EXPRESS

“Katër Stinët” ngjyros peizazhe në frymën e barokut

Me koncertin “Nën tingujt e Prishtinës”, festa në kryeqytet ka qenë në tjetër dimension. Me veprën monumentale “Katër stinët” të Antonio Vivaldi, muzika klasike ka shënuar pozicionin e saj në prezantimin e kulturës së vendit në kuadër të aktiviteteve për çerekshekullin e Ditës së Çlirimit të Kosovës. Ka marrë ngjyrat e barokut.

Të premten në mbrëmje, skena e muzikës klasike është zhvendosur në ambient të hapur – në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Kur dielli ka nisur të perëndojë dhe kanë nisur të bien nuancat e muzgut, tingujt e muzikës klasike kanë filluar jehonën. Koncertimi në këtë formë ka ngjarë si një lloj afrimi me publikun me synim që skena e muzikës klasike ta zgjerojë audiencë. Por përtej krejt kësaj, me të është shënuar njëra prej ngjarjeve të historisë së vendit.

Orkestra e përbërë kryesisht prej harkorëve, nën përcjellje të instrumentit unik “clavicembalo”, nga familja e instrumenteve me taste, ka sjellë magjinë e shkëlqimin e “Katër stinëve”.

Bashkëveprimi i lojës solo nga violinisti Visar Kuçi, i cili e ka udhëhequr këtë orkestër, bashkë me shumëllojshmërinë e tonit dhe ngjyrave të tingujve e sjell veprën tejet atraktive.

Kuçi, i cili e ka përzgjedhur veprën për ta interpretuar në një rast të tillë, ka thënë se ajo është luajtur në shumë forma e versione të ndryshme, sikurse edhe formacione, por rrallë është sjellë e plotë.

“Është një vepër shumë atraktive dhe diçka që unë si violinist mundem edhe të luaj solo, por edhe t’i dirigjoj. Është një vepër që e njoh shumë mirë. Për shkak të kohës shumë të shkurtër që kemi pasur është dashur të bëjmë kompromis në shumë aspekte, shumë detaje. Kjo ka qenë një prej arsyeve që e kemi zgjedhur”.

Në pjesën e parë, që është “Pranvera” si stinë e parë, tingujt ngjajnë sikur vijnë më këmbëngulës. Në “Verë” pjesa vishet me tinguj më të qëndrueshëm. Është një lloj ndjenje e kaosit.

Karakterizohet nga disa pauza që përzihen me efektet e zhurmës së natyrës përreth, që e bëjnë edhe më bindëse se ajo i kushtohet peizazhit të verës, në një mbrëmje vere në kryeqytet.

Drama vazhdon në “Vjeshtë” me zvarritjen e tempit teksa “Dimri” është plot efekte emocionuese dhe janë të dallueshme që në hapje.

Veprës së kohës së barokut i japin ngjyrë e stil baroku instrumenti ‘clavicembalo’. Në këtë instrument ka luajtur pianistja Pranvera Hoxha. E ka konsideruar veprën madhështore, ndërsa sfiduese lojën në ambient të hapur.

“Kemi pasur fatin që kur Filarmonisë i janë dhuruar instrumentet është dhuruar edhe ‘clavicembalio’ pasi një kohë ka qenë mungesë në Kosovë. Prej asaj kohe kemi pasur mundësi ta luajmë veprën me instrumentin origjinal për të cilin është shkruar. Natyrisht se është më sfiduese ngase është tjetër teknikë e interpretimit, e shtypjes së tastit, për dallim prej pianos. Po ashtu pjesa e zezë është e bardhë këtu dhe anasjelltas, siç kishte ngjarë me pianot e para dikur. Kjo natyrisht se e bën më sfiduese, por më tepër është te teknika, loja, mënyra sesi interpretohet”.

Bashkë me Komunën e Prishtinës koncertin e ka organizuar organizata “EHO”. Artisti Genc Salihu, udhëheqës artistik i saj, ka thënë se veçantia e koncertit në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit ka qenë muzika klasike. E ka konsideruar mënyrë e bukur dhe të sofistikuar për t’i përmbyllur aktivitetet.

“Një vepër shumë e njohur, njëkohësisht edhe shumë e bukur, por edhe shumë e arrirë. Çfarë është interesante për këtë vepër, është ajo çfarë e quajmë vepër programore, që nuk është thjesht muzikë, por muzikë tematike e bazuar në një ide që është jashtë muzikore. Në këtë rast në përfundimin e katër stinëve. Kjo vepër është ajo që e veçon veprën ‘Katër stinët’”.

Koncerti “Nën tingujt e Prishtinës” ka sjellë veprën monumentale “Katër stinët” të Antonio Vivaldit duke prezantuar në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Çlirimit pozitën e pazëvendësueshme të muzikës klasike në skenën kulturore të kryeqytetit.