EXPRESS

Kosova e Bullgaria me marrëveshje për bashkëprodhim të filmave

Pas marrëveshjeve me disa shtete për bashkëprodhim filmash, Kosova ka zyrtarizuar edhe një tjetër. Atë me Bullgarinë. Kjo ka bërë që Nayden Todorov të hënën të qëndrojë në Kosovë, por kësaj radhe jo si dirigjent – siç ishte më parë – por në cilësinë e ministrit të Kulturës të Bullgarisë.

Pas një takimi të shkurtër me homologun e tij nga Kosova, ministrin e Kulturës Hajrulla Çeku, të dy kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëprodhim filmash. Prej tash, Qendra Kinematografike Kosovës mund të përkrahë projekte filmike bullgare, e po ashtu Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Bullgari mund të mbështesë projekte kinematografike të Kosovës.

Dy ministrat marrëveshjen e kanë konsideruar si hap të rëndësishëm, e njëkohësisht si nismë të bashkëpunimeve më të madha.

Ministri Todorov ka thënë se ky nuk është fillimi i marrëdhënieve midis dy shteteve në nivel kulturor. Qytetarët tanë tashmë kanë bërë shumë së bashku këtu në Kosovë e po ashtu në Bullgari

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje ne shpresojmë që të forcojmë artin më të popullarizuar kinematografinë dhe të bashkëpunojmë që të kemi bashkëprodhime midis dy shteteve”.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka kujtuar se Todorovi ishte dirigjent i orkestrës në operën “La traviata” në dhjetorin e vitit 2022 në sallën “1 tetori”. Marrëveshjen e ka cilësuar si nismë shumë pozitive.

Me gjithë këtë marrëveshje e të tjerat për bashkëprodhime filmash, Kosova në arenën ndërkombëtare ka bërë hapa prapa sa i përket filmit. Tash e dy vjet s’ka kandidat për “Oscar”. Madje sivjet s’ka pasur as thirrje për këtë. Sa i përket kësaj çështjeje, ministri Çeku ka thënë se duhet të ketë një diskutim të brendshëm.