Thirrja e emrit të Republikës së Kosovës për “Mirënjohjen speciale” si pavijon kombëtar në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia qe përtej një çmimi të ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë.
Kosova me veprën “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” të Doruntina Kastratit, kuruar prej Erëmirë Krasniqit, ka marrë çmim me peshë, që vjen pas atyre kryesorëve të prirë prej “Luanit të Artë”, të cilin e ka marrë Pavijoni i Australisë.
Pallati gotik “Ca Giustinian” qe vendi ku pak para mesditës të së shtunës u shpallën fituesit. Në sallën me stil mesjetar rrëzë Kanalit të Madh të Venecias jehuan edhe emrat e treshes – Kastrati, Krasniqi, si dhe i komisioneres Hana Halilaj – e mbi të gjitha i Republikës së Kosovës, me një histori krejt të shkurtër në Bienale, krahasuar me vendet e tjera.
“Heshtja...” e Kosovës tash fituese – që adreson çështjen e punës së feminizuar brenda kontekstit të ekonomive të parregulluara, duke trajtuar praktikën e punës së grave në një fabrikë të dikurshme llokumesh në qytetin e Prizrenit – është çmuar për disa arsye.
Juria ndërkombëtare – e përbërë nga kuratorja amerikane Julia Bryan-Wilson, kryetare, e Alia Swastika, kuratore dhe shkrimtare indoneziane, Chika Okeke-Agulu, kuratore nigeriane dhe kritike e artit, Elena Crippa, kuratore italiane dhe María Inés Rodríguez, kuratore francezo-kolumbiane – në krye të arsyetimit për “Mirënjohjen speciale” kanë pasur peshën që vepra ia jep aktivizmit feminist.
Ka qenë anëtarja e jurisë María Inés Rodríguez ajo që e lexoi arsyetimin. Ka thënë se vepra përfaqësuese e Pavijonit të Kosovës i referohet industrisë së punës së feminizuar dhe trupave të tyre të dërrmuar nga puna.
“Duke iu referuar lëvozhgave të arrave, të përdorura në prodhimin e llokumeve, si dhe protezave mjekësore për riparimin e gjunjëve nga përgatitja e këtyre llokumeve, skulpturat elegante të artistes Doruntina Kastrati mbërthejnë shikuesit. Një peizazh tingujsh vibrues vjen nga dyshemeja, që të mbushë kockat dhe jehon përtej aktivizmit feminist”.
Pasi mirënjohjen ia dorëzoi vetë Adriano Pedrosas, kuratori i këtij edicioni i Bienales, artistja Doruntina Kastrati, ka përsëritur atë që kishte thënë në hapjen zyrtare të Pavijonit, dy ditë më parë. Ka shkëputur citatin e shkrimtares turke Elif Shafak.
“Tregimet na bëjnë bashkë, ndërsa tregimet e parrëfyera na mbajnë larg njëri-tjetrit. Për të pasur mundësinë për të treguar historinë tënde, të heshtësh për të do të thotë që je e dehumanizuar. Jam e lumtur që kisha mundësinë të ndaja pjesë nga një histori që ka qenë prezente kaherë në eksperiencat tona lokale e globale”.
Vajza e një ish-punëtoreje të Fabrikës së Llokumeve në Prizren kishte parë se gratë që punojnë aty në numër të madh përballen me injektim protezash në gju shkaku i qëndrimit të gjatë në këmbë. Aty gjëllin rrëfimi, por bëhet universal. Për këtë instalacioni përbëhet nga katër vepra skulpturore: dy të modeluara sipas gëzhojave të arrave që përdoren në prodhimin e llokumeve dhe dy të modeluara sipas protezave kirurgjike, të cilat reflektojnë operimet që u janë nënshtruar këto gra, për shkak të orareve të gjata të punës në këmbë.
Kosova sivjet ka ikur prej Arsenales, lokacionit kryesor të Bienales bashkë me Giardinin. Është vendosur në oborrin e Muzeut Historik të Marinës dhe vibrimi i dyshemesë përcjell tingujt e kompozuar prej Paul Hauptmeierit dhe Martin Reckerit.
Në ceremoninë e çmimeve – e transmetuar direkt nga kanalet e Bienales së Venecias – ka qenë i pranishëm edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Në një postim ka thënë se “gratë e Kosovës shkruajnë histori”.
Në këmbë është ngritur edhe homologia e tij e Serbisë, Maja Gojkoviq, por për ta lëshuar sallën. Është larguar sapo është përmendur Republika e Kosovës si fituese “Mirënjohjes speciale”.
“Të huaj kudo”, është tema e sivjetme e Bienales, e cila pos pavijoneve shtetërore zbërthehet në ekspozitën e përgjithshme ku marrin pjesë 331 artistë nga vende të ndryshme me ekspozita personale.
Me të huajin në njëfarë forme merret edhe Pavijoni i Australisë, fituesi absolut i edicionit të sivjetmë të Bienales duke marrë “Luanin e Artë”. Artisti përfaqësues i Australisë, Archie Moore, vetë vjen nga radhët e popujve indigjenë. Është australiani i parë që fiton këtë çmim. Në veprën e tij të titulluar “Kith and Kin”, e cila sipas përshkrimit vjen si referencë që buron nga një version i një anglishteje të vjetër, që flet për konceptin e fqinjësisë midis shteteve, ka krijuar një tabelë gjenealogjike me shkumës të bardhë në mure të zeza.
Rreth 800 mijë vizitorë pret ngjarja e madhe e artit deri në nëntor. “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”, është aty deri në nëntor. Tash edhe si “Heshtjet...” fituese të Kosovës.