EXPRESS

Jehona muzikore e Kosovës në Poloni

Tradita e muzikës klasike në Poloni është e vjetër. Shkon krahas me vendet më të civilizuara të Evropës. Në qytetin e studentëve, siç njihet Poznani, koret universitare bashkë me ato profesionale mblidhen çdo dy vjet tash e 16 edicione. Sukseset e korit “Siparantum” nga Kosova, medaljet e arta bashkë me interpretimet me Orkestrën Simfonike të Vjenës, i kanë dhënë tjetër karakter formacionit koral që bazën e ka në Pejë.

Edicioni i sivjetmë i festivalit “Universitas Cantat” në qytetin me mbi gjysmë milioni banorë, prej të cilëve mbi 100 mijë studentë, ishte edhe nikoqir i “Siparantumit”. Festivali ku dorë të organizimit ka edhe universitetin që mban emrin e poetit dhe eseistit Adam Mickiewicz, është shtëpi e koreve vendore. Çdo edicion fton edhe kore mysafire. Pos “Siparantumit” ishin edhe kori universitar finlandez “Teekkarikuoro” dhe ai universitar tajlandez “Mahidol”.

Si intro të qëndrimit katërditor, “Siparantum” ka pasur koncertin në qytezën Pobiedziska. Qendra kulturore e këtij vendbanimi me rreth 9 mijë banorë ka pritur anëtarët e Korit të Kosovës të themeluar më 2017. Fokusi ka qenë te shpalosja e veprave të muzikës korale nga Kosova. Në njëfarë forme qe akordim i “Siparantumit” për koncertin e radhës në kuadër të Festivalit.

Veprat si “EX ALPES” e Memli Kelmendit, “Të falemi o dhe” e Rauf Dhomit e “Before” e Mendi Mengjiqit, kanë qenë pjesë e programit.

Publiku lokal zor të këtë hasur ndonjëherë në muzikë shqiptare e atë korale të Kosovës. “Janinës ç’i panë sytë”, orkestruar nga Milto Vako, e “Kopile moj kopile” orkestruar nga Memli Kelmendi bashkë me “Nji lule” të Rexho Mulliqit kanë qenë pjesa tjetër e koncertit ku janë luajtur edhe “Pax” e Kelmendit, “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e Baki Jasharit dhe “Për ty atdhe” e Pjetër Gacit. 

Dita e 16-të e majit ka shkuar në tjetër nivel për “Siparantumin”.

Ishte prezantimi kryesor në festivalin e qytetit që daton qysh prej vitit 1253. Universiteti “Adam Mickiewicz” ka histori qysh prej shekullit XVI. Rektorati gjendet në ndërtesën ku është salla koncertale, që shkurt njihet si “AMU”. 
Ndërtesat në stilin gotik e të renesancës janë dëshmitare të luftërave, konflikteve..... të momenteve dramatike e romantike. 

Kësaj radhe edhe dëshmitare të kulturës muzikore të Kosovës. Kori kamertal i Universitetit në shenjë respekti për formacionet mysafire ka interpretuar vepra të vendeve mysafire.

Me rekomandim të dirigjentit të korit “Siparantum”, Memli Kelmendi, nikoqirët kanë interpretuar veprën “Xhike Loke” të kompozitorit e dirigjentit Rafet Rudi. Performanca ka qenë një lloj spektakli më vete. Por rrëfimi i Kosovës nuk ka përfunduar me kaq.

“Siparantum”, nga shteti më i ri i Evropës, ka treguar potencialin interpretues, pak nga historia e muzikës korale prej vendit prej të cilit vjen.

Ka rrëfyer edhe tragjedinë që e ka përcjellë popullin që e përfaqëson.

I treti me radhë pas korit vendor e atij finlandez të universitetit “Tampere”, “Siparantum” është ngjitur në skenë në sallën madhështore, e shquar në krejt Poloninë si njëra prej hapësirave më të mira sa i përket akustikës.

“Media Vita” e Michael McGlyn e ka hapur “epokën” e korit kosovar në festivalin “Universitas Cantas”. Ka vazhduar me “Earth song” të kompozitorit Frank Ticheli e “Fire” të Katerina Gimon. Publiku, shumë prej të cilëve profesionistë, ngadalë ka nisur të shohë identitetin e korit që koreografinë e ka veçori. “En ’s avonds”, orkestruar nga Memli Kelmendi, ka qenë e radhës për t’i hapur rrugë një vepre nga Kosova.

“Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e Baki Jasharit e ka efektin e padiskutueshëm. Koreografia ia shton dramacitetin, duke e bërë publikun tejet kureshtar jo veç për paraqitjen vokale e vizuale, por edhe për përmbajtjen. Me soliste Aurora Hysenin kjo vepër për tekst ka poezinë e Din Mehmetit me dramën e Kosovës.

Përcjellë në piano nga Denita Dedushaj janë interpretuar edhe veprat “Dies irae” e Ryan Mainit dhe “Sometimes I feel like a motherless child” me soliste Erletë Rexhepin. Bashkë me vepra të tjera, “Siparantum” për më shumë se gjysmë ore e ka mbajtur publikun në tension.

