EXPRESS

Harmonia me kryevepra klasike e instrumentist virtuoz

Pianoja sjell momentet misterioze, një territor të ri harmonik të çuditshëm në “Koncertin nr.5 për piano” të Ludwig van Beethoven. Në stolin pranë pianos së Filharmonisë së Kosovës ka zënë vend pianisti virtuoz Francois Dumont. Ka dërguar publikun në një botë ëndrrash nëpërmjet tingujve magjepsës. Jo veç si një koncert i radhës së institucionit të muzikës, por edhe si bashkëpunim me “Chopin Piano Fest”.

Pianoja ka qenë shenja kryesore e koncertit. Bashkë me Orkestrën e udhëhequr nga dirigjenti francez Antoine Marguier kanë krijuar atmosferën unike nëpërmjet “Simfonisë së 4-t” të Franz Schubert në pjesën e dytë të koncertit në Atelienë e Pallatit të Rinisë.

E para vepër ka qenë “Koncerti nr.5 për piano” i kompozitorit gjerman Ludvig van Beethoven. Ngjan se orkestra pohon temat që zhvillon pianoja. Loja me solistin francez Dumont ndërthur zhvillime të ndryshme me përplot dinamika, të cilat shpesh reduktohen.

Historia e pianistit të shquar francez në festivalin ndërkombëtar të muzikës klasike “Chopin Piano Fest” nuk është e re. Kishte interpretuar dy vjet më parë në edicionin e 12-të. Në repertorin e koncertit recital kishte vetëm vepra nga kompozitori Chopin. Të shtunën para publikut është rikthyer me një vepër më madhore.

“Dy vjet më parë ishte një koncert recital në Festival, ndërsa sonte kemi luajtur Beethovenin. Ky koncert është i fundit i kompozitorit. Një prej emërtimeve të tjera për këtë koncert është ‘Emperor Concerto’, edhe pse në atë kohë Beethoven ishte kundër Napolit, por është një karakter i kompozitorit. Ai kishte energjinë më të fuqishme dhe brilante me pasazhe dramatike. Introverse dhe gati një lloj meditimi në pjesët e fundit. Mandej ‘finale’ si një lloj vallëzimi ritmik”.

Në pjesën e dytë të koncertit është interpretuar “Simfonia e katërt” e austriakut Franz Schubert. Kjo vepër në përgjithësi ka sjellë atmosferë unike. Tingëllon krejt ndryshe nga vepra e Beethovenit. Çon në një univers krejt tjetër. Shpaloset gradualisht me meloditë që marrin kthesa harmonike të papritura.

Vepra e luajtur nën dirigjimin e zvicerano-francezit Antoine Marguier në përgjithësi ka pasur po aq gjallëri sa edhe tragjedi në brendi të saj. Për të është hera e katërt që drejton Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës brenda dy vjetëve. Ka thënë se progresi aty vërehet qartë.

“Hera e parë që kam qenë këtu ishte dy vjet më parë, ndërsa kjo është hera e katërt. Mund të shihja progresin, zhvillimin e kësaj orkestre për të cilën unë gjithmonë them se ka potencial të madh. Është emocionuese për mua, sepse vërtet e çmoj këtë gjë”.

Koncerti i përbashkët ka ardhur si rrjedhojë e bashkëpunimit të institucionit të muzikës me Festivalin.

“Kemi vazhdimin e një bashkëpunimi tejet të suksesshëm, tradicional dhe shumë të vlefshëm për ne me Filharmoninë e Kosovës. Jam shumë e lumtur, sepse ky bashkëpunim na ka sjellë mbi njëzet solistë, të cilët kanë interpretuar me Filharmoninë e Kosovës në 14 edicione. Kemi pasur edicione ku kanë interpretuar dy solistë, një nga jashtë vendit dhe një nga Kosova, të cilët kanë luajtur në një mbrëmje”, ka thënë drejtoresha artistike e “Chopin Piano Fest”.

Vitin e kaluar në kuadër të bashkëpunimit midis Filharmonisë dhe “Chopin Piano Fest” ishte mbajtur koncerti me pianistin anglez Peter Donohoe, nën dirigjimin e anglezit Robert Guy.