Në një ceremoni në Ministrinë e Kulturës, të hënën janë ndarë çmimet vjetore për dramën origjinale, “Katarina Josipi”. Në mesin e autorëve që kanë qenë pjesë e konkursit juria në përbërje prej udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, regjisorit Florent Mehmeti, aktores Ilire Vinca, dramaturgut Agron Shala dhe dramaturgut Naser Shatrolli, kanë zgjedhur tre prej tyre.
Vendin e parë për dramën më të mirë origjinale e mori aktori Astrit Kabashi me dramën e titulluar “Gërrdia”
Për Kabashin, ky është çmimi i parë në Kosovë. Ka thënë se jashtë kufijve ka marrë shumë çmime dhe është i lumtur që të parin çmim në Kosovë e merr si dramaturg. E vlerëson si shtysë për t’u përkushtuar më tepër më dramë.
“Kam fituar çmime ndërkombëtare por në Kosovë nuk kam fituar asnjëherë ndonjë çmim ky është çmimi i parë, por si dramaturg, jo si aktor. Është një kënaqësi e veçantë. Më erdhi shumë mirë edhe pse nuk e kam pritur, sepse ma ka marrë menja që konkurrenca do të jetë shumë e fortë por prapë se prapë u gëzova dhe është një motiv shtesë për të shkruar përsëri”.
Juria e ka vlerësuar veprën "Gerrdia" si një eksplorim thelbësor dhe të ndërlikuar të një teme që shpeshherë është tabu. Për nga stili hyn te drama psikologjike. Autori shpalos me mjeshtri të kaluarën dhe të tashmen, duke i kombinuar ato në një mënyrë që i bën lexuesit dhe shikuesit të reflektojnë mbi jetën dhe vendin e tyre në shoqëri.
Ndërsa Kabashi ka bërë të ditur se drama shtjellon edhe temën e kërkimit të lumturisë së humbur nga traumat e fëmijërisë.
“Ajo çka mundem me nda është për një tip që qan vazhdimisht dhe nuk e kupton pse po i qahet por me kalimin e kohës e zbulon se nga po vjen ajo. Unë mendoj që flet për një tip që ndihet i vetmuar dhe në të njëjtën kohë goxha i traumatizuar nga fëmijëria e tij, pastaj marrëdhëniet me gruan, nënën, babin e shumë gjëra të tjera”.
Jeton Neziraj me dramën “Uellsi ka një Mbret" ka marrë çmimin e dytë dhe vepra është vlerësuar si një shembull i humorit të rafinuar përmes një strukture të saktë. Filozofia e dramës përqendrohet në thjeshtësi, duke sjellë një shkrim lehtësisht të inskenueshëm.
Neziraj ka kujtuar kohën e rikthimit të konkursit “Katarina Josipi” dhe rëndësinë e kësaj ngjarjeje.
“Ky konkurs ka ekzistuar shumë vite më parë, në vitet '70 dhe '80 dhe një kohë të gjatë që u ndërpre ndoshta 20 vjet dhe më kujtohet në vitin 2009 bashkë me Arian Krasniqin në të njëjtën pozitë si tash Kushtrimi, entuziast me plot ide, por ide të cilat i përkthyem në projekte konkrete dhe rithemelimi i konkursit "Katarina Josipi" ka qenë njëri prej tyre, i cili vazhdon të nxjerrë drama të reja dhe autorë të rinj”.
Në rolin e jurisë, Ilire Vinca ka bërë të ditur sfidën e përzgjedhjes së tri dramave në mesin e 18 të tjerave. Ka vënë në pah veçantitë e tri dramave fituese, ku e treta është zgjedhur “Marshi i hijeve të diellit” e Florent Kurtalamit.
“Ka shkuar gjithçka në rregull. Ka qenë së pari kënaqësi, sepse nuk është lehtë me i lexu 18 drama dhe me i vlerësu, edhe përgjegjësia është e madhe. Por, duke e ditur që është një prej gjinive që nuk kemi bollëk shumë të madh dramaturgjik dhe duke e ditur dhe vlerësuar që nevoja e dramaturgëve është vërtetë shumë e madhe e kam bërë me shumë kënaqësi dhe mund të vlerësoj që sivjet prej 18 dramave, vërtetë ka pasur drama të mira dhe shumica prej tyre kanë qenë me ide të mira, por jo deri në fund të realizuara”.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Katarina Josipi” është folur edhe mbi rëndësinë e inskenimit të këtyre dramave. Vinca është shprehur që përpos dramave fituese edhe të tjerat në garë e plotësojnë kuptimin e çmimit për dramën origjinale kur inskenohen.
"Jo që më e plotësu por është e domosdoshme dhe në qoftë se e nuk përmendet do të ishte e vetëkuptueshme sepse dramat nuk shkruhen për lexuesin, por për shikuesin kështu që ne qoftë se e eliminon faktorin shikues atëherë mendoj që është problem, prandaj dramat edhe të tjerat që kanë qenë në rrethin e ngushtë dhe që kanë pasur pikë bashkë me këto tria duhet të inskenohen në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e edhe më tutje".
Udhëheqësi artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti që në ngjarje erdhi në rolin e anëtarit të jurisë ka theksuar se përzgjedhja e kësaj treshe për çmimin “Katarina Josipi” ka qenë thuajse unanime.
“Tre emrat që janë është njëfarë miksimi i çuditshëm por interesant dhe besoj që i japin vlerë "Katarina Josipit". Po besoj që sado ato dilemat dhe diskutimet që janë por për mua është jashtëzakonshme, që një dramaturg me shumë përvojë dhe një dramaturg i ri si dhe një skenarist i thekur por që tash e provon edhe dramën dhe na kanë bërë të ndjehemi mirë. Sado që i kemi lexuar krejt veprat por unanimiteti i jurisë kanë qenë këto tria po diskutimi ka qenë kush më parë”.
Këtë vit janë ndarë tre çmime duke e përfshirë edhe të parin për dallim nga viti i kaluar, ku çmimi i parë është vendosur nga juria profesionale të mos ndahet me qëllimin e ngritjes së nivelit konkurrues gjatë viteve në vijim dhe ruajtjes së vlerave artistike.