Lokaliteti shumështresor arkeologjik “Gjyteti i Syriganës” në Skenderaj lidh tri periudha: Parahistorinë, Antikitetin e Vonë dhe Mesjetën. Por Komuna e Skënderajt dy herë radhazi e ka cenuar perimetrin mbrojtur të monumentit. Vjet i ishin ndalur punimet pasi nuk kishte marrë pëlqim. Sivjet e ka shkelur pëlqimin e lëshuar në mars nga Instituti Arkeologjik i Kosovës.
Asfaltimi i rrugës Syriganë-Bjeshkët e Syriganës ka bërë që të hyhet në deri pesë metra në zonën e mbrojtur arkeologjike ku Komuna e punëkryesi nuk kanë pasur autorizim për të hapur trase të re. Gërmimet janë bërë mbi një metër duke shpërfaqur edhe fragmente qeramike.
Për këtë Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndalur punimet në këtë pjesë. Është duke u pritur raporti për dëmet e shkaktuara. Pas raportit të Institutit Arkeologjik të Kosovës mbetet që lënda të procedohet në organet e drejtësisë.
Por në bazë të asaj që kanë thënë zyrtarët komunale, çështja tashmë është zgjidhur.
“Në kuadër të ndërtimit të rrugës është edhe një pjesë që është nën mbrojte si monument. Komuna ka kërkuar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës që ta konstatojë gjendjen. Dhe, kemi marrë një pëlqim që zona e caktuar e cila është nën mbrojtje të trajtohet me kubëza, pra të mos asfaltohet. Dhe ajo pjesë është edhe më tutje nën mbrojte dhe ruhet me standardet e përcaktuara dhe projekti do të vazhdojë”, deklaroi Amir Lushtaku, zëdhënës i Komunës.
Por krejt ndryshe tregojnë dokumentet që posedon dhe ato që ka parë KOHA. Puna në këtë pjesë nuk lejohet ende përderisa Inspektorati i Trashëgimisë kulturore varësisht nga raporti i dëmeve do të procedojë me kundërvajtje në Gjykatë ose me kallëzim penal.
Ministria e Kulturës nuk ka ofruar të dhëna për këtë çështje. Kësisoj kanë vepruar edhe institucionet vartëse të përfshira në këtë rast.