Dirigjenti i njohur polak, Piotr Sutt, i cili ka mbajtur punëtori e prova me koret mysafire për koncertin përmbyllës, e ka vlerësuar zellin e koristëve kosovarë. Për koncertin ka thënë se ishte madhështor.

“Koncerti ishte madhështor, dhe në opinionin tim janë dy pika: Nuk është e shpeshtë të shohësh një kor që brenda një sekonde i dëgjon anëtarët sikur të ishin një person, krejt e njëjta ngjyrë, dhe nga ai moment ka lëvizje nga e djathta, e majta, poshtë e lartë dhe sheh shkëlqim ngjyrash e intonacionesh bashkë me shkallë zërash. Kjo është e mrekullueshme dhe nuk është e shpeshtë”.

Drejtori i Festivalit, dirigjenti Krysztof Szydzisz, ka thënë se jorastësisht e ka ftuar korin “Siparantum”.  E kishte parë interpretimin e këtij formacioni në Belgjikë, ku edhe sivjet ka dalë i pari në kategorinë e vet.

“Ky kor prezanton shumë mirë ndërlidhjen midis variacioneve të stileve dhe muzikës. Dhe rezultati është mahnitës”.

Koristja Fëllanza Taraku pas koncertit ka thënë se e kanë vërejtur se audiencat e reja befasohen kur i shohin, shkaku i paragjykimeve që kanë për Kosovën. 

“Mendoj se kjo ndodhi edhe sonte. Mandej pyetjet që morëm nga audienca pas koncertit e tregojnë këtë. U përmend domethënia që ka ‘Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr’ dhe për pjesë të tjera të performancës. Vazhdimisht ajo çfarë na thotë audienca pas koncerteve është e mirë”.

Udhëheqësi artistik e dirigjent i korit “Siparantum”, Memli Kelmendi, ka thënë se duke e ditur që Polonia është ndër vendet më të zhvilluara të muzikës, sidomos asaj kontemporane, kanë punuar shumë.

“Vendi ynë ka veç 25 vjet liri dhe mendoj që jemi në rrugë të mirë. Sfidat që kemi pasur dhe kemi ne, këta i kanë kaluar tash e sa kohë. Ky është një promovim i mirë jo vetëm për ne, por edhe për vendin tonë. Shkolla polake ka një ndikim të jashtëzakonshëm në muzikë”.

Për këtë arsye, ka thënë ta kenë luajtur edhe veprën “Before” të kompozitorit Mendi Mengjiqi, i cili ka kryer studimet për muzikë në Krakovë të Polonisë dhe, sipas Kelmendit, ka sjellë një frymë të re në Kosovë. Mengjiqi është autor i Himnit të Kosovës.

Qyteti që bashkon shumë histori njësoj si epoka kulturore është edhe nikoqir i shumë vizitorëve. Pjesa e vjetër e Poznanit është më e frekuentuara, përderisa tramvajet si mjetet kryesore të lëvizjeve nuk pushojnë 24 orë. Në natën e fundit të festivalit janë bashkuar krejt koret. Bashkë me ansamblin e qytetit kanë interpretuar gjatë.

Kompozitori e dirigjenti Piotr Sutt gjatë ditëve të Festivalit ka punuar shumë me koret. Edhe për koncertin qendror më 18 maj, ka prekur pak nga traditat e mysafirëve.

Atë mbrëmje është jetësuar edhe premiera e veprës së tij “ConstrOi!!”. Me ekranin në sfond e rreth 200 veta në skenë, vepra e Sutt-it ka pasur efektin e vet. Është njëfarë përshkrimi për shkatërrimin e mjedisit e thirrje për ta mbrojtur natyrën.

Po atë mbrëmje është dhënë premierë edhe vepra e kompozitorit Sebastian Jan Kondratowicz.

Për nikoqirët, Festivali është një organizim bashkimi e diversiteti.

“Ne besojmë se Universiteti duhet të investojë në shkencë e studime. Por kjo nuk është e gjitha që duam të bëjmë. Nëse duam të bashkojmë njerëz, popuj, e të ndërtojmë ura, ne duhet ta promovojmë kulturën. Jo vetëm atë popullore, por edhe këtë të koreve profesionale. Ne besojmë në promovimin e kulturës, jo për ta bërë vetëm Poloninë më të mirë, por edhe Evropën e botën”.

Në bindjen e zëvendësrektorit jo gjithmonë duhet të flitet. Më shpesh duhet të interpretohet në mënyrë që popujt ta kuptojnë njëri-tjetrin.

Qyteti polak që frymon në tradita kulturore e monumente, ka kuptuar se Kosova ka një kor që interpreton kulturën e vendit prej nga vjen. E promovon atë bashkë me talentët e rinj. Dhe këtë e bën për të treguar se shteti më i ri i Evropës ka kulturë të moçme dhe kapituj të rinj të cilët duhet t’i njohë bota.