në kuvendet e pajtimeve të gjaqeve.
Aktori Xhavit Tafolli luan si Ramadan Shabani, një prej figurave të shquara në historinë shqiptare për zgjidhjen e ngatërresave e pajtim gjaqesh.
“Xhemajl Abria dhe Ramadan Shabani kanë qenë dy personazhe që kanë shkuar shumë herë bashkë dhe kanë bërë shumë gjëra të përbashkëta, si pleqni të ndryshme që kanë bërë, kanë qenë nëpër oda së bashku, kanë bërë pajtime gjaqesh, gjëra shumë të mira”.
Aktori Alban Gashi ka thënë se është nismë e duhur realizimi i serialit për një prej pleqnarëve të mëdhenj të shekullit XIX. Ai luan njërin prej burrave që i qëndrojnë përherë pranë kryepersonazhit.
“Unë jam pjesë e burrave që kanë qëndruar krah Xhemajl Abrisë kur ai ka qenë nëpër oda, kur ka rrëfyer, në ngjarje të ndryshme. Besoj se do të ketë shumë interes nga publiku për të parë këtë ngjarje të Xhemajl Abrisë dhe që ajo të ruhet si trashëgimi e vlefshme e historisë sonë shpirtërore”.
Duke qenë se episodet janë rrëfime më vete, nuk janë vazhdimësi e ngjarjes, Ilmi Hajzeri është njëri prej aktorëve që luan role të ndryshme në serial.
“Vendet e xhirimeve janë perfekte, lojën duhet ta bëjmë ne aktorët. Mirë po shkojnë, sot kam ardhur nga Zvicra e direkt në set, është dita e tretë e xhirimeve për mua pasi kam qenë edhe para dy jave për dy ditë”.
Rrëfimi shpalos tentativat për shtrirjen e ndikimit edhe te gjeneratat e reja të asaj kohe.
Aktori i ri, Mujë Xhekaj, ka thënë se tregimet e Xhemajl Abrisë sillen nëpërmjet ekranit televiziv që njerëzit e kësaj kohe t’i dëgjojnë dhe të mësojnë prej tyre.
“Në përgjithësi ky produkt që jemi duke e bërë ka shumë benefite edhe në aspektin e traditës, por edhe të artit, pasi është duke ardhur në mënyrë profesionale te shikuesi. Aty përfshihen shumë tema dhe të gjitha gjeneratat, të vjetrën, të mesmen dhe të renë. Mendoj se do të jetë diçka shumë tërheqëse dhe që do t’u pëlqejë”.
“Dikush vdes pa hi n`dhe!”, ka qenë njëra prej fjalëve të urta të Xhemajl Abrisë. Me trashëgiminë që ka lënë pas, “Pleqnari i Kosovës” është i pavdekshëm. E seriali i Kohavisionit e dëshmon këtë.