EXPRESS

Inteligjenca artificiale kthen kohën në rrugët e Prishtinës

Imazhet me tre musketierë në qendër të kryeqytetit para hotelit “Grand” janë të pazakonshme. Madje edhe kur ata shihen me veshje që nuk i takojnë kësaj kohe. Është synuar që të ngjajnë me luftëtarë të lashtë të këtyre anëve. Pos tyre, edhe pamjet kur ndonjë skiatore me brend të njohur veshjesh shihet para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, nuk janë shfaqur ndonjëherë.  Këto, dhe shumë të tjera i ka sjellë dizajneri Berin Hasi.  Derisa ulet përballë kompjuterit, Hasi nis të hyjë në botën e inteligjencës artificiale. Është prej dizajnerëve të njohur vendorë. Kohëve të fundit emri i tij ka marrë edhe më shumë nam pasi logoja e punuar prej tij është përzgjedhur të jetë simbolika e Operës së Kosovës. 

Hasi ka disa muaj që është duke e sprovuar vetën por edhe inteligjencën artificiale për dizajne të ndryshme. 

“Me shpjegu pak më thjeshtë, është si me hy na në një kurs në shkollë fillore edhe me mësu se qysh me i përdorë disa mjete ose disa vegla për të arritur deri te një imazh ose deri te një punë që po doni me punu”.

Vetë Hasi në fillim është befasuar nga ajo që mund të prodhojë programi. 

“E shkruan tekstualisht çka po kërkon edhe po ta mundëson roboti një imazh shumë të saktë dhe shumë të paimagjinueshëm. Këto imazhe po më duhen që të eksploroj nëpër pamje dhe mua po me dalin imazhe të cilat as nuk i kisha paramenduar. Në këtë rast po me ndihmon me i realizu projektet e mia që unë jam duke i bërë”.

Në këtë rast, sipas dizajnerit ofrohet një ndihmë e madhe, pasi imazhi bazik që nxirret mund të përpunohet më tej duke shërbyer si brend.

“Për shembull jam duke dashur që ta përdori një material të cilin nuk mund ta sjell menjëherë në Kosovë. Veç po e shkruaj tekstualisht edhe po e imagjinoj një xhaketë të cilën unë kisha me pa me krejt elementet që i dua. Në këtë rast po më vijnë zgjedhje e pamje që më ndihmojnë ta përshpejtoj procesin tim të krijimit”.
Hasi është duke u interesuar në krijim veshjesh të skijimit. Por që dizajni artificial të jetë sa më tërheqës dhe provokues, ai ka luajtur me disa hapësira. Programit i ka dhënë fjalët kyçe që kërkesat e tij për dizajn të shfaqjen nëpërmjet një personazhi që qëndron para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.
“Kam filluar të fokusohem më shumë te veshjet. Për shembull te linjat e veshjeve. Kur synon disa materiale që nuk janë këndej pari atëherë ke dëshirë të shohësh se si mund të duken në Kosovë. Krejt këtë ta mundëson roboti”.

Hasi, ka kërkuar nga inteligjenca artificiale që me ndjesinë e portreteve dhe kohës së Bekim Fehmiut të modelojë veshje e imazhe. 

“I mora disa modele me i provu disa veshje dhe desha që të jenë në ndjenjën e Bekim Fehmiut, në kohën e tij, pasi i ka disa filma në ‘youtube’ e filmat janë në bardhezi”.
Pavarësisht se vetë Hasi shpesh thotë se është e frikshme se çfarë mund të bëjë inteligjenca artificiale, ai prapë ngulmon se duhet përdorur dhe atë në kuptimin sa më pozitiv. 
“Unë s’po e shoh tash rrezik, sepse po mendoj qe ne mund të bëjmë gjëra shumë të mira nëse e përdorim për të mirë. Unë po e përdori për punët e mija ditore qe i kam edhe përse jo, po më pëlqen. Është diçka e re edhe s’po bëhet bajat”.

Hasi është mjaft i njohur me stil unik. Ajo që dihet deri tash është se dizajnët me bazë në inteligjencë artificiale do të jenë pamjet e së ardhmes në këtë zanat.