EXPRESS

Kënga bashkon etnitë në Prizren

Jo rrallë Prizreni është vlerësuar si qytet i bashkëjetesës multietnike dhe koncerti “Diversiteti dhe trashëgimia kulturore përmes muzikës” ka qenë tjetër dëshmi të shtunën mbrëma. Këngët shqipe, turke, rome, boshnjake e gorane kanë bërë bashkë këngëtarët e këtyre komuniteteve në skenën e “Autostrada Biennale”. Grupi muzikor “Contemporary Ethno Orchestra” ishte dëshmi e shembull për tolerancën e bashkëjetesën ndëretnike. Tingujt e muzikës dhe vargjet e këngëve tradicionale të kthyera në versionin bashkëkohor kanë për qëllim ruajtjen e vlerave kulturore të komuniteteve.

Ritmi i muzikës e kënga në gjuhën amtare kanë qenë ilustrim e prezantim i kulturës para publikut. Feray Dervish, Egje Renda, Tolga Kazas, Fatih Qukiqi dhe Edis Galushi kanë interpretuar për të pranishmit.

“Projekti ka për qëllim përqafimin e të gjitha vlerave kulture që secila etni i jep në Kosovë. Sonte jemi duke festuar gjithë këto vlera që qytetarët ia japin Kosovës e shoqërisë tonë dhe për mua është nder të jem pjesë e këtij projekti. Në fakt, jo të gjithë jemi profesionistë të kësaj fushe, por jemi aktivistë që punojmë në ruajtjen e vlerave gjuhësore dhe kulturore dhe për këtë na është dhënë ky nder”, deklaroi Galushi.

Kënga shqipe është prezantuar nëpërmjet “O bylbyl” që është interpretuar nga Dhurata Rexhëbeqaj e “Moj Dilbere” nga Melis Bilibani. Ajo turke ka bërë bashkë në skenë ideatorin e koncertit me këngëtarin Tolga Kazas, i cili e ka vlerësuar kombinimin e këngës në dy gjuhë si simbol të bashkëjetesës së dy komuniteteve në Prizren.

“Unë këndoj përafërsisht 30 vjet në gjuhën turke, shqipe e angleze. Për ne është normale të këndojmë gjuhën turke në Prizren e në Kosovë në përgjithësi. Në Prizren është edhe traditë gjuha turke”, tha Kazas.

Të jashtëzakonshme e ka bërë atmosferën bendi i grupit “Contemporary Ethno Orchestra” me energjinë e tij. Artan Elshani në piano, Dukagjin Muhaxheri në saksofon, Granit Paqarada në bateri, Besnik Bobaj në klarinetë, Armend Shala e Fisnik Hoxha me lojë në kitarë dhe Xhemil Gjini në perkusione, e kanë elektrizuar secilin me muzikë.

Koncerti i grupit muzikor ka qenë në kuadër të projektit, nëpërmjet të të cilit synohet prezantimi i artit dhe trashëgimisë së komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Ideatori i tij, Besmir Shishko, ka treguar se me koncertin e njëjtë ishin paraqitur edhe në jazz festivalin në Bingen të Gjermanisë në vitin 2019.

“Qyteti ynë Prizreni, pasurinë më të madhe e ka diversitetin kulturor, jetojnë shumë komunitete. Qëllimi im është që gjithë këto t’i përcjellin gjeneratat e reja, në mënyrë që të mos ketë paragjykime mes tyre, por edhe që ne shqiptarët dhe etnitë e tjera të njihemi me trashëgimitë kulturore të njëri-tjetrit”.

“Contemporary Ethno Orchestra” synon rritjen e anëtarëve të grupit dhe depërtimin e qëllimit të tij me pjesëmarrje në festivale e koncerte përtej Kosovës. Koncerti i së shtunës është përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe “Autostrada Biennale” në Prizren.