EXPRESS

Kosova hap pavijonin në Bienalen e Venecies

Kosova ka hapur zyrtarisht Pavijonin e saj në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie. “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”, siç titullohet instalacioni skulpturor i artistes Doruntina Kastrati, adreson çështjen e punës së feminizuar brenda kontekstit të ekonomive të parregulluara. 

Kuruar nga Erëmirë Krasniqi, instalacioni e merr rrëfimin prej Fabrikës së dikurshme për prodhimin e llokumeve në Prizren.  Prezanton katër skulptura: dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave, të përdorura në prodhimin e llokumeve, dhe dy të tjerat sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjike në gjunjë.

Instalacioni përcillet nga një projekt tingullor kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker.

Përfaqësimi i gjashtë i Kosovës në Bienalen e Venecias është vendosur në oborrin e Muzeut Historik të Marinës.

Sipas komisioneres Hana Halilaj, aty spikatet hapësira e punës dhe problemet që ato paraqesin në shoqëritë bashkëkohore, duke theksuar dinamikën e pushtetit, hierarkinë, çështjet e pëlqimit dhe përjashtimit.

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Lindita Haxhitasimi, ka thënë se Bienalja është kulmi i diplomacisë kulturore.

“Ky instalacion i jashtëzakonshëm skulpturor, i krijuar nga artistja Doruntina Kastrati dhe kuruar nga vizionarja Erëmirë Krasniqi, nxjerr në dritë pabarazitë dhe sfidat me të cilat përballen gratë në ekonomitë e parregulluara, ku puna e tyre është kapitali i vetëm social dhe ekonomik që e zotërojnë”.

Kuratorja Erëmirë Krasniqi ka thënë se brezi i të rinjve po identifikon se çfarë është strukturore në pabarazitë që përjetoi brezi i mëhershëm i grave, dhe nëpërmjet punës po përpiqen ta bëjnë këtë botë më të jetueshme dhe më të përshtatshme.

“Duke u nisur nga përvojat e grave që punojnë në fabrikë, historitë e tyre që vijnë nga periferia e lëkurës sonë kolektive, jehojnë dhe ndërhyjnë në narrativën më të gjerë të Kosovës së sotme. Rrëfimet e tyre në vetën e parë i sjellim në botimin që e ndajmë sot me ju”.

Artistja, përfaqësuese e Kosovës, Doruntina Kastrati, e ka hapur fjalën e saj me një citat të shkrimtares Elif Shafak. Ajo ka thënë se historia që shpaloset është lokale dhe globale.

“Jam e lumtur që jam këtu sot dhe ndaj pjesë të një historie që është gjithmonë e pranishme në përvojën tonë lokale dhe globale, duke filluar nga nëna ime Fitnete, ish-koleget e saj Shaije dhe Mimoza, dhe shumë zëra të tjerë nga margjina, të paarritshëm, të padëgjuar”.


Përveç instalacionit është promovuar dhe shpërndarë edhe botimi i bazuar në hulumtim, ku prezantohen tri histori gojore me ish-punonjëset e Fabrikës së llokumeve.

Në ditët kur bota e artit bashkëkohor i ka kthyer sytë nga Venecia, aty ngrihen pyetje e reflektohet për telashe ndërkombëtare, histori ekonomike, politike e çka jo tjetër. Në 87 pavijonet kombëtare artistët përfaqësues shpalosin perspektivat e tyre mbi fenomenet shoqërore të vendeve nga vijnë. E nën temën e përgjithshme “Të huaj kudo” me ekspozita individuale janë bashkuar 331 artistë nga vende të ndryshme të botës.

Ngjarja më e madhe e artit bashkëkohor në botë sivjet është kuruar nga braziliani Adriano Pedrosa. Për publikun do të hapet zyrtarisht të shtunën dhe do të jetë e hapur deri në nëntor.