EXPRESS

“Green Fest” thërret për imagjinatë krahas punës

Nën rrezet e diellit, e tok me melodinë e “Mallëngjimit” nga Muharrem Qena, Mitrovicës fundqershori i vendosi ngjyrat e bukura të verës në pah. Krejt atmosfera e pasdites së datës 29 qershor Mitrovicën e bënte qytetin e bashkimit, paqes e qetësisë. Është festivali “Green Fest”, i cili qysh në hapje mes mitrovicasve solli ndjenjat që shpesh për ta duken të panjohura.

Përderisa mëtanë lumit Ibër është gjendja e tensionuar ajo që banorët e kësaj rrethine i bënë të ndihen nën presion, këndej tij ky festival rikthen ngjyrat dhe ndenjën e verës së qetë.

Edicioni i 13-të i “festivalit të mjedisit” në hapjen e tij në parkun e qytetit solli gjithsej 16 tablo fotografish nga artisti që vjen nga një qytet larg Mitrovicës. Arian Mavriqi nga Kamenica nisi edicionin e sivjetmë të festivalit me shumë gjallesa të spikatura prej aparatit fotografik të tij. Festivali që ka në fokus mjedisin e luftën për mirëmbajtjen e tij, me anë të organizimeve në kuadër të tij, rikthehet në një të tillë që në fokus mban po ashtu artin.

“Është kënaqësi e madhe kur nderohesh në një qytet qysh është Mitrovica. Mezi kam pritur që të vij dhe të prezantoj këto fotografi të botës së egër që për temë kishte “Wild Life Kosova”. Kësaj here ia bashkëngjita një dokumentarë të vogël me pamjet e mija në terren. Është shumë kënaqësi që ky mini dokumentarë u prit shumë mirë se ndoshta njerëzit nuk kanë pasur informacione për këto specie që ekzistojnë në Kosovë dhe tash mund të besojnë që prej neve mund të bëhet shumë çka sepse kemi njerëz që e dokumentojnë botën e egër edhe faunën”.

Mavriqi vendosi që ekspozita të quhet “Wild Life”, ashtu si edhe emisioni dokumentarë i tij i përjavshëm në Kohavision. Ndryshe prej tij, ekspozita e ka një fokus të veçantë në shpendët shtegtarë dhe kjo, thotë Ariani, se ka një arsye pse u bë.

“I kam zgjedhur kryesisht disa fotografi që në fokus kanë shpendët shtegtarë duke e ditur se me miliarda shpend shtegtarë kalojnë mbi qiellin e Evropës çdo vit. Është shumë e rëndësishme që ne të krijojmë kushte që habitatet e tyre të mos shkatërrohen asnjëherë sepse ndoshta pas një kohe nuk kanë ku të kthehen. E këta miliarda shpend kthehen për të kryer një mision këtu. Prandaj i kam zgjedhur më së shumti disa shpend shtegtarë, edhe për bukurinë e tyre dhe ngjyrat që i kanë, por mbi të gjitha për misionin që e kryejnë në tokë”.

Ndonëse të shumta në numër, krejt këto aktivitete në kuadër të festivalit kanë një qëllim të përbashkët: ngjalljen dhe angazhimin e imagjinatës njerëzore. Krahas ngjalljes së këtij motivi abstrakt, festivali bashkë me organizatorët në krye synon që të sjellë mes njerëzve edhe vepra konkrete. Thërret për punë.

“Tema “Imagine” është thirrje për imagjinatë pozitive, optimiste, shpresëdhënëse. Normalisht ne krahas saj themi se nuk mjafton imagjinata nëse nuk punojmë, nëse nuk kontribuojmë. Ajo imagjinatë kërkon punë. Për atë arsyeje ne bëjmë thirrje për një imagjinatë për një mjedis më të gjelbër, për një botë më të qëndrueshme dhe për një vend më paqësorë. Kështu që tema ndërlidhet edhe me vetë mjedisin ku jetojmë, edhe me vetë botën tonë. Disa të gjetura shkencore së fundmi kanë dalë në përfundim se fëmijët për shkak të teknologjisë dhe zhvillimeve të reja u pamundësohet imagjinata nga ajo se si duhet të jetë ngase gjithçka u servohet e gatshme. Andaj është njëfarë rreziku që të harrojmë të imagjinojmë, ndaj ne po thërrasim që të imagjinoni. Është pa pagesë, pa ndonjë taksë. Imagjinoni sa më shumë por prapa saj edhe punoni”, deklaroi organizatori i festivalit, Lulzim Hoti.

Nata e parë e hapjes së festivalit pos ekspozitës “Wild Life” solli edhe performanca muzikore të artistëve Mc Kresha, Lyrical Son, Lluni, Dj Driton, Dj Bannzz. “Green Fest” ka vazhduar deri më 2 korrik.