Me “Javën e Arkivit të Hapur”, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, nga sot në mesditë ka hapur dyert për publikun që deri të premten të mund të përcjellë ciklin e trajtimit të materialit arkivor. Në ngjarjen me të cilën shënohet 74-vjetori i themelimit të institucionit shtetëror të arkivave, është bërë e ditur se deri më tani janë digjitalizuar afro 5 milionë dokumente.
Me “Javën e Arkivit të Hapur”, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, nga e hëna në mesditë ka hapur dyert për publikun që mund të përcjellë ciklin e trajtimit të materialit arkivor deri të premten. Në ngjarjen me të cilën shënohet 74-vjetori i themelimit të institucionit shtetëror arkivor, është bërë e ditur se deri më tani janë digjitalizuar afro 5 milionë dokumente, ndërsa është lansuar Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Materialit Arkivor.
Në 74-vjetorin e veprimtarisë së përpunimit, restaurimit, mbrojtjes e arkivimit, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka nisur aktivitetet për “Javën e Arkivit të Hapur”. Është ngjarje tradicionale me të cilën institucioni kremton çdo vit të aktivitetit. Aty edhe nxjerr të arriturat e sfidat.
Mesditën e së hënës, në objektin e institucionit shtetëror arkivor, ngjarja ka qenë edhe reflektim i punës përgjatë një viti të Agjencisë që merret me dokumente e koleksione të çmueshme për të kaluarën historike të shoqërisë dhe shtetit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, derisa ka theksuar rëndësinë e institucionit, ka thënë se arkivat janë gardianë të trashëgimisë dokumentare.
“Kjo lloj trashëgimie është një testament themelor i kulturës dhe kujtesës sonë historike që duhet t'u transmetohet brezave të ardhshëm në gjendjen më të mirë të mundshme. Arkivat janë qendrat që bartin përgjegjësinë për trajtimin, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë dokumentare të një shteti e populli”.
Ka përmendur miratimin e ligjit të ri për arkivat si dhe miratimin e tetë akteve nën-ligjore, të cilat, siç ka thënë, “e bëjnë plotësisht të zbatueshëm këtë ligj tejet të rëndësishëm, duke e përmbyllur kësisoj edhe reformën ligjore në fushën e arkivave”.
Sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Bislim Bislimi, ka thënë se institucioni deri tani ka digjitalizuar afro 5 milionë dokumente në regjistrin digjital të tyre.
“Vetëm në vitin 2024, pasi filluam realizimin e projektit të digjitalizimit masiv ne kemi digjitalizuar 2.5 milionë dokumente, ndërsa pa përfunduar ende 3-mujori i parë i vitit 2025, këtij 3.6 milionëshit të digjitalizuar tashmë, i është shtuar edhe 1 milion tjetër, duke na afruar kështu me numrin prej 5 milionë dokumentesh në regjistrin tonë digjital apo e shprehur në përqindje të materialit arkivor që e kemi në regjistra të inventarit hyrës, mbi 7% e sasisë së përgjithshme”.
Bislimi ka bërë të ditur se janë në prag të nisjes së fazës së dytë të renovimit të ndërtesës dhe se është gati projekti për renovimin e depove të materialit arkivor për të cilin pritet të nisim punimet këtë vit.
Në këtë ngjarje është lansuar Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Materialit Arkivor. “Java e Arkivit të Hapur” organizohet për të ndërgjegjësuar opinionin mbi rëndësinë dhe punën e arkivit si institucion. Zhvillohet tradicionalisht në muajin mars, në shënim të përvjetorëve të themelimit. Sivjet vizitat janë të hapura deri më 21 mars. Sipas të dhënave, Arkivi i Kosovës nisi funksionimin më 20 mars 1951, si entitet organizativ autonom/institucion qendror i Kosovës së atëhershme, derisa tre vite më parë, më 1948, veçse ishte themeluar Qendra Arkivore në kuadër të Drejtoratit Krahinor për Arsim dhe Kulturë. Pas luftës së vitit 1998 dhe 1999, Arkivi i Kosovës ka funksionuar si institucion në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.