EXPRESS

Humanizmi bashkon artistët në ankand

Me plot emocion, shaka e me një konkurrencë, e cila shpesh ka ditur të jetë e fortë, është shquar ankandi me vepra arti i mbajtur të mërkurën mbrëma në mensën “Ramiz Sadiku”. Por, ankandi u zhvillua me një qëllim: artistë nga Kosova e Maqedonia e Veriut janë bërë bashkë për të ndihmuar Valdete Dobrën, 43-vjeçare, e cila po vuan nga sëmundja e kancerit. Me iniciativë të Eliza Hoxhës, e cila ka pasur rolin kryesor në mbledhjen e veprave ku nuk kanë munguar emra të njohur si: Zake Prelvukaj, Jakup Ferri, Mjellma Goranci, Zana Ramadani, Mimoza Zajmi, Musë Prelvukaj, Hajrush Fazliu, Eshref Qahili, Arben Llapashtica e shumë të tjerë.

Në mesin e veprave kishte fotografi, vizatim, skicë, qeramikë e piktura të natyrave të ndryshme. Ndonëse numri i veprave ishte tejet i madh, në një mbrëmje e cila zgjati gati katër orë, entuziazmi nuk mungoi asnjëherë. Për veprat e autorëve të mëdhenj pati konkurrencë të fortë, megjithatë vlerën më të madhe e arriti vepra e piktorit tashmë të ndjerë Nysret Salihamixhiqi, e cila ishte dhuruar nga “Dada Art Gallery”. Çmimi fillestar i saj nisi me 200 euro për të arritur më pas vlerën prej një mijë eurove. Në total në ankand janë mbledhur 18 mijë euro.

I pranishëm ishte edhe bashkëshorti i Valdetes, Fisnik Dobraj, i cili me pak fjalë ka falënderuar artistët.

“Mirëmbrëma! Mirë se keni ardhur e që na u keni bashkangjitur në këtë ankand humanitar me piktura vepra të artit. E vlerësojmë jashtëzakonisht shumë, gjithë mundin, angazhimin që keni treguar edhe për gjithë ata që nuk janë prezentë. Jemi sinqerisht të emocionuar, të befasuar e të surprizuar sa shumë ekziston shpirti human te populli ynë”.

Organizatorja e ngjarjes, Eliza Hoxha, ka çmuar gatishmërinë e artistëve që i janë përgjigjur ftesës për këtë aksion.

“Thjesht ideja ka ardhur prej Fisnikut, burri të Valdetes i cili mu ka ofruar dhe më ka pyetur, për shkak se ne kemi bërë edhe një ankand dhe disa aktivitete për Burbuqe Berishën. Ka folur me Bufin, Fatmir Spahiun mandej ka ardhur te unë dhe normalisht në këso raste unë asnjëherë nuk mund të them jo. Por më e rëndësishmja është që kur unë i kam shkruar artistëve ka qenë mahnitëse vullneti i artistëve me dhuruar vepra. Kjo jo vetëm në fillim por mandej ne kemi pasur një momentum ku ka qenë sfiduese ku me i promovuar veprat dhe Galeria “Qahili”, Eshref Qahili me vajzën Nita Qahili na kanë ofruar hapësirën që me i çu aty”.

Drejtori i “Dada Art Gallery” në Prishtinë, Genc Rodiqi, ka qenë ai që ka blerë mbi dhjetë vepra duke u bërë blerësi më i madh i natës. Rodiqi është shprehur se një gjë e tillë është e rëndësishme veçmas kur dihet që paratë do të shkojnë për bamirësi.

“Pikë së pari kjo është një aksion shumë i mirë për të mbledhur pare për një zonjë që është e sëmurë nga kanceri sa e di unë. Është për bamirësi. Të gjithë kemi kontribuuar. Jo vetëm unë por të gjithë aq sa kemi pasur mundësi. Kështu që më vjen mirë që këto të holla shkojnë për bamirësi, për një çështje të mirë”.

E konkurrenti më i fortë i Rodiqit ka qenë kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili disa herë arriti t’ia rrëmbente disa piktura. Rama ka folur për dashurinë që ka ndaj artit.

“Kam dashuri të madhe për artin. Normalisht babën e kam pasur piktor, artist. Kam koleksion të madh të veprave të artit sepse e dua artin. Sonte këtu kam sjellë edhe disa miq që po ashtu kanë dashuri ndaj veprave të artit dhe normalisht që sot me ble vepër të artit është dyfishim i asaj çka merr sepse jo vetëm që e merr një vepër arti fantastike, por edhe e ndihmon një fondi të mirëfilltë, shumë të rëndësishëm për t’i ndihmuar zonjës Valdete për tu shëruar”.

Vepra e Nysret Salihamixhiqit u ble nga Nancy Soderberg. Aktivistja e cila bleu edhe një vepër tjetër është shprehur e lumtur që pati mundësi të kontribuonte në mbledhjen e fondeve.

“Kjo ishte një kauzë e mrekullueshme për të ndihmuar një familje në nevojë, kështu që isha e lumtur të vija. Eliza Hoxha më ftoi dhe unë jam dashamire e madhe e artit, sepse është një gjë pasiononte, vibrante. Bleva diçka për banesën time dhe paratë do të shkojnë për një kauzë të mirë”.

Veprat e tyre i kanë dhuruar edhe shumë fotografë të njohur nga Kosova, në mesin e të cilëve edhe Arian Mavriqi. Ai është shprehur i lumtur që të pesë veprat që ai i ka dhuruar janë shitur.

“Është ndjenjë e kënaqësisë që nuk përshkruhet. Është jashtëzakonisht mirë kur e di që veprat e tua janë shitur dhe kanë zënë vend në buxhetin që kërkohet për tu shëruar zonja Valdete. Nuk mund ta përshkruaj këtë kënaqësi. Kisha shumë dëshirë që të shitej të gjitha dhe ashtu ndodhi prandaj jam shumë falënderues edhe për blerësit që ishin individ nga kompani të ndryshme për çka do që t’i përdorin për zyre, për dekorim s’është me rëndësi një iniciativë shumë e mirë që mund ta përdorim edhe për raste të tjera”.

Ankandi arriti të shiste 80 për qind të veprave të dhuruara, ndërsa të tjerat vazhdojnë të jenë ende në shitje.