Është një botë me shumë ngjyra, tinguj e improvizime ajo e krijimtarisë së kompozitorit e poli-instrumentistit Robert Bisha. Një lloj avangarde e tij ku pështjellohet klasikja me populloren shqiptare e jazzin. E ka eksploruar para publikut në Prishtinë të premten me tinguj pianoje dhe jo vetëm, në atmosferën e qytetit jo të panjohur për të.
Bisha shpesh e ka stacion Kosovën, përherë me shpalosje unike muzike.
Kombinimi i tingujve të çiftelisë me ata të pianos nuk do të mund të imagjinohej. Por këtë e bën ai. Me plot guxim, ritëm e stil ka ardhur me “Home Neverland” për udhëtimet e vetmuara.
Organizim jo fort i zakonshëm ka qenë ai Qendër për Praktika Rrëfyese. Pikërisht rrëfim nëpërmjet vijës muzikore ka qenë koncerti i tij.
Bisha ka interpretuar pjesë të veprës “Home Neverland” të vitit 2019 dhe ato të kompozuara më vonë.
Ndonëse jo fort praktikohen koncerte të tilla në ambiente të hapura, për kompozitorin e poli-instrumentistin që jeton e vepron midis Shqipërisë dhe Italisë është krejt e zakonshme.
“Zakonisht bëj koncerte kështu. Jam ftuar shumë herë të bëj koncerte jashtë si në agim a në perëndim. Klima ishte fantastike, pak fllad, vendi fantastik. Është një qendër që vërtet është unike, ndoshta e vetmja kështu në gjithë Prishtinën. Është një dimension shumë i mirë, shumë intim. Mund të jesh i lirshëm, të bësh çfarë të duash”.
Tingujt e tij i sjell edhe në versionin e atyre të ksilofonit e çiftelisë. Edhe vetë kompozitori ka theksuar se ka shumë ritme në vepra. Por s’e definon muzikën në zhanre dhe ka shpjegim për këtë.
“Ka shumë ritme, nuk i ndaj me zhanre, nuk është se dua të jenë jazz, popullore, çka të kalojë le të kalojë. E liroj dhe e luaj. Patjetër se ka zhanre, jazzi është pa fund, është gamë e madhe. Nuk ka fund e as fillim. Thjesht nuk po e definoj, dua t’i lë hapësirë lirisë, nëse mund ta quajmë të tillë”.
Shpirtin prej muzikanti shumëdimensional e ka dëshmuar edhe në këtë koncert, pas atij në Prizren në premierën botërore të suitës simfonike “Monade” në shtator të vitit të kaluar.
Edhe vepra “Home Neverland” e interpretuar të premten mbrëma në oborrin e ish-bibliotekës “Hivzi Sulejmani” lidhet me Prizrenin. Në korrik të vitit 2020 ishte interpretuar në kinemanë “Lumbardhi” në kushte të pazakonta me veç 50 persona në krejt hapësirën e gjerë. Veprën e përshkruan si rrugëtim nëpër humbje dhe gjetje e vetes në kujtimet e lashta dhe në takimet e pakohë. Robert Bisha, me origjinë nga Shkodra, pos pianos luan një sërë instrumentesh të tjera, duke përfshirë fizarmonikën, çiftelinë, bateritë e kitarën. Ndërsa pjesa më e madhe e muzikës së tij është improvizuese, me prirje avangarde dhe jazz.