Sa herë që Kori i Filharmonisë së Kosovës ka koncert para publikut vendës, sallat mbushen plot. Ashtu ndodhi dhe të enjten e kaluar në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë – vendtakim i shpeshtë midis Korit të Filharmonisë dhe admiruesve të tij. Pas turneut të suksesshëm në Itali me tri koncerte, ky formacion u rikthye para publikut në vendin ku nisi historia e formimit të tij, këtu e para njëzet vjetësh.
Për publikun ofroi një repertor të pasur në shumë aspekte, nisur nga vepra që shtrihen prej shekullit të 17-të deri në shekullin e 21-të.
Me të vërshuar podiumin e Kishës, anëtarët e korit zunë vendet përkatëse të tyre, rreth pianos – me të cilën, këtë mbrëmje i përcolli pianisti Andi Duraku – ndërkaq krejt në fund nën duartrokitje iu bashkëngjit dhe dirigjenti Hajrullah Syla, i cili pasi përshëndeti publikun u kthye nga Kori për të nisur me pjesën e parë.
“Sei, lieber Tag, willkommen” (Mirë se erdhe ditë e dashur) nga Johann Michael Bach, qe vepra e cila me harmoninë e Korit krijoi tingull të ngrohtë dhe mikpritës. Ndjesi të ngjashme ofroi dhe “All Seems Beautiful to Me” nga Eric Whitacre, edhe pse e kompozuar 300 vjet më vonë. Nisur nga fakti se të gjitha veprat e interpretuara ishin premierë për publikun kosovar, njëra nga to dalloi edhe më për nga veçantia. Në nderim të veprës së kompozitorit Halit Kasapolli – i cili një pjesë të madhe të veprimtarisë së tij jetëshkurtër ia kushtoi përpunimit të këngëve korale mbi tema popullore – nga Kori i Filharmonisë u interpretua “Bash në zeman të djelmënisë” për të parën herë, si homazh për 65-vjetorin e vdekjes së kompozitorit. Me mjeshtëri, Kori edhe një herë demonstroi fuqinë e zërit.
Sopranoja Urta Haziraj, anëtare e Korit, ka veçuar diversitetin e veprave.
“Fillimisht kur është prezantuar programi më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë sepse ka ngërthyer epoka të ndryshme. Nuk fle në një epokë krejt koncerti. Natyrisht edhe homazhi për kompozitorin, ka qenë ndjenjë e veçantë me performu veprën e tij me tekst me të vërtetë shumë pikëllues, por ky është koncert dhe duhet të arrijmë ta prezantojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”.
“I am the World” nga Lauren Biggs, kompozim i vitit 2002, qe pika e radhës e cila solli frymë bashkëkohore për nga stili, teksa Kori përcillej mjeshtërisht nga pianisti Andi Duraku.
Bashkëpunimi i Durakut me dirigjentin Syla dhe Korin ka qenë i natyrshëm, ani pse interpretimi i premierave të shumëfishta ka qenë sfidë më vete.
“Është gjithmonë kënaqësi të jem në bashkëpunim me këtë Kor të mrekullueshëm dhe me dirigjentin Hajrullah Syla. Me të vërtetë, këto vepra po dëgjoheshin për herë të parë nga publiku dhe ishin një sfidë, por duke marrë parasysh profesionalizmin e secilit anëtar të Korit, të orkestrës, ishte me të vërtetë kënaqësi të isha pjesë e këtij programi sonte”.
Dirigjenti Syla për këtë koncert krahas punës me vepra të huaja botërore dhe me homazhin për Halit Kasapollin, në repertor ka përfshirë dhe veprën e tij “Like a Touch of Rain” (Si një prekje e shiut). Në këtë pikë të koncertit, veç formacionit të Korit dhe pianos, në podium iu bashkua dhe Ansambli Harkor i Filharmonisë së Kosovës. Në pesë minuta, vepra e Sylës çoi publikun në thellësitë e tingujve të mprehtë si vringëllima që fillojnë me harqe dhe përmbyllen me harmoni zërash.
“Vepra ime është premierë botërore, sepse nuk është luajtur më herët, është krijuar enkas për këtë koncert, është një vepër që mban titullin në anglisht ‘Like...’ është e shkruar për piano, ansambël harkor dhe kor miks dhe jam shumë i kënaqur me interpretimin e veprës”.
Fundi i koncertit u shënua me “Spirit” nga Rawn Harbor me aranzhim të Barabra Wesley Baker. Krejt ndryshe nga nëntë interpretimet e tjera, “Spirit” ngrit moralin me një energji që vë në shprehje stilin “gospel” të këndimit, i cili i përkushtohet lartësimit të hyjnores nëpërmjet alegros.
Për dirigjentin ky program kishte veçantitë e veta.
“Ishte premierë i tëri për publikun kosovar, vepra e Halit Kasapollit ishte një vepër e cila është përpunuar nga unë dhe është përshtatur për Korin tonë. Të gjitha veprat ishin të arritura mjaft mirë edhe u vu re dhe nga publiku që e priti shumë mirë koncertin” .
Ky program me dhjetë pika, secila premierë, ka qenë paralajmërues i aktiviteteve të Korit në sezonin veror